Partizani-Dinamo është sfida derbi që do të nisë javën e 18 të Superligës, që luhet të martën në orën 18:00 në stadiumin Arena e Demave. Të kuqtë vijnë pas disfatës me Egnatian dhe duan të rikthehen te fitoret për të rikuperuar pikët që sipas trajnerit Kërnaja do ti çojnë të kuqtë në 4 vendet e para. Megjithatë ndaj Dinamos ka 2 mungesa të rëndësishme si Doumbia dhe Hjumen, ndërsa rikthehen nga dëmtimet Preka dhe Gudjufi. Nga ana tjetër Dinamo i ka shpërdoruar bonuset dhe nuk dëshiron një tjetër ndalesë, pasi vendi i 3 do të vihej në diskutim. Nëndetësja vjen pas fitores së vështirë me Vorën, ndërsa është në ndjekje të Elbasanit të vendit të parë.
Sfida tjetër e së martës është Teuta-Egnatia, por duket se durrsakët më së shumti janë të fokusuar te Komisioni i Disiplinës për shkak të dhunës në ndeshjen me Flamurtarin. Lojtarët e të dy ekipeve u përleshën me grushte në fushë, ndërsa tifozët vlonjatë kapërcyen rrethimin dhe goditën futbollistët durrsak. Teuta ka bërë thirrje për masa të ashpra, ndërsa nuk përjashtohet mundësi që ndeshja e përfunduar 2-2 dhe e ndërprerë për gati 30 minuta të fitohet nga Teuta në tavolinë.
Sfidat e tjera të javës së 18 të Superligës do të luhen të mërkurën, me Vorën që pret Bylisin, Vllazninë që luan kundër Flamurtarit dhe Tirana e vendit të fundit që do shpresojë te mrekullia kundër Elbasanit në transfertë. Pas këtyre ndeshjeve Superliga do ndërpritet për periudhën e dimrit dhe do të rinisë me 24 janar.
Komente








