Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale e nisi këtë javë me shkollën dimërore për “Informim dhe Privatësi”, ku u përzgjodhën për të marrë pjesë 60 studentë, staf akademik dhe administrativ nga të gjithë fakultetet e Universitetit të Tiranës.

Ditën e parafundit të shkollës dimërore, pjesëmarrësit u trajnuan nga Menaxher i Departamentit të Suportit të Sistemeve të Teknologjisë së Informacionit në ALBtelecom z. Ergest Alite,i cili i prezantoi pjesëmarrësit me temën mbi përdorimin e të dhënave personale në rrjetet sociale dhe në Internetin e Gjërave (IoT), Cloud Computing dhe Big Data, duke iu referuar kompanisë ALBtelecom.
 
Ndërsa në datë 28 Janar, ditën Ditën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale u prezantua aplikacioni “Privacy App”, që mundëson realizimin e ankesës drejtpërdrejtë nga telefoni pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Edhe ky aktivitet, në formën e një konkursi mes nxënësve të talentuar të Institutit Arsimor “Harry Fultz “ u mundësua me mbështetjen e kompanisë ALBtelecom.
 
Në ceremoni ishin të pranishëm Zv.Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj.Nora Malaj, Komisioneri i Zyrës për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z.Besnik Dervishi, Zv.Drejtori i Përgjithshëm dhe njëkohësisht Drejtori i Grupit Marketing në ALBtelecom, z.Omer Kuyucu, përfaqësues të Ministrisë së Shtetit për Inovacion dhe Administratën Publike, mësues, nxënës etj.
 
Në fjalën e tij z.Dervishi vlerësoi angazhimin serioz të nxënësve në zhvillimin e një aplikacioni funksional dhe komod në përdorim, për çdo shkelje apo keqpërdorim të të dhënave personale të konstatuara si dhe falënderoi kompaninë ALBtelecom për mbështetjen që dha në organizimet e aktiviteteve të javës së Mbrojtjes së të Dhënave Personale.
 
Ndërsa Zv.Drejtori i përgjithshëm i ALBtelecom, Z.Kuyucu në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi se për kompaninë ALBtelecom mbrojtja e të dhënave personale të abonentëve është shumë e rëndësishme, pasi ka të bëjë me individin dhe me shoqërinë në kohën e dixhitalizimit. Kjo është arsyeja që kjo nismë shfaqi interes të menjëhershëm për t’u mbështetur nga ALBtelecom dhe se jemi të nderuar që jemi pjesë e këtyre aktiviteteve si një partner mbështetës.