Java Italiane në Tiranë, kreu i Senatit
Pietro Grasso prezanton 2 libra për mafien

Java Italiane në Tiranë, kreu i Senatit<br />Pietro Grasso prezanton 2 libra për mafien
TIRANE- “Për të mos vdekur nga mafia” dhe “Leksione për mafien” janë dy librat e shkrimtarit Pietro Grasso, President i Senatit të Republikës Italiane, që do t’i prezantohen publikut shqiptar në Javën Italiane. Me rastin e vizitës në Tiranë të Presidentit të Senatit të Republikës Italiane Pietro Grasso më 5 maj 2014, Instituti Italian i Kulturës do ta presë atë edhe në rolin e shkrimtarit dhe të realizojë, pranë Sallës “Nënë Tereza”, në orën 16.30, prezantimin e librave “Për të mos vdekur nga mafia” dhe “Leksione për mafien”, të dy të publikuar nga shtëpia botuese “Sperling & Kupfer”.
 
Me këtë rast, “E enjtja letrare e Institutit Italian të Kulturës” transformohet në “të hënën letrare”, dhe në prani të Ambasadorit italian në Tiranë Massimo Gaiani, Presidenti Grasso, i prezantuar nga gazetari Carlo Bollino, do të prezantojë për publikun veprat që dëshmojnë “dyzetetre vitet e jetës profesionale kushtuar luftës kundër mafias, në mbrojtje të ligjshmërisë, në mbrojtje të të drejtave themelore të shtetasve”.
 
Më këto dy botime, Presidenti Grasso ka për synim t’i drejtohet të rinjve, “pasi janë të rinjtë që kanë dëshirën më të madhe për të ndryshuar botën, për të luftuar padrejtësitë, për të reaguar ndaj prepotencave. Janë të rinjtë, ende të pa prekur nga skepticizmi tipik i të moshuarve, që besojnë se idetë e tyre, ëndrrat e tyre, utopitë e tyre janë të realizueshme”.
 
Libri “Për të mos vdekur nga mafia” është publikuar në vitin 2011 edhe në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “Ombra GVG”, dhe që në atë kohë është tentuar të organizohej një prezantim nga ana e autorit, kur ai mbulonte rolin e prokurorit kombëtar të antimafias.
 
Gjatë vizitës së tij 2-ditore në Tiranë, presidenti i Senatit Italian, Pietro Grasso, do të zhvillojë takime me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si dhe me Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
 
Së bashku me kryeministrin Edi Rama, Grasso do të çelë të hënën edhe punimet e edicionit të parë të Javës Italiane në Shqipëri), një aktivitet tre ditor mbi mundësitë dhe potencialet e investimit të kompanive italiane në Shqipëri në disa sektorë prioritarë.
 
Ndërsa në ditën e dytë të vizitës së tij, më 6 maj, kreu i Senatit italian do të mbajë pranë Universitetit të Tiranës, në orën 10:30 tek salla “Liria në Qytetin Studenti, një leksion me temë “Italia dhe Shqipëria së bashku për Evropën e së ardhmes”.
 
Në një ceremoni të veçantë pranë këtij fakulteti pritet t’i jepet dhe titulli “Honoris Causa”.
 
“PËR TË MOS VDEKUR NGA MAFIA”
Deri kur mafia ekziston duhet të flitet për të, të diskutohet, të reagohet. Heshtja është oksigjen falë të cilit sistemet kriminale organizohen dhe simbioza shumë e rrezikshme mafia, ekonomia dhe pushteti përforcohen. Heshtjet e sotme jemi të detyruar t'i paguajmë rëndë nesër, me një mafie gjithmonë e më të fortë, me shtetas gjithmonë më pak të lirë.
 
Autori Pietro Grasso e Alberto La Volpe
Përkthyer nga Mimoza Hysa
 
“LEKSIONE PËR MAFIEN”
“Leksione për Mafien” gërmon brenda siste-mit mafioz dhe na sjell një radiografi e përbërë nga emra, rregulla, histori, rrjet bashkëpunimesh, ndërhyrje, mistere, ambiguitete. Nga Palermo, kryeqyteti i Mafias, tregimi shtrihet në pjesën tjetër të Italisë së botës, duke treguar të gjitha lidhjet ndërkombëtare të një Holding të Krimit me të ardhura gjithmonë në rritje. Pietro Grasso transformohet në profesor dhe në dëshmitar, ekspert dhe protagonist i fakteve. Në leksionet e tij alternohen gjithmonë historia, aktualiteti, kujtime personale, anekdota.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Miratohet Buxheti i Bashkisë së Elbasanit, Opozita voton kundër! Debate mes palëve, kalon edhe paketa fiskale për vitin 2025

Miratohet Buxheti i Bashkisë së Elbasanit, Opozita voton kundër! Debate mes palëve, kalon edhe paketa fiskale për vitin 2025