/ATSH- G. Kabashi/. - Këngëtarja Vikena Kamenica dhe instrumentisti italian Pierpaolo Petta mbrëmjen e kaluar i kanë gjallëruar mjediset e Muzeut Arkeologjik të qytetit të Durrësit me një koncert të veçantë, ku mbizotëroi muzika jazz.
Veprimtaria e programuar në kuadër të Festivalit të 10-të ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës mblodhi në muzeun e restauruar dhjetra artdashës, të cilët duartrokitën gjatë interpretimet e artistëve të shoqëruar nga Keli Band, një formacion mjaft i njohur muzikor në vendin tonë.
Vikena Kamenica, mexosoprano me një personalitet të spikatur artistik, u paraqit me disa këngë kompozitorëve Zef Çoba, Agim Krajka dhe Muharrem Qena, përpunuar nga formacioni muzikor që drejtohet nga Brikel Guga. Më pas ata interpretuan edhe pjesë të përzgjedhura nga muzika jazz.
I ftuar në koncert fizarmoniçisti arbëresh Pierpaolo Petta, prezantoi në gjuhën shqipe disa nga veprat e kompozuara prej tij gjatë kohës që punonte si mësues në Piana degli Albanesi. Autor i disa pjesëve me tonalitete shqiptare Petta fitoi admirimin e publikut edhe si shoqërues i këngëve të interpretuara nga Vikena Kamenica.
Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës ka nisur të shtunën në mbrëmje në Durrës dhe në dy koncertet e para kanë interpretuar violonçelisti Joel Blido dhe violinisti Klajd Sahatçi, të shoqëruar përkatësisht nga Marin Gjollma dhe Merita Rexha Tërshana. Në program janë parashikuar edhe tre koncerte të tjera me muzikë nga autorët tanë dhe të huaj.