Rrugëve të Shqipërisë po u shtohen gjithnjë e më shumë automjete. Numri i mjeteve në qarkullim ka kaluar 1.1 milionë, ndërsa më shumë se një e treta e tyre është përqendruar vetëm në Tiranë. Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se numri i mjeteve është rritur me 8.7% brenda një viti.
Në fund të tremujorit të tretë të vitit 2026, në vend numëroheshin 1,115,221 mjete rrugore. Pjesën më të madhe e zënë autoveturat, me 80.6% të totalit, ndërsa motorët përfaqësojnë 6.5% dhe automjetet për transport të përzier 5.7%.
Tirana kryeson me 34.7% të të gjitha mjeteve që qarkullojnë në Shqipëri, e ndjekur nga Durrësi me 13.7%. Në anën tjetër, Gjirokastra dhe Kukësi kanë përqendrimin më të ulët, përkatësisht me 2.1% dhe 2.4%.
Vetëm gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator janë regjistruar për herë të parë 25,338 mjete, ku 80% e tyre ishin autovetura. Rreth 40% e regjistrimeve të reja janë bërë në Tiranë.
Megjithëse numri i përgjithshëm i mjeteve po rritet, regjistrimet e reja gjatë tremujorit të tretë kanë shënuar një rënie prej 4.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sa u përket markave të regjistruara për herë të parë, shqiptarët vijojnë të zgjedhin më së shumti Volkswagen, që zë 16.6% të regjistrimeve. Pas tij renditen Mercedes-Benz me 15.1%, Audi me 10.7%, Hyundai me 8% dhe BYD me 4.2%.
Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor tregojnë se gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026 janë regjistruar për herë të parë rreth 74,100 automjete, pothuajse aq sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Një tjetër ndryshim që bie në sy është origjina e makinave që hyjnë në tregun shqiptar. Koreja e Jugut kryeson me rreth 19,500 mjete, ose 26% të totalit, ndërsa Kina renditet e dyta me 11,800 mjete, që përbëjnë rreth 16%. Pas tyre vijnë Gjermania me 8,900 dhe Italia me 8,600 automjete.
Ndërkohë, makinat elektrike po fitojnë gjithnjë e më shumë terren. Nga janari deri në shtator janë regjistruar rreth 7,800 mjete elektrike, dyfishi i numrit të regjistruar gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2025.
Ato përbëjnë tashmë 10.5% të të gjitha regjistrimeve për herë të parë.
Kliko këtu per të lexuar raportin e plotë











Komente
Komento