Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi nga Berlini se Aleanca mbetet e bashkuar përballë Rusisë dhe se përpjekjet e Moskës për të përçarë aleatët nuk do të kenë sukses.
Pas takimit me ministrin e Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, Rutte tha se NATO qëndron në krah të Gjermanisë pas asaj që e cilësoi si një sulm hibrid rus në Leipzig.
“Rusia kërkon të na përçajë, por ne jemi të bashkuar. Rusia kërkon të na pengojë të ndihmojmë Ukrainën, por ne do të bëjmë edhe më shumë për Ukrainën. Rusia kërkon të tregojë forcë, por ne jemi më të fortë”, u shpreh Rutte.
Ai vlerësoi reagimin e Gjermanisë ndaj incidentit në Leipzig dhe tha se vendet anëtare të NATO-s i kanë shprehur mbështetje Berlinit.
Rutte theksoi se Aleanca po forcon kapacitetet e saj parandaluese dhe mbrojtëse përballë kërcënimeve, duke shtuar se aleatët po rrisin presionin ndaj Rusisë edhe përmes masave kundër të ashtuquajturës “flota në hije”, si dhe me mbrojtjen e infrastrukturës kritike, përfshirë dislokimin e forcave në Detin Baltik.
Duke folur për Ukrainën, kreu i NATO-s e cilësoi Gjermaninë si mbështetësen më të fortë të Kievit dhe falënderoi ministrin Wadephul për angazhimin e tij.
Rutte vlerësoi gjithashtu planin e Gjermanisë për të rritur shpenzimet bazë për mbrojtjen në 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2029. Sipas tij, industria gjermane e mbrojtjes, nga kompanitë e mëdha deri te startup-et inovative, po rrit prodhimin dhe po kontribuon në forcimin e sigurisë së NATO-s.
Në përfundim, ai tha se NATO do të vazhdojë të përshtatet për të garantuar sigurinë e rreth një miliard qytetarëve të vendeve anëtare dhe falënderoi Gjermaninë për rolin e saj drejtues dhe mbështetjen ndaj Ukrainës.











Komente
Komento