Himara po kalon një nga sezonet më të mira turistike të viteve të fundit, tha sot Kryebashkiaku Vangjel Tavo gjatë një interviste në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV ku foli për ecurinë e turizmit dhe sfidat në qytetin bregdetar. 

Sipas Tavos, fluksi i pushuesve ka nisur që në muajin prill, ndërsa qershori dhe korriku janë mbyllur me kapacitetet akomoduese të mbushura. Sipas tij, krahasuar me një vit më parë, numri i turistëve është rritur me rreth 30%, ndërsa gjetja e një dhome të lirë gjatë muajit gusht është bërë shumë e vështirë. Fluksi nuk po vjen vetëm nga pushuesit vendas.

Sipas Tavos, këtë vit është rritur ndjeshëm edhe numri i turistëve të huaj, të cilët mbërrijnë nga vende të ndryshme të botës dhe rikthehen sërish në Himarë, duke sjellë me vete edhe miq e familjarë. Një tjetër tregues që, sipas kryebashkiakut, tregon forcimin e sezonit është edhe zgjatja e qëndrimit të turistëve. Nëse në muajt prill dhe maj dominonin pushimet dy ose treditore, tashmë vizitorët po zgjedhin të qëndrojnë më shumë se një javë. Madje, shumë hotele raportojnë rezervime deri në mesin e muajit nëntor.

“Ka një rritje të pushuesve të huaj nga të gjitha shtetet. Ka shumë nordikë, anglezë, italianë, grekë, amerikanë, australianë, pra nga të gjitha vendet e botës vijnë në Himarë të kalojnë pushime të bukura. Vizitorët që vijnë në Himarë kthehen dhe sjellin me vete miq dhe familjarë të tjerë. Netëqëndrimet 2-3 ditore kanë qenë në muajt prill dhe maj, ndërsa korriku dhe gushti, por edhe shtatori deri në fund të tetorit, hotelet në Himarë më thonë që janë të rezervuara deri më 15 nëntor. Pra turistët qëndrojnë më shumë se një javë”, deklaroi Tavo.

Krahas ecurisë pozitive të sezonit, ai u ndal edhe te sfidat që mbeten për t'u zgjidhur. Një prej tyre është furnizimi me ujë të pijshëm, për të cilin tha se janë në zbatim disa investime që synojnë t'i japin fund problematikës në sezonin e ardhshëm, ndërsa për Lukovën bashkia po ndërton një ujësjellës të ri.

“Sa i përket ujit të pijshëm është një sfidë që kërkon zgjidhje. Pjesa e Himarës po merr një zgjidhje përfundimtare pasi përfundoi ujësjellësi që vjen nga Kuçi në Vuno. Pjesa tjetër që vjen nga Tragjasi është në proces dhe nuk ka përfunduar. Shpresojmë që në sezonin e ardhshëm të ketë përfunduar dhe ta kemi gati në mënyrë që problematika e ujit të pijshëm të mos ekzistojë më. Sa i përket njësisë së Lukovës, Bashkia e Himarës këtë vit investon për një ujësjellës të ri nga burimi Tatzatit të Delvinës për të zgjidhur këtë problem në Lukovë”, tha ai.

Duke folur për objektivin afatgjatë të Himarës, Tavo u ndal edhe te turizmi elitar. Sipas tij, zona i ka krijuar tashmë kushtet bazë me investimet në hoteleri dhe strukturat me pesë yje, por duhen ende elementë të tjerë për ta kompletuar ofertën.

“Mund të themi që një pjesë e turistëve janë elitarë. Jemi akoma larg për të arritur që Himara të ketë turizëm elitar në pjesën dërrmuese. Himara ka edhe infrastrukturën për të pasur turizëm elitar, sa i përket sidomos strukturave akomoduese. Kemi numrin më të madh të hoteleve elitare me brande ndërkombëtare apo me 5 yje. Plotësojmë të gjitha kushtet por kërkojmë edhe elementë të tjerë për ta kompletuar atë që nevojitet. Po punojmë për të plotësuar kushtet e tjera paralelisht me investimet që po bëhen nga privatët në hoteleri. Turizmi është një nga prioritetet e kësaj qeverie ndërsa Bashkia e ka prioritetin e prioriteteve””, u shpreh ai.

Sa i përket plazheve publike, plani, sipas Tavos, është shtimi i tyre edhe vitin e ardhshëm.  

“Sa i përket plazheve publike, Bashkia e Himarës vjet ka pasur 30% plazh publik dhe 70% plazh të kontraktuar nga privatët, sa e kërkon dhe ligji. Sivjet jemi në kuotën e 49% plazh publik dhe 51% plazh i kontraktuar nga privatët. Edhe vitin e ardhshëm, tendenca e Bashkisë është kjo përqindje të jetë në favor të plazhit publik”, tha Tavo.