Në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në Izrael, Presidenti i Republikës, Ilir Meta u prit në një takim nga homologu i tij Reuven Rivlin. “Ndihem krenar që jam kreu i një shteti ku antisemitizmi jo vetëm nuk ka ekzistuar kurrë, por edhe i një vendi ku numri i hebrenjve jo vetëm u shumëfishua gjatë Luftës së Dytë Botërore, por asnjë prej tyre nuk iu dorëzua pushtuesve" tha Meta. Presidenti Rivlin nënvizoi se “shembulli i popullit shqiptar për shpëtimin e hebrenjve përbën një model unik për të gjithë botën”.
“Ne do të jemi bashkë, edhe në përpjekjet për t’i mbrojtur këto vlera nga kërcënimet e përbashkëta si terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe fondamentalizmi fetar” tha Meta. Presidenti Meta inkurajoi rritjen e investimeve izraelite në vendin tonë. “Shqipëria ka shumë për të mësuar nga Izraeli rreth përdorimit të teknologjisë, për të nxitur zhvillimin ekonomik. Në të njëjtën kohë, edhe ne kemi shumë për t’iu ofruar investitorëve, si dhe turistëve izraelitë që duan të vizitojnë vijën tonë të mrekullueshme të bregdetit, malet tona të larta dhe vendet tona historike” theksoi Presidenti Meta.
Gjithashtu Meta e falënderoi homologun izraelit për mesazhet e solidaritetit pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri dhe vlerësoi operacionet e kërkim-shpëtimit izraelite që erdhën menjëherë pas tërmetit, si edhe punën e grupeve të specializuara për vlerësimin e ndërtesave të dëmtuara.
“Ne jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen mbresëlënëse të Izraelit gjatë atyre ditëve”- u shpreh Kreu i Shtetit. Presidenti Meta e ftoi Presidentin Rivlin për një vizitë në Shqipëri, ftesë që u mirëprit me kënaqësi. “Do të jetë kënaqësia ime”, shtoi ai - “të jem Presidenti i parë i Izraelit që viziton vendin tuaj aq mikpritës për ne”.
Ndërkohë që kreu i shtetit shqiptar nga Izraeli ku ndodhet i ka dërguar një mesazh urimi Presidentes së re greke që sapo u zgjodh. "Përshëndes zgjedhjen historike të Presidentes së re të Republikës Helenike dhe i uroj asaj shumë suksese në këtë post shumë të rëndësishëm. Mbetem i bindur se marrëdhëniet shumë të mira dhe tradicionale mes dy vendeve edhe dy popujve tanë do të zhvillohen edhe më tej në dobi të interesave dhe qëllimeve tona të përbashkëta, ku kontributi i Presidentes së Zgjedhur të Republikës Helenike, Znj. Katerina Sakellaropoulou, është i një rëndësie të veçantë" shkruan Meta.