Ish-kreu i Gjykatës së Apelit, Metush Saraci ka dhënë dorëheqjen, në një moment kur ishte në listën e gjyqtarëve të cilët do t'i nënshtroheshin Vettingut. 

 Report Tv ka mësuar se dorëheqja e Saraçit është bërë në 4 nëntor dhe i është depozituar KLD-së, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe një ditë më pas presidentit Ilir Meta. Metush Saraçi ka mbajtur postin e kreut të Gjykatës së Apelit deri në 2011. Pas mbarimit të mandatit, ai u zëvendësua nga Alaudin Malaj. 

Nga burime pranë KLD-së, Report Tv ka mësuar gjithashtu se Saraçi e ka dhënë dorëheqjen duke e argumentuar me arsye personale. Jo zyrtarisht nga KPK, flitet se ai ka probleme me pasurinë dhe karrierën e tij në sistemin e drejtësisë.

Sa i takon Komisionit të Vettingut, pas listës prioritare të kandidatëve për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe atë Gjyqësor, do të kalojë në sitë gjyqtarët e apeleve duke nisur nga Tirana. 

Urdhër i Brendshëm mbi "rishortimin e cështjeve të relatorit Metush Saraci", ku bëhet e ditur dorëheqja e tij 

Prej nisjes së procesit të Vettingut e deri më tani, 13 gjyqtarë dhe prokurorë, mes tyre ish-kryeprokurori Adriatik Llalla dhe ish-anëtarët e Gjykatës Kushtetuese (Besnik Imeraj, Sokol Berberi apo Vladimir Kristo), kanë dhënë dorëheqjen për t'iu shmangur procesit që shërben për përjashtimin e zyrtarëve publikë në rast se këta të fundit nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës.