Mjekët e njohur Irfan Pustina(pas vdekjes) dhe Odise Papa, u nderuan nga këshilli bashkiak i qytetit të Vlorës, me titullin "Qytetar Nderi".

Ceremonia e dorëzimit të titujve u zhvillua në Teatrin "Petro Marko", në prani të mjaft qytetarëve, mjekëve e specialistëve të shëndetësisë, ndërkohë që ishin të pranishëm edhe deputetët Fatmir Toçi e Besnik Bare.

Titujt u dorëzuan nga kryetari i Bashkisë Shpëtim Gjika dhe kryetarja e këshillit bashkiak, Evis Alushi.

Dr. Irfan Pustina vlerësohet mes themeluesve të radiologjisë shqiptare. Ai ka përfunduar studimet në vitin 1941 Universitetin e Bolonjës(Itali), ndërkohë që më pas u emërua drejtor i spitalit të Tiranës. Në vitin 1950, për shkak të qëndrimeve të tij që binin ndesh me vijën zyrtare të kohës, ai u përball me persekutimin.
Dr. Irfan Pustina themeloi radiologjinë në Vlorë ku së bashku me mjekë të tjerë që kishin përfunduarstudime jashtë vendit, kryesisht në perëndim, punoi për modernizimin e sistemit shëndetësor.

Titulli "Qytetar Nderi i Vlorës" iu dorëzua djalit të tij zotit Agim Pustina, i cili falënderoi kryetarin e Bashkisë, Shpëtim Gjika si dhe këshillin bashkiak, për këtë vlerësim që ju bë punës dhe veprës së babait të tij. Ai shprehu mirënjohjen edhe për të pranishmit në sallë, si dhe për ata qindra e mijra qytetarë vlonjatë që e kanë vlerësuar dr.Pustinën në vite.

Ndërkohë, mjeku i njohur kirurg, Odise Papa, vlerësohet mes specialistëve më të mirë në vite në fushën e mjekësisë, në qytetin e Vlorës, por jo vetëm. Në dokumentarin që u shfaq me këtë rast, përgatitur nga Genci Demiraj, të pranishmit u njohën me jetën dhe punën e tij në shërbim të qytetarëve.

Dr. Odhise Papa, njëkohësisht një sportist i spikatur në Vlorë,  ka lindur në fshatin Nartë, ndërkohë që me përfundimin e shkollës së mesme të përgjithshme në gjimnazin "Ali Demi", në vitin 1963 nisi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë,  ku u njoh edhe me emrat e shquar të kirurgjisë shqiptare Petro Cani dhe Besim Elezi. Dr. Odhise Papa kthehet në Vlorë dhe angazhohet si pedagog në Shkollën e mesme mjekësore "Jani Minga" në Vlorë, më pas shkon për kualifikime dhe specializime për kirurgji të përgjithshme dhe në vitin 1974 emërohet kirurg në spitalin rajonal të Vlorës. Ai fitoi gradën shkencore, "Doktor i Shkencave Mjekësore".

Pas një periudhe disa vjeçare emigrimi dhe pune në spitalin e Janinës(Greqi), Papa rikthehet në Vlorë ku vazhdon të punojë në spitalin e këtij qyteti.

ATSH