Jeta bohemiane e Arben Bajos, vepra të lëna përgjysmë dhe “Kadare” i parealizuar!

Në mesin e rrugëtimit të tij jetësor e në kulm të krijimtarisë, vdekja erdhi e befasishme. Ndërsa në rrugicën “Eduard Mano” mungojnë ecejaket e tij, buzëqeshja e fjalët dashamirëse që reflektonte njeriun e urtë, Arben Bajo, veprat e tij që struken në studion modeste, guximtare bërtasin pavdekësinë e artistit. Figura njerëzore, humanizmi është kryefjalë e krijimtarisë së tij. Eleganca e nudove, ndërthuret me ndjeshmërinë e psikologjinë e femrës, duke u shndërruar në poezi.

“Beni e konsideronte veten skulptor të figurës njerëzore. Gati 80 për qind të veprave të tij i takojnë figurës njerëzore, si asaj femërore dhe asaj mashkullore. Nudot i ka mbajt më gjatë në duart e tij. Silueta femërore për të ishte një motiv jete. Por, është edhe një nga skulptorët e rrallë që tregon veten pa doreza. Në ekspozitën e fundit që do bënte, një cikël ishte për njeriun dhe instinktin kafshëror, që jeton brenda tij i miksuar me mitologjinë greke, që është shtylla kurrizore e kësaj eksperience të re”, thotë kritiku i arteve pamore Ermir Hoxha.

Hulumtimi në botën e brendshme njerëzore është i thellë edhe sa i përket mitologjisë. Anët e errëta, instinktet kafshërore që janë të mbështjella me trupat njerëzor i shpërfaq me një mjeshtëri të tille, që do ta kishte zili çdo artist bashkëkohor.

“Në fakt ne jemi para njërës prej këtyre veprave. Unë që jam studiues i arteve pamore e kisha të pamundur, që të gjeja një shembull të dytë të kësaj tipologjie figurative. Një artist që bën veten e tij, duke i mbivendos instiktin kafshëror, në rastin e kësaj figure jepet përmes brirëve, ku figura njerëzore po transformohet në një bishë”, shpjegon studiuesi.

Mes vështrimeve të mjegulluara prej trishtimit studentët, përpiqen të tregojnë pedagogun e tyre që u mësoi sekretet e zanatit. Dhe në mes të studios, vepra e tij e papërfunduar që miklon daltën e lënë mënjanë. Studentët tanimë e dinë se s’duhet lënë më gjatë të presë..., kjo krijesë duhet të shikoje dritën.

“Këto ditë për ne që kemi qenë ccdo ditë me të janë shumë të trishta. Ikja e tij ishte e papritur. Profesor Beni gjatë gjithë karrierës së tij në universitet zgjidhte studentët më të mirë, i merrte në studion e tij dhe i nxirrte në jetë. Do ta kujtoj si njeriun që ka bërë shumë për mua”, shprehet studenti i tij i skulpturës, Alem Toska.

“Në studio ndihet mungesa e tij. Mungon shpjegimi që ai na bënte. Puna e lënë përgjysmë, për ne është shumë e vështirë që ta derdhim pa të. Por, shpresojmë që të çojmë përtej në art atë që ai na dha”, thotë studenti i tij, Renato Kullolli.

Vdekja kobzezë i la Bajos, projekte pezull. Ekspozitën e planifikuar për në pranverë miqtë janë të vendosur ta realizojnë. Të tjera, u ndërprenë me mungesën e tij fizike, si realizimi i figurës së Ismail Kadaresë në vendlindje.

“Kishte në proces disa vepra publike. Një prej tyre ishte “Shëtitja”, që sa di unë do vendosej në Bulevardin e Ri të Tiranës. Por, bëhet fjalë edhe për një tjetër, një skulpturë për Kadarenë, e cila do të vendosej në Gjirokastër. Një projekt që Beni e donte shumë. Por do të na mbetet të gjithëve pishman, që nuk arritëm ta shikojmë të realizuar”, përfundon studiuesi.

Përjetësimi në skulpturë i personaliteteve shqiptarë, qe edhe një nga shkaqet që e rikthehu Bajon në atdhe, pas një qëndrimi të gjatë në Greqi. Arben Bajo, i urtë po asnjëherë indiferent ndaj zhvillimeve që preknin veçanërisht kulturën, ishte jo vetëm një nga artistët më të angazhuar, por edhe një nga të preferuarit e koleksionistëve. Vepra e tij, pret takimet me dashamirësit e artit elitar, sa kërkues të botës së brendshme, aq edhe sfidues të asaj sipërfaqësore e të lustruar.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

GOLAT/ 'Faraoni' Salah nderon Liverpoolin, nis shkëputja në krye të Premier League! Luhet Ipsuich - Man. United

GOLAT/ 'Faraoni' Salah nderon Liverpoolin, nis shkëputja në krye të Premier League! Luhet Ipsuich - Man. United