“Jeta emigrante e familjes time, Brexit një ide e keqe”, intervista e Dua Lipa-s për CNN (Video)
Këngëtarja me origjinë shqiptare ka zbuluar disa detaje nga jeta e saj në një intervistë për CNN. Dua Lipa, e cila mban shtetësinë britanike është shprehur se dalja e Anglisë nga Bashkimi Europian është një ide e keqe. Ylli i POP-it ka treguar edhe vështirësitë që ka hasur familja e saj në fillimet e emigrimit.
Këngëtarja shqiptare Dua Lipa gjatë intervistës për CNN
Redaksia21 Nëntor 2018, 17:31 | Përditesimi: 21 Nëntor 2018, 17:36
Ylli shqiptar e cila ka arritur të jetë një nga emrat më të kërkuar në botë, ka zbuluar disa detaje nga jeta e saj që nuk i dinim më parë. Në një intervistë për televizionin e njohur amerikan CNN, përveç detajeve nga karriera e saj Dua Lipa foli dhe për refugjatët dhe Brexit.
Këngëtarja me origjinë shqiptare dhe me nënështetësi britanike tregoi se Brexit - dalja e Britanisë nga Evropa është një ide e keqe. “Janë njerëzit ata që do t’i vuajnë pasojat dhe ndoshta shumë do të largohen, por çfarëdo që të ndodhë, dua të them që do ta gjejmë një rrugëzgjidhje. Më të mirën e mundshme për të gjithë,”- u shpreh Dua.
Gjithashtu ajo foli edhe për kohën kur iu desh të largohej nga Kosova, së bashku me familjen dhe mbërritën si refugjatë në Angli. Dua tregoi se gjithashtu ka qenë një refugjate dhe familja e saj në atë kohë ka përjetuar shumë vështirësi.
“Askush nuk e lë vendlindjen me dëshirë, është e vështirë sidomos për refugjatët në rrugën që do të marrin, por unë kam qenë me fat që kam ardhur në Londër dhe kam realizuar ëndërrën time,”- u shpreh këngëtarja shqiptare.
Sigurisht që ylli i “New rules” nuk mund të mos fliste për Kosovën. Në fund të intervistës gazetarja e CNN e ka pyetur Lipën se cilin qytet do të zgjidhte mes Prishtinës dhe Londrës dhe përgjigjia e këngëtares ishte më se e sinqertë.
“Prishtinën, e kam shumë për zemër Londrën, por vendi ku unë ndihem vetvetja është Prishtina,”- përfundoi Dua.