Lulja Gojë-Ujku dhe ngjyrat e larmishme të saj zbukurojnë oborre e lulishte të shumta në vendin tonë. Kjo lule rritet gjërësisht në zonat shkëmbore të Evropës. Në vendin tonë ajo njihet si gojë-ujk ndërsa në vendet e tjera njihet si lule dragoi, lule-luani, ose lule gojë-qeni, për shkak të formës së petaleve të kësaj luleje të veçantë me emrin botanik Antirrhinums.
Në fakt, ishin Romakët e lashtë ata që e shpërndanë këtë lule në mbarë Evropën dhe në të gjithë perandorinë. Ata i dhanë lules emrin ‘leonis ora’ që përkthehet ‘goja e luanit.’ Simbolika e kësaj luleje është forca por edhe dinakëria.
Përdorimet Botanike të Lules
Lule gojë-ujku nuk vlerësohet vetëm për bukurinë dhe ngjyrat e saj. Farat e kësaj luleje prodhojnë një vaj botanik që përdoret kundër enjtjeve në trup. Gjethet dhe petalet e kësaj luleje përdoren edhe në mjekësinë popullore. Ato thahen dhe përdoren në pomada të fuqishme kundër inflamacionit.
Vlerat shëndetësore të lule gojë-ujkut
Parandalon infeksionet e lëkurës
Për shumë vite, kjo lule është përdorur në disa pomada të mira për shërimin e plagëve. Gjethet dhe petalet e lules kanë aftësi shtrënguese të poreve dhe luftojnë inflamacionin në zonën e lënduar të lëkurës. Në pikat e shitjes së bimëve medicinale mund të gjeni solucione të përgatitura me lule gojë-ujku.
Kundër të djegurave
Kjo lule përdoret edhe kundër të djegurave në lëkurë. Aplikimi i pomadës në zonën e lëkurës që ka pësuar të djegura, ofron qetësim nga dhimbjet. Kjo është arsyeja përse lule gojë ujku rekomandohet edhe kundër të djegurës nga dielli.
Pastrimi i gjakut
Lule gojë ujku përdoret për largimin e toksinave dhe helmeve nga gjaku dhe për uljen e tensionit të gjakut. Me lulet dhe gjethet e thara të lule gojë-ujkut mund të bëni një çaj si të gjithë çajrat e tjerë bimorë.
Kundër infeksioneve urinare
Bima në fjalë përdoret edhe në trajtimin e infeksioneve urinare. Përdoreni çajin e lule gojë-ujkut pas konsultimit me mjekun tuaj.
Për uljen e temperaturës
Një përdorim tjetër i kësaj luleje është ai i uljes së temperaturës së trupit. Çaji dhe lëngjet me bazë luleje gojë-ujku rekomandohen për uljen e temperaturës./ Agroweb