TIRANË -Përveç forcave të policisë dhe të ushtrisë në terren, për të monitoruar nëse qytetarët shqiptarë po e respektojnë karantinën dhe fashat orare që lejohen për të dalë, mbi kokat e tyre do të jetë edhe droni!
50 dronë inteligjentë janë ngritur në fluturim për të identifikuar shkelësit e karantinës në të gjithë vendin. Përkrah patrullave të policisë e ushtrisë dronët do të jenë në fluturim në 24 orë për të monitoruar lagje e rrugica, aty ku qytetarët, duke mos parë patrulla policie shkelin karantinën. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i cili prezantoi dronet inteligjentë, u bëri apel qytetarëve të respektojnë rregullat pasi fasha orare është zgjatur vetëm për ata që vërtet kanë emergjencë dalje dhe jo për të gjithë.
Ndërkohë që edhe ku ka situata si grumbullime, droni me një audio do t'i bëjë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të respektojnë rregullat e distancimit social.
Droni lëvizës ka kamera përmes së cilës ka aftësi të identifikojnë personin që kryen shkeljen, pasi është i lidhur online me serverët e policisë, targës së automjetit e pronarit të saj si dhe ka aftësi për të filmuar e identifikuar edhe përgjatë natës.
Droni po ashtu është i pajisur me një altoparlant për t'i bërë thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat.
"Për policinë zgjerimi i fashës orare do të thotë më shumë punë, më shumë angazhim. Zgjerimi i fashës orare do të thotë për policinë më shumë kontroll. Edhe qytetarët duhet ta kuptojnë se thjesht krijohet më shumë mundësi për ata që duhet të shkojnë në punë, dhe për ata që duhet të shkojnë për të blerë. Përndryshe gjithë të tjerët që gjenden jashtë këtyre kushteve do të ndëshkohen. Në funksion të rritjes së kontrollit janë marrë edhe një sasi e caktuar dronësh inteligjentë, që mundësojnë identifikim dhe ndjekje të personave që thyejnë karantinën. Ftoj qytetarët për bashkëpunim sic kanë bërë deri më tani, dhe për mirëkuptim dhe moskeqkuptim të fashës orare që synim mosgrumbullimin. Sot kemi pasur kontrolle të forta në tregje", tha ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj.
Edhe më herët, policia e Shtetit i ka përdorur dronët, në akse rrugore që kanë pasur problematika të qarkullimit në rrugë.
Përdorimi i dronëve tashmë do të jetë dhe më i domosdoshëm gjatë fundjavës, ku "shtetrrethim" total u zgjat nga ora 17:30 e së premtes deri në 05:00 të mëngjesit të së hënës, ku nuk do të jetë asgjë hapur dhe nuk do lejohet qarkullimi.
Policia e Shtetit ka nisur nga e hëna operimin në terren me drone për identifikimin e personave që thyejnë karantinën apo orarin e shkeljes së ndalim qarkullimit. Punonjëes policie janë trajnuar për t’i përdorur këto drone në zonat urbane. Dronet kanë aftësi të identifikojnë në distancë, tarraca apo rrugica, qytetarë që tentojnë t’u shmangen patrullave policore. Pas kësaj, ndërhyjnë agjentët për të ndaluar shkelësit. Dronet kanë aftësi të transmetojnë online komunikimin e agjentit të Policisë tek shkelësi. Gjithashtu, mund të përdoren në kushte errësire, pasi kanë ndriçues, madje edhe kamera termike.