Presidenti Joe Biden shprehu të martën besimin se mund ta mposht ish-presidentin Donald Trump në zgjedhjet e ardhshme që priten të mbahen në vitin 2024, dhe në rast se ata përfundimisht do të jenë kandidaturat zyrtare. Presidenti dhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë vazhdimisht se Biden synon të kandidojë përsëri në vitin 2024, por nuk kanë thënë përfundimisht se ai do të kërkojë rizgjedhjen.
"A është një nga llogaritjet që ju mendoni se jeni i vetmi që mund ta mposhtni Donald Trump?”, u pyet Biden.
"Unë besoj se mund ta mposht përsëri Donald Trump," u përgjigj Biden.
Biden në të kaluarën ka treguar se do të mirëpriste një revansh me Trump, të cilin e mundi në zgjedhjet e 2020. Presidenti u tha gazetarëve në një samit të NATO-s në mars se do të ishte "shumë me fat" të kandidojë sërish kundër Trump.
Zgjedhjet e vitit 2020-ës ishin ndër më të kontestuarat në SHBA. Të dy kandidatët morën një numër rekord votash, por në fund Biden doli fitimtar. Trump akuzoi për manipulim të votës me postë, që u masivizua për shkak të pandemisë së koronavirusit. Retorika e tij, sidomos në një fjalim ditën e zyrtarizimit të Biden, u pasua me një protestë të dhunshme më 6 janar 2021, ku mbështetës të Trump u futën brenda godinës së Kongresit amerikan.