Joni Shanaj: Kastro Ziso
dhe Olta Gixhari në filmin tim

Joni Shanaj: Kastro Ziso <br />dhe Olta Gixhari në filmin tim
TIRANE- Ndonëse "Pharmakon" është një film tërësisht shqiptar, ai ka përmbledhur mesazhe nga vende të ndryshme të botës. Joni Shanaj, skenaristi dhe regjisori i këtij filmi ka guxuar të shfaqet me debutimin e tij të parë në një film me metrazh të plotë. Ai ka ftuar në role disa nga emrat më të njohur në botën e artit. Klevis Bega, i njohur si Kastro Zizo, ka portretizuar personazhin kryesor të filmit, Brankon. Ai interpreton marrëdhënien e Brankos me babanë e tij Dr. "Pharmakon", ku kërkon të na tregojë sesi egoja e babait, dëshira dhe uria e tij për pushtet në thelb godasin të birin. Partnerja e tij Sonja portretizohet nga Olta Gixhari. Shanaj pohon se "Olta Gixhari vjen në këtë film në një rol të plotë dhe të vështirë", duke shtuar se për realizimin e këtij filmi ka pasur mjaft bashkëpunime me artistë dhe vende të ndryshme të botës. Janë dy drejtorë fotografie, Ji-Hvvan Park nga Seul, Koreja e Jugut, dhe Ram Shani nga Tel Aviv, Israel. Ndër të tjera ai thotë se "muzika e filmit është kompozuar nga Anton Lennartsson, një kompozitor i ri dhe i talentuar suedez." Deri në finalen e filmit u bë një rrugë e gjatë. Artistët kanë shkuar në një nga studiot prestigjioze Focus Fox Studio LTD, në Budapest të Hungarisë për të bërë Post-Produksionin në figurë dhe në kolonë zanore. "Pharmakon" rrëfen për një djalë të ri, Brankon dhe udhëtimin e tij drejt rritjes e pjekurisë në një botë të korruptuar e të molepsur. "Branko personifikon një ndjesi pafuqishmërie dhe dorëzimi kundrejt korrupsionit në të cilën shoqëria ndodhet sot, ndoshta jo vetëm rinia shqiptare", pohon regjisori Shanaj duke shtuar se për këtë rol ka përzgjedhur Kastro Zison.

Personazhet në filmin "Pharmakon" jetojnë në një rrethanë ku secili bën një jetë të dyfishtë, ndaj filmi mbart shumë rrethana psikologjike. Rrethana e zbrazët i vendos këta personazhe përballë një krize të vazhdueshme besimi. Në pamundësi dhe paaftësi për të ndryshuar rrethanën, nga njëra anë, dhe luftës për integrim social e mbijetesë, nga ana tjetër, personazhet riskojnë të ecin drejt shkatërrimit të plotë emocional, mendor, shpirtëror e fizik të njëri-tjetrit. Përtej një historie të palumtur dashurie, "Pharmakon" flet për një luftë të hapur, por të heshtur, mes dy botëve.

Një bote të dorëzuar e të molepsur të një sistemi cinik patriarkal, ngritur mbi uri për pushtet, korrupsion dhe mashtrim, dhe në anën tjetër, një bote ëndrrash, pafajësie, pamundësie për të ndryshuar, dhe vartësie ekonomike. Fabula e filmit përqendrohet në marrëdhënien e një djali dhe një vajze, Brankos (Kastro Ziso) dhe Sarës (Olta Gixhari) një studente mjekësie dhe infermiere në spitalin e Tiranës. Dashuria e të rinjve është një dashuri e pjesshme e mbushur me xhelozi dhe dyshim. Shkurtimisht, filmi flet për një gjeneratë të re e cila e ka të pamundur të dalë nga shtypja dhe tutela e një shoqërie të shkatërruar. "Dua të theksoj se Pharmakon, është një film për brezin tim. Ngjarjet zhvillohen në Tiranë dhe ky është një film per ne", thotë Joni Shanaj, biri i dy artistëve të njohur Natasha e Mevlan Shanaj. "Pharmakon" kërkon të ngrejë disa pikëpyetje në lidhje me situatën veçanërisht të shtresave të mesme dhe të larta dhe te ardhmen e tyre.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza