Jorgji Gjinari, sfida për njohjen
e dialekteve në vitet ‘50"

Jorgji Gjinari, sfida për njohjen<br />e dialekteve në vitet ‘50
TIRANE- Po të merret si kriter për ekzistencën e një shkence fillimi i kërkimit të organizuar të objektit të vet, atëherë gjuhësia shqiptare nuk i ka mbushur ende shtatëdhjetë vjet. Komisia Letrare e Shkodrës, e cila u mor me çështjet e ortografisë, me hartim tekstesh shkollore, me këshillime gjuhësore, me punë përkthimi e me hartimin e termave për nevojat e administratës shqiptare në zonën austriake të pushtimit, jetoi vetëm dy vjet. Mjerisht, shteti shqiptar i paraluftës nuk arriti ta ringrinte Komisinë; edhe përpjekjet që u bënë në vitet e pushtimit fashist për ngritjen e një Instituti të Studimeve Shqiptare, nuk patën sukses.

Vetëm pas Luftës së Dytë u krijuan kushtet për fillimin e kërkimit shkencor, me themelimin më 1947 të Institutit të Shkencave, në sektorin e gjuhësisë të të cilit u grumbulluan A. Xhuvani, K. Cipoja, E. Çabej, M. Domi etj., të gjithë të diplomuar në universitete me emër të kohës.

Në fazën e parë të jetës së Institutit, punonjësit e tij u morën përgjithësisht me tri detyra themelore: me hartimin e rregullave të drejtshkrimit, të një gramatike mbidialektore dhe të fjalorit të shqipes, si një përpjekje e parë për kodifikimin e normës drejtshkrimore, morfologjike e leksikore, që e patën marrë përsipër A. Xhuvani, E. Çabej, M. Domi e A. Kostallari etj. Por puna për hartimin e këtyre veprave tregoi se këto qëllime nuk mund të arriheshin pa një njohje të thellë të strukturës fonetike e gramatikore të të folmeve të shqipes dhe pa mbledhjen e leksikut popullor.

Pikërisht, përmbushja e kësaj detyre shënon fillimin e fazës së dytë të veprimtarisë së Institutit. Kjo detyrë iu ngarkua studiuesve të brezit të parë të të diplomuarve nga Universiteti i Tiranës, të cilët punuan nën udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e profesorëve të tyre. Këtij brezi studiuesish të rinj të viteve ’50 të shekullit të shkuar i përkasin Jorgji Gjinari, Mehmet Çeliku, Jani Thomai, Bahri Beci, Miço Samara etj.

Shumicës së këtyre të rinjve iu ngarkua si detyrë studimi i të folmeve të shqipes, punë që mund të bëhej vetëm me kërkime në terren, dmth. duke shkelur me këmbë trevat e të folmeve që duheshin studiuar, për të anketuar sipas një pyetësori të parapërgatitur folës të tyre. Ndër të parët që u morën me ketë punë qenë J. Gjinari, M. Çeliku e B. Beci.

Në punën për përshkrimin e të folmeve, dialektologët tanë punuan me një përkushtim të rrallë. Por përkushtimi nuk do të mjaftonte për arritjet në këtë fushë, në qoftë se në punën e tyre nuk do të mbështeteshin në një metodologji të rreptë të kërkimit shkencor. Dhe metodologjia e ndjekur prej tyre ngjan me atë të deskriptivizmit amerikan, ndonëse jemi të mendimit se në atë kohë gjuhëtarët tanë nuk e kanë pasur mundësinë të njiheshin me këtë drejtim gjuhësor.

Për deskriptivistët amerikanë analiza gjuhësore duhet të niste nga tingujt, sepse rrjedha tingullore e regjistruar përbënte për ta të vetmen të dhënë fizike objektive që mund të shërbente si pikënisje e sigurt për analizën gjuhësore. Pastaj, ky korpus të dhënash të regjistruara në terren duhet t’i nënshtrohej një analize me tri faza: segmentimi, ndarja e rrjedhës së ligjërimit në njësi tingullore bazë (fjali, morfe, fone); identifikimi i varianteve të zbuluara në secilin nivel, dmth. bashkimi i tyre në morfeve në morfema dhe i foneve në fonema; dhe klasifikimi i morfemave dhe i fonemave.

Edhe dialektologët tanë, pa i njohur deskriptivistët, në punën e tyre kërkimore-studimore u janë përmbajtur me rreptësi etapave të mësipërme të përshkrimit shkencor. Ata e mblodhën korpusin e folur në terren, duke i regjistruar në bllok të dhënat e dëgjuara me vesh ose në shirit magnetik e duke i verifikuar në vend faktet e mbledhura. Pastaj këtë korpus të dhënash ia nënshtronin analizës së hollësishme, duke bërë segmentimin e njësive, identifikimin e varianteve dhe klasifikimin e tyre.

Respektimi me rreptësi i këtyre procedurave të analizës gjuhësore ka siguruar saktësinë e fakteve dialektore të përshkruara dhe besueshmërinë e përfundimeve të nxjerra nga analiza e tyre, duke i bërë ato një pasuri të vyer në fondin e gjuhësisë shqiptare që po u lihet si trashëgim brezave të ardhshëm të gjuhëtarëve.

Një ndër emrat më të dëgjuar të dialektologjisë shqiptare është prof. dr. Jorgji Gjinari, me ndihmesa të spikatura në studimin e dialekteve të shqipes, por edhe në drejtimin dhe organizimin e punës në sektorin e dialektologjisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Prof. Gjinari e nisi punën pranë këtij Instituti në vitin 1956 dhe po atë vit përgatiti artikullin e parë “Një vështrim mbi të folmet e Oparit”, që u botua më 1957 në numrin e parë të Buletinit të Universitetit Shtetëror të Tiranës.

E kulmoi veprimtarinë e tij shkencore më 1989, me përfundimin e veprës madhore “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”, hartimin e të cilit e udhëhoqi nga fillimi e deri në fund.  Por edhe pas kësaj periudhe ai nuk ka reshtur së shkruari për probleme të ndryshme, sidomos për raportet e gjuhës letrare me dialektet, duke u rreshtuar me shkrimet e veta ndër mbrojtësit e gjuhës standarde.

Penës së tij i përkasin një numër i madh përshkrimesh të të folmeve të Shqipërisë Jugore dhe Veriore, artikuj për çështje të fonetikës së sotme e historike të dialekteve të shqipes, për historinë e lindjes dhe të zhvillimit të dialekteve të gjuhës sonë, për historinë e gjuhës sonë si dhe për çështje të gjuhës së sotme letrare etj. Ai është autor i tekstit universitar “Dialektologjia e gjuhës shqipes”, që përdoret qysh prej vitit 1963 e deri më sot; autor i monografisë “Dialektet e gjuhës shqipe” (1989), një vepër sintetizuese me vlerë të madhe për njohjen e situatës dialektore të gjuhës sonë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Por vepra më kryesore e tij si bashkautor dhe drejtues, është “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”, që e pa dritën e botimit në vitin 2007.

Ky atlas, “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980) dhe “Gramatika e gjuhës shqipe, 1, 2” (1976, 1996; 2002), mbeten tri vepra madhore kolektive të gjuhësisë shqiptare që shquhen për përshkrimin shkencor të leksikut, të gramatikës dhe të dialekteve të shqipes. Dhe një ndër bashkautorët e këtyre veprave është prof. dr. Jorgji Gjinari, në nderim të veprës së të cilit Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ku ai punoi për rreth 50 vjet, po mban në këtë 85-vjetor të lindjes së tij konferencën jubilare “Kontributi i Jorgji Gjinarit në studimet dialektologjike të shqipes”.
faksimile

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë