Për herë të parë kryeministri Edi Rama, të shtunën, bëri të ditur se kushdo që do të tentojë të pengojë apo dëmtojë procesin zgjedhor të 30 qershorit 2019, veç parashikimeve të Kodit Penal me burg për vepra të ndryshme penale në kapitullin e krimeve zgjedhore, do të humbasë përjetësisht të drejtën për të lëvizur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian.

Një ndëshkim ky që nuk është i parashikuar në Kodin aktual penal, por që kryeministri Edi Rama, siç  i kërkoi kandidatëve socialistë për kryebashkiakë që tua bëjnë të ditur çdo qytetari, u shprehi vendosur për zbatimin e këtij 'ndëshkimi'.

Edhe sot në konferencën që pati në Tiranë me Komisionerin e Bashkrimit Evropian për Migrim dhe Çështjet e Brendshme Dimitris Avramopoulos, u pyet nëse për këtë ndëshkim është konsultuar me ambasadat në Shqipëri. Rama shmangu përgjigjen nëse ka pasur dakordësi dhe konsultime të mëparshme me selitë diplomatike në vendin tonë, por u shpreh i vendosur se ky ndëshkim do të zbatohet ndaj kujto që mendon të cënojë procesin zgjedhor.

"Siç e dëgjuay edhe zonjën që moderon këtu (konferencën) jemi për t'ju përgjigjur pyetjeve me këtë temë (Frontex). Përsa i përket temave të tjera, kush do ta kërkojë atë përgijgje do ta marrë atë kur ta meritojë", - u përgjigj kryeministri.