Emigrantët/ FRONTEX blindon nesër kufirin, Rama: Jemi të besueshëm për BE-në

Duke nisur nga nesër i gjithë kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë do të monitorohet nga 50 oficerë të FRONTEX në një marrëveshje pa limit. Objektiv është kontrolli i fluksit të emigrantëve nga lindja dhe vendet e Afrikës Veriore që e përdorin Shqipërinë si trampolinë për të kaluar në vendet e BE-s, po ashtu edhe lufta ndaj krimit dhe trafikut të qenieve njerëzore. Në ceremoninë e zhvilluar paraditen e sotme te Pallati i Kongreseve kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria është një partner i besueshëm për BE-në.

Kreu i ekzekutivit shqiptar Edi Rama theksoi se "Unë besoj nga ana ime që ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm në kuadrin e afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë me BE, sepse e bën kontributore në sigurinë e kufijve të BE, dhe ka vlerë të veçantë për ne pasi siç e thashë më parë, garanton në disa nivele një ndërveprim të një cilësie të lartë për shkëmbim informacioni, analizën e riskut, për përballimin e përbashkët të një sfide komplekse, dhe rrit cilësinë e kapaciteteve tona në këtë fushë".

Komisioneri i BE-se për Migrim dhe Çështjet e Brendshme Dimitris Avramopoulos nga Tirana u shpreh se dëshiron që Shqipërinë ta shikoj në familjen europiane, ndërsa u ndal edhe te objektivat e misionit, por shtoi se FRONTEX nuk e cenon sovranitetin e vendit. "Situata në Ballkan mbetet stabël me nivele në ulje të ardhjeve, krahasuar me tre vite më parë. Lëvizja pa viza është një arritje madhore që sjell të mira për të gjithë dhe duhet ta ruajmë.

Skuadra e FRONTEX do të kryejnë kontrolle në kufi për të parandaluar kalime të paautorizuara dhe për të parandaluar krimin. Është një marrëveshje pa limit, nuk është se është pa kufij fare por do të ekzistojë përsa kohë të jetë e nevojshme. Një operacion i përbashkët përsa kohë të jetë në interes të Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Nuk ka afat kohor, ne në operacionet e përbashkëta bëjmë planifikimin e buxhetit vjetor, dhe në fillim të vitit tjetër ne bëjmë rivlerësimin. Synimi ynë është të kemi një bashkëpunim afatgjatë me Shqipërinë
".

Ministri i Brendshëm Sadër Lleshaj u shpreh se operacioni me FRONTEX do të forcojë sigurinë. Drejtori Ekzekutiv i Frontex-it Fabrice Leggeri shpjegoi si do të funksionojë misioni në Shqipëri. "Objektivi lidhet me një monitorim edhe më të mirë për sa i përket emigracionit te jashtëligjshëm, por edhe aktivitete të jashtëligjshme si trafiqe që zhvillohen në kufi. Ne do të nisim të kemi nga nesër ne terren 50 oficerë kufiri që vinë nga 12 vende anëtar të BE.

Do të kemi edhe makina dhe pajisje teknike patrullimi. Për të gjithë rajonin është e rëndësishme që të ketë operacione të përbashkëta. Ne jemi në kufijtë bregdetare dhe tokësorë, përmes 1200 rojeve bregdetare në të gjithë BE-në, kemi 25 mjete lundruese dhe një dyzinë avionësh dhe helikopterësh, por po caktojmë roje të BE-së për herë të parë jashtë një vendi të BE-së
" deklaroi ai. Kjo do të jetë hera e parë që Frontex do të kryejë një operacion në territorin e një vendi jo të BE-së.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:13
Rama: Shqiptarët, të dashuruar me BE-në, por nuk jemi naivë.... (VIDEO)


Në fund të fjalës së tij kryeministri Edi Rama u shpreh se shqiptarët janë të dashuruar me BE-në, por jo naivë në këtë dashuri të verbër për BE-në që sot kërcënohet nga verbëria ndaj historisë së BE-së. "Në mbyllje, të gjithë atyre që janë këtu sot të ardhur nga jashtë dua t’ju them se kanë ardhur në një vend që, sipas edhe anketës më të fundit të Komisionit Europian, 93% e njerëzve mbështesin integrimin në Bashkimit Europian. Është një shifër që me siguri nuk mund të gjendet në vendet tuaja për arsye nga më të ndryshmet, por nuk është një arsye për të buzëqeshur me çudi kur e dëgjoni, sepse ne nuk jemi naivë në këtë dashuri thuajse të verbër për Bashkimin Europian që sot kërcënohet nga verbëria ndaj historisë së Bashkimit Europian. Ne jemi thjesht dhe vetëm pjesë e një territori, që luftën nuk e ka parë thjesht në TV në arkivat bardhezi, apo përmes filmave të krijuar më pas për të, por e kemi pasur këtu. 500 mijë shqiptarë nga Kosova këtu i ka sjellë lufta, ashtu sikundër në të gjithë këtë rajon, viktima të panumërta ka bërë lufta në kohën kur në Bashkimin Europian lufta konsiderohej thjesht një çështje zgjidhur e së shkuarës falë Bashkimit Europian".

Ora 11:11
Emigrimi i shqiptarëve në BE dhe azili, Rama: Shifra të papërfillshme

Rama është shprehur se numri i shqiptarëve të paligjshëm në vendet e BE-së ka rënë me 27% sipas raportit të fundit të institucioneve të Brukselit, po ashtu edhe azilkërkuesit me 32%. Kreu i qeverisë theksoi se falë bashkëpunimit të disa vendeve partnere që u përballën me këtë problem emigrimi është minimizuar në shifra të papërfillshme. 'Jemi të gjithë krenarë, ashtu sikundër jemi të gjithë krenarë dhe për një faqe tjetër të shkruar po në historinë tonë të më shumë viteve më parë, kur Shqipëria u bë i vetmi vend në Europë me më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore, sesa para luftës, u bë vendi ku, gjatë luftës hebrenjtë migronin për t’u strehuar në Shqipëri, sepse, për arsye se s’është ky vendi për t’i shtjelluar, Shqipëria u bë streha nga ku asnjë hebre nuk humbi jetën dhe asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve.

Mirëpo, nga ana tjetër, thënë të gjitha këto, ne jemi shumë të vetëdijshëm për faktin se jetojmë në një kohë kur duhet të japim kontributin tonë modestisht në përmasën tonë të vogël kundër migrimit të paligjshëm në territorin e Bashkimit Europian dhe jemi shumë të vetëdijshëm që ky projekt është, sa një ndihmë shumë e madhe, aq edhe një sfidë prej ku vendi me siguri do të përfitojë edhe në aspektin e reputacionit në sytë e partnerëve tanë shumë të nderuar europianë.

Nga ana tjetër, na vjen mirë që emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian vazhdon të bjerë në mënyrë të ndjeshme dhe bazuar në raportin e vitit 2018 të Komisionit për Parlamentin Europian dhe Këshillin Europian, shkruhet se, në 2018-ën e kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme për në vendet e Bashkimit Europian 27% më pak shqiptarë sesa një vit më parë, ndërsa kërkesat për azil janë ulur me 32% në gjysmën e parë të 2018-ës, krahasuar me 2017-ën. Falë njëkohësisht, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit për këtë temë të disa vendeve partnere që u përballën me këtë problem dhe ndryshimit të legjislacionit në vendet e tyre, faktikisht, emigrimi i paligjshëm i shqiptarëve është minimizuar në shifra krejt të papërfillshme.

Nuk dua të zgjatem më tutje, por, pa dashur që t’ju marr kohë me gjëra që i dini fare mirë lidhur me kompleksitetin e menaxhimit të kufijve është e sigurt se vetëm bashkëpunimi dhe ndërveprimi mund ta bëjnë këtë sfidë komplekse gjithmonë e më të menaxhueshme. Me Kosovën, Shqipëria realizon një menaxhim të integruar të kufijve përmes pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe faktikisht në pikën e kalimit kufitar Morinë-Vërmicë, që prej hyrjes në fuqi të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy vendeve, është reduktuar me 50% koha e pritjes së qytetarëve dhe automjeteve, si dhe është lehtësuar ndjeshëm qarkullimi i mallrave në një proces që ne duam ta thellojmë dhe duam të shkojmë më tutje me lehtësimin e qarkullimit të mallrave dhe të qytetarëve, jo vetëm me Kosovën, por me të gjitha vendet e rajonit, duke qenë të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e ndërveprimit dhe për patjetërsueshmërinë e bashkëpunimit në menaxhimin e integruar të kufijve'.

Ora 11:06
Rama: Falë jush i tregojmë BE-së se jemi partnerë të besueshëm

Kryeministri i vendit, Edi Rama në ceremoninë e nisjes së punës së FRONTEX me Shqipërinë ka falenderuar Komisionerin e BE-se për Migrim dhe Çështjet e Brendshme Dimitris Avramopoulos.
Rama deklaroi se pa përkushtimin e Avramopoulos nuk do të ishte arritur kjo marrëveshje.

"Ndihemi vërtetë krena që bëhemi pjesë e një projekti  të rëndësishëm për Europën. Arsyeja tjetër është për faktin se jam këtu sot me një mik shumë të vjetër, që në disa role ka treguar me vepra një miqësi shumë të sinqertë ndaj Shqipërisë, Komisioneri e BE, Avramopoulos. Pa të edhe ky projekt zor se do të ishte imagjinuar dhe jo më realizuar. Do të doja ta falenderoj për praninë e tij dhe dedikimin ndaj një fushe që kur e mori detyrën mu duk sikur i kishin lënë një detyrë të minuar të BE. Por sot është bërë një progres i madh. Prania e të gjithëve ju në Tiranë për Patrullimin e kufijëve shqiptar nga FRONTEX është një tregues i mbështetjes së BE ndaj Shqipërisë. Në kuadë të vendit tonë si një vend kandidat për në BE dhe më pas pjesë  e BE. Falë jush ne do jemi në gjendje tju tregojmë miqëve të BE fakte dhe prova të pakundërshtueshme, për të qënë në këtë copëz të vogël të Europës një partner i besueshëm. Edhe pse në një përballje me migarcionin e paligjshëm dhe fluksin e emigracioneve. Shqipëria bëhet vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që bashkë me 50 trupa të agjencisë nga 11 vende anëtare përbën një arsye për të qënë të vetëdijshëm që të kemi sukses në këtë projekt. Ky bashkëpunim, Shqipëria kthehet në një kontributor edhe në luftën e krimit të organizuar pasi vendoset në një pozicion më të veçantë. Qoftë edhe në aspektin e përfitimit të drejtpërdrejtë.
Përfitimet janë disa, marrëveshja i hap rrugë për shkëmbime informacioni, analizës së rriskut dhe përballimit të flukseve migratore nga vende të treta. Shqipëria është përballur me një rritje të fluskeve të migracionit 6.7 herë më shumë në 2018 krahasuar me 2017 dhe 26.5 % më shumë janar prill krahasuar me një vit më parë. Ne nuk jemi një vend ku ata që vijnë shihen si rrezik apo problem për arsye të traditës. Por jo shumë larg në kohë ka strehuar gjysmë milioni refugjatë lufte, pa i kërkuar askujtë asgjë.
" ka deklaruar kryeministri Rama. 

Ora 10:52
Komisioneri Avramopoulos: Dua ta shoh Shqipërinë në BE (Objektivat e FRONTEX)

Komisioneri i BE-se për Migrim dhe Çështjet e Brendshme Dimitris Avramopoulos nga Tirana ku ishte i pranishëm në ceremoninë e nisjes së punës së FRONTEX u shpreh se dëshiron që Shqipërinë ta shikoj në familjen europiane, ndërsa u ndal edhe te objektivat e misionit. "Ky është operacioni i parë me një shtet jo anëtar i BE-së. Sot do të nisim dhe prezantojmë skuadrat e përbashkëta të rojeve. Kjo jo vetëm shënon një fazë të re mes BE-së dhe partnerëve të Ballkanit, por edhe një hap më tej drejt sfidave të sigurisë dhe emigracionit dhe ato që mund të përballim në vitet në vijim. Duhet të punojmë bashkë si fqinj dhe partner. Ajo që ndodh në Ballkan prek BE-në dhe anasjelltas. Siguria është në qendër të vëmendjes sonë për të bërë të sigurt migracion të rregullt na mundëson ne që të qëndrojmë një vend që ata në nevojë për mbrojtje të gjejnë strehë. Shqipëria është vendi i parë që BE po shkon përpara me këtë kapitull të ri.

Ky bashkëpunim është një burim krenarie si për Shqipërinë dhe BE-në dhe një hap i rëndësishëm që na bashkon. Situata në Ballkan mbetet stabël me nivele në ulje të ardhjeve, krahasuar me tre vite më parë. Marrëveshja do të na ndihmojë që zgjeron bashkëpunimin praktik dhe operacional, por edhe me pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor. Lëvizja pa viza është një arritje madhore që sjell të mira për të gjithë dhe duhet ta ruajmë. Skuadra e FRONTEX do të kryejnë kontrolle në kufi për të parandaluar kalime të paautorizuara dhe për të parandaluar krimin. Shqipëria mbetet përgjegjëse për ruajtjen e kufirit të saj, asnjë pikë dyshimi përsa i përket sovranitetit. Skuadrat mund të ushtrojnë detyrat nën instruksionin dhe praninë e autoriteteve shqiptare. Shpresoj që kjo marrëveshje të mbyllet edhe me vendet tjera të BE-së. Shpreh falenderimin për autoritetet shqiptare. Në pak ditë nga zgjedhjet europiane, nevoja për një familje europiane të bashkuar ka shumë rëndësi. Duhet të kemi marrëdhënie të forta me fqinjët mbështetur në ekuilibër në partneritet. Jam i lumtur që jam këtu për dy arsye, së pari shoh rezultatet dhe së dyti kam dashur gjithmonë ta shikoj Shqipërinë që të bëhet anëtare e familjes europiane
" tha ai.

Ora 10:43
FRONTEX në Shqipëri/ Lleshaj: Rojet nga 11 vende të BE-së do të patrullojnë kufirin

Ministri i Brendshëm Sadër Lleshaj u shpreh se operacioni me FRONTEX do të forcojë sigurinë në kufi për ndalimin e emigrantëve që synojnë të përdorin Shqipërinë si trampolinë për të kaluar në vendet e BE-së. "Fillimi i operacionit shënon një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në. Operacioni ka për qëllim rritjen e sigurisë së kufijve tanë. Cdo investim për më shumë siguri duhet të prodhojë më shumë liri. Angazhimi në fazën e parë të operacionit nga 11 vende të BE-së shpreh rëndësinë e madhe që i kushtohet atij. Rojet do të patrullojnë bashkë me shqiptarët për të arritur nivelin më të lartë. Personeli i shtuar, teknika moderne, standarde të reja në pikat e kalimit kufitar. Është shënuar edhe rritje e emigrantëve të parregullt që duan ta përdorin Shqipërinë si vend tranzit, në 2018 ky numër u rrit mbi 6 herë, edhe gjatë këtij viti fenomeni ka vijuar të mbetet prezent. Me FRONTEX besojmë se do të forcojmë kapacitetet në krimin ndërkufitar. Ministria e Brendshme dhe policia janë të angazhuar për suksesin e plotë të operacionit që nisim sot dhe të interesuara për zgjerimin e fushave të bashkëpunimit në luftën kundër krimit" deklaroi ai.

Ora 10:40
Drejtori i FRONTEX: Operacioni i parë i BE me një vend jo anëtar

Nisja e operacionit ndërkombëtar të Bashkimit Europian me Shqipërinë, për mbrojtjen e kufijve nga emigracioni i paligjshëm dhe terrorizmi i hap rrugën bashkëpunimit më të ngushtë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
 
Kështu u shpreh Fabrice Leggeri, drejtor ekzekutiv i FRONTEX gjatë fjalës së mbajtur sot në Pallatin e Koncerteve në Tiranë, nga ku theksoi edhe partneritetin e shkëlqyer me Shqipërinë. Ai vlerësoi mbështetjen e kryeministrit Rama dhe qeverisë shqiptare për nisjen e këtij operacioni me rëndësi ndërkombëtare.

“Dua të shpreh vlerësimin tim për mbështetjen tuaj që na lejoi hapjen dhe nisjen e operacionit të përbashkët kaq shpejt pas përmbylljes së marrëveshjes për bashkëpunim kufitar mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Kjo është marrëveshja e parë e llojit të vet me Bashkimin Europian, midis BE dhe një vendi fqinj që nuk është anëtar i BE-së, që është Shqipëria në këtë rast. Dua të theksoj ky operacionin  nuk do të ishte i mundur pa angazhimin dhe mbrojtjen e kufijve të Europës nga ana e Komisionit Europian dhe komisionerit Avromopolus”, – tha ai.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Toni: 21/05/2019 18:23

    Ik ore mashtrus Po te ishe i besueshem nga bashkimi evropjan , nuk eshte nevoja te sillen 50 gjandar aty , Po jeni te korroptum si politikan pa perjashtim se ciles part I perkisni

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kapshticë/ 5 ditët  e fundit, mbi 42 mijë hyrje dhe dalje në pikën e kalimit kufitar, shqiptarët kthehen në vendlindje për festat

Kapshticë/ 5 ditët e fundit, mbi 42 mijë hyrje dhe dalje në pikën e kalimit kufitar, shqiptarët kthehen në vendlindje për festat