Ju rrëfej trillimet e Tomi Matos
për tim atë, Mitrush Kutelin

Ju rrëfej trillimet e Tomi Matos<br />për tim atë, Mitrush Kutelin
TIRANE- 500 faqet të trilluara, cilat janë mashtrimet e Matos, që pretendon se çdo gjë e shkruar aty ka dalë nga goja e Kutelit.

Tomi Mato ka botuar 500 faqe trillime, duke pretenduar, siç thotë vetë, se çdo gjë e shkruar aty ka dalë nga goja e Kutelit. Tomi Maton nuk e njohim fare, pasi me të kemi filluar të përshëndetemi në vitet ’90, kur ai u shfaq në veprimtaritë e organizuara në kujtim të Kutelit. Të mos harrojmë se para viteve ’90 Matua nuk ishte ky “babaxhani” që shikojmë sot: drejtor e regjisor i Estradës së Pogradecit, ai ishte fodull e arrogant. Ai dhe Kuteli s’kishin asgjë që mund t’i afronte, ndaj nuk e kishin “gjetur” njëri-tjetrin, por mbase edhe e shmangnin. Sot T.Mato prezantohet si “mik i afërt” i Kutelit dhe thotë që familjarët e këtij nuk ia paskan kuptuar librin, i cili nuk qenka biografi, por memografi.

Por si e kanë kuptuar ata që e promovuan në Pogradec e Tetovë? Në shkrimin “Mitrush Kuteli, me monografi të plotë”, Z.Fero citon tek gazeta “Mokra” (janar 2013) Dh. Gegpriftin: Në libër jepen fakte, ngjarje, biseda të jashtë zakonshme., etj. Dhe ja si u kuptua ky libër në Universitetin Shtetëror të Tetovës: Doc.Dr. E.Shabani:“Të dhënat e këtij libri nuk janë thjesht një përshkrim letrar, por një grumbull rrëfenjash të mara nga vetë Kuteli...” Mr. sc. A.Farizi: “I pasur me mendime objektive, i filtruar nga të pavërtetat, i bindshëm në konstatime, i qartë në zbulimin e anëve të padukshme ajsbergiane të Kutelit… janë këto disa nga vlerësimet që dalin nga leximi i këtij libri...”,

Ja dhe K.Xoxa në një të përditshme shkruan: Një meritë e qenësishme e autorit, Tomi Mato, qëndron në paraqitjen morale të protagonistit të librit të tij. Dhimitër Pasko ishte një besimtar me bindje të thella...  Kryqin e Krishtit e mbante kurdoherë me vete...”. Të gjithë këta janè tè bindur se T.Mato është njohës i jetës dhe veprës së Kutelit dhe se ato që ka shkruar ia ka thënë vetë Kuteli, si miku-mikut. Pra ata do të përfytyrojnë se më 1967, viti kur ndërroi jetë, Kuteli shkonte e vinte nëpër Tiranë, me biçikletë! Shumë episode thuren e ndërthuren me biçikletën që Matua do ta ketè parë në disa foto. Në të vërtetë më 1967 Kuteli kishte të paktën 10 vite që nuk hipte më në biçikletë, se nuk ia lejonte zemra e tij e sëmurë.

Po ashtu ata do të besojnë se Kuteli studioi me paratë që i ati mori borxh dhe kjo i solli vështirësi të mëdha familjes, aq sa Babai i tij angazhoi personalitete të kohës, si Dhimitër Beratti e Viktor Eftimiu, t’i gjejnë punë të birit, për të larë borxhet. Në të vërtetë, ky studioi duke punuar, pastaj me bursë nga shteti rumun. Nga letërkëmbimi me Lasgushin, nga shkrimet autobiografike dhe nga veprimtaria letrare dhe shoqërore e Kutelit e pasqyruar në shtypin rumun të kohës, del se ato që shkruan Mato janë thjesht prodhim i fantazisë së tij.

T.Mato trillon një fletërrufe që i paskëshin vënë Kutelit më 1967, fut në valle V.Kokonën, Lasgushin e S.Spassen, trillon edhe nja katër punëtorë që debatonin aty. Sipas Matos, e akuzonin se “ka shkruar bejte për glyrën me rimë italiane”. Por ai ngatërrohet, se këto fjalë i ka shkruar vetë Kuteli në letrën e lamtumirës për të shoqen, në vitin 1966! Madje një nga punëtoret thotë se paskësh lexuar novelën “E madhe është gjëma e mëkatit” (më 1967!). Sipas Matos edhe Fan Noli e vlerësonte shumë këtë vepër. Por kjo novelë u botua së pari në vitin 1993 dhe s’mund ta kishte lexuar as Noli e jo më punëtori me emrin Beqir! Po marrëzitë pa fund të bisedave demek të Behar Shtyllës me Fan Nolin, ku ky i paska kërkuar përfaqësuesit të shtetit komunist shqiptar që Kuteli të dërgohej në SHBA për t’u kuruar për problemet kardiake! Apo letra e trilluar nga Matua që Noli i paskësh dërguar dorazi Kutelit ku i kërkonte të ndërhyjë pranë shtetit shqiptar që pas vdekjes eshtrat e tij të silleshin në Shqipëri! Me ç’duket, T. Mato është argëtuar shumë kur sajoi këtë libër, por  gënjeshtrat e tij mund të nxjerrin bishtra të gjatë vite më vonë...

Sepse dikur, ndonjë studiues mund të lexojë aty se Kuteli tregon që ka marrë pjesë në Kongresin e Përmetit dhe në Konferencën e Beratit, madje atje “e kanë detyruar edhe të fliste” dhe nga ana tjetër këtë s’do ta gjejë dot të pasqyruar në asnjë dokument. Atëherë ai mund të thotë se Partia e Punës zhduku dokumentet që dëshmonin pjesëmarrjen e Kutelit në Kongresin e Përmetit! Por Tomi trillon biseda edhe me Fadil Hoxhën dhe e ngjit Kutelin madje në tribunën e vizitës së Enver Hoxhës në Beograd, më 1946! A mos këto janë të vërtetat e pathëna që sjell Matua?

Apo është përpunimi i mbiemrit nga Pasko-Pasku në Paskulesku, apo bisedat që s’i doli e drejta e studimit vajzës së madhe... Pastaj dhe Lasgushi, i cili i qan hallin se e ka hequr këtë siklet me vajzat e tij (ato janë mbi pesë vjet më të vogla!) Tomi sajon një njohje të Kutelit me bashkëshorten në plazhin e Pogradecit, një turravrap mbleskash, një dasmë ku hedhin valle gratë e miqve shkrimtarë, ku motra dhe kunati mbushin e kthejnë kupkat e rakisë, një muaj mjalti në Sarandë, arrestimin menjëherë pas kësaj dhe vështirësinë e çiftit për të pasur fëmijë – të gjitha kinse të treguara nga Kuteli!

Në të vërtetë ata u njohën në një vizitë familjare, nuk bënë dasmë se motrës së Kutelit i kishte vdekur një djalë 18 vjeç, nuk kanë shkuar kurrë në Sarandë, arrestimi u bë pas një viti dhe fëmija i parë lindi një vit pas daljes nga burgu. Po kryqi, që sipas Matos Kuteli e mbante gjithnjë me vete, frazat, deklaratat e përbetimet fetare, keqinterpretimi i Poemit të Shëndaumit, që Matua e quan Poem për Shëndaumin, sajimi i një Kishe të Shën Gjergjit në Tiranë, e ç’të thuash më parë...

Në fund do shtoj dhe diçka: Tomi e ka lexuar Letrën e porosive të Kutelit dhe aty shkruhet që “Doruntina ka shkuar të luajë me vajzat e Bajramit” – fqinji me të cilin na ndante një mur. Kaq i ka mjaftuar Matos të sajojë një Bajram-komshi, provokator, hafije! Në të vërtetë, komshiu ynë, Bajrami, (i ndrittë shpirti!) ishte një njeri i ndershëm, ashtu si gjithë familja e tij, një familje fisnike kosovare, miqësinë prej tre brezash me të cilët e ruajmë edhe sot si një gjë shumë të shtrenjtë. Por duke kaluar nëpër filtrin e Tomi Matos ashtu si çdo gjë, edhe kjo ka marrë erën e ndyrë të laboratorit të tij që shtrembëron e përçudnon edhe sendet më të shenjta.

Mitrush Kuteli











































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Leonardo DiCaprio drejt martesës? E dashura e e tij fotografohet me një unazë diamanti në dorë

Leonardo DiCaprio drejt martesës? E dashura e e tij fotografohet me një unazë diamanti në dorë