Pas zbardhjes së vendimit të Kushtetueses, ja interpretimet e juristëve për kthimin e parave te profesionistët e lirë që kanë parapaguar tatimin pa qëllim

Pas zbardhjes së vendimit të Kushtetueses, ja interpretimet e juristëve për kthimin e parave te profesionistët e lirë që kanë parapaguar tatimin pa qëllim

Foto ilustruese

Me zbardhjen e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e pjesshëm të ligjit për tatimin mbi të ardhurat, duke mos aplikuar normën tatimore 15% për ofruesit e shërbimeve profesionale me të ardhura deri në 14 mln lekë në vit, ende mbetet e paqartë situate si do të veprohet me ata që kanë paguar.

Një pjesë e bizneseve kanë parapaguar këstin e detyrimit të llogaritur sipas deklarimit të ardhurave dhe shpenzimeve për vitin 2023.

Administrate tatimore edhe me zbardhjen e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese ende nuk e ka të qartë sesi do të veprojë, për këtë situatë, pasi pohon se nuk i përket asaj vendimmarrja.

Duke marrë në konsideratë zbardhjen e plotë të vendimit të Kushtetueses interpretimet e juristëve janë të ndryshme për mënyrën sesi do të veprohet për kthimin e një shume të paguar pa qëllim.

Ndërsa të gjithë njëzëri e konsiderojnë shumën e parapaguar një detyrim për t’u kthyer, me hyrjen në fuqi të vendimit të Kushtetueses.

Juristi Aigest Milo, njohës mjaft i mirë i çështjes gjyqësore për profesionet e lira, si përfaqësues ligjor i padisë së IKM dhe IEKA thotë se tashmë vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka forcën e ligjit, pasi neni që rregullonte tatimin për profesionet e lira u cilësua antikushtetues.

“Pra se si do të veprohet për kthimin mbrapsht të parave me ata tatimpagues që kanë parapaguar tatimin situatë është tepër e qartë ligjërisht për administratën tatimore.

Nëse ligji e njeh si tepricë kreditore, pasi nuk është e qartë nëse kjo njihet si tepricë kreditore, në ligjin “Për procedurat tatimore” përcaktohet se nëpërmjet një kërkese nga tatimpaguesi për detyrimet tatimore të paguara më tepër ose i rimbursohen në rastet kur ai është i vetëpunësuar dhe nuk ka detyrime të tjera të paguajë ose i njihen si detyrime të paguara për detyrime të tjera. Nxjerrja e një udhëzimi nga ministri i Financave vetëm sa do të përshpejtonte procedurën për kthimin e detyrimit të paguar, pra nuk është tërësisht i domosdoshëm”, pohon ai.

Avokat Lulzim Alushaj njëkohësisht nismëtar i padisë masive të nënshkruar nga 400 kontabilistë të depozituara në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” tha se parapagimet e profesioneve të lira nuk mund të njihen si të ardhura në buxhet, pas vendimit të Kushtetueses për shfuqizimin e nenit 69.

Alushaj thotë se ky detyrim duhet t’u kthehet mbrapsht subjekteve në formën e rimbursimit apo t’u njihet si shumë e paguar për detyrime të tjera.

“Por kjo procedurë duhet të përcaktohet me një akt të veçantë nga drejtori i përgjithshëm i tatimeve, institucioni që ka mbledhur këtë të ardhur e cila nuk mund t’i shkojë buxhetit, pasi është mbledhur pa qëllim dhe duhet t’u kthehet mbrapsht tatimpaguesve, ose me akt të ministrit të Financave. Tatimpaguesit duke qenë se nuk janë objekt i tatimfitimit nuk mund të dorëzojnë kërkesë për rimbursim apo për ta kaluar shumën e paguar për llogari të detyrimeve të tjera. Pra detyrimi i parapaguar nuk njihet si tepricë kreditore, duke qenë se këto subjekte nuk paguajnë tatimfitim”, nënvizon avokat Alushaj.

Për disa nga juristët dhe kontabilistët këstet e parapaguara do të dalin si tepricë kreditore më 31 mars 2025, periudhë në të cilën dorëzohet deklarata e të ardhurave dhe shpenzimeve, ndërsa tatimi do të jetë zero.

Juristi Saimir Laçej shpjegon se legjislacioni njeh vetëm tepricën kreditore, ndërsa mënyrën sesi duhet të veprohet për marrjen mbrapsht të parave të parapaguara, si nëpërmjet rimbursimit të tatimit apo njohjen e tyre për pagim të detyrimeve të tjera, është e domosdoshme të hartohet një udhëzim apo VKM.

Edhe Audituesi Julian Saraçi më herët e cilësoi situatë atipike ligjore dhe ende nuk mund të arrihet në përfundim se si do të veprohet, por alternativat ligjore për kthimin e pagesave janë disa.

Sipas tij, Ministria e Financave dhe Ekonomisë në përputhje me nenin 75 të ligjit nr.9920 “Për procedurat tatimore” mund të nxjerrë Udhëzim për kthimin e tatimeve të paguara.

Çfarë parashikon ligji “Për procedurat tatimore” për tatimin e paguar më tepër?

Neni 75 Detyrimet tatimore të paguara më tepër

1-Kur shuma e detyrimit tatimor të paguar është më e madhe se shuma e tatimit të vlerësuar në njoftimin për vlerësimin tatimor, administrata tatimore e kalon shumën e paguar më tepër për llogari të detyrimeve të tjera tatimore, të papaguara nga tatimpaguesi. Pas kësaj, me miratimin, me shkrim, të tatimpaguesit, shuma e mbetur, nëse ka: a) rimbursohet automatikisht, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e derdhjes së shumës së paguar më tepër; b) kalohet për llogari të detyrimeve tatimore të ardhshme të tatimpaguesit.

2-Veprimet për shumat e paguara më tepër për detyrimet tatimore regjistrohen në dosjen e tatimpaguesit. 3. Kompensimi nga teprica kreditore i detyrimeve tatimore brenda çdo tatimi, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, kryhet automatikisht nga sistemi informatik. (Ndryshuar me Ligj 97/2018, datë 03.12.2018. Botuar në Fletoren Zyrtare nr.187, datë 28.12.2018)

3-Në raste të veçanta, shumat e tatimeve dhe të taksave për t’u paguar apo të paguara më tepër në administratën tatimore ose administratën doganore mund të kompensohen përkundrejt njëra-tjetrës. Ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim rastet e veçanta, procedurat dhe kriteret për zbatimin e kësaj pike. (Shtuar me Ligj Nr. 83/2019. Botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 184, datë 31.12.2019)./Monitor

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë