Rrëshqitja masive në rrugën Librazhd–Pogradec ka prekur jo vetëm aksin ekzistues, por edhe segmentin e ri të Korridori VIII. Siç shihet në pamje, mjetet e rënda të kompanisë kontraktuese ANK po punojnë pa ndërprerje për të larguar tonelata me dhera në zonën ku sapo ishte ndërtuar platforma e Korridorit 8.
Paralelisht, grupe inxhinierësh dhe gjeologësh ndodhen në terren, duke kryer matje dhe verifikime. Ata po kryejnë shpime për të analizuar shtresat e nëntokës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar thekson se, “pas përfundimit të studimit gjeologjik, do të kryhet ripunimi i projektit të zbatimit për aksin e ri rrugor Elbasan–Librazhd–Qafë Thanë”, pjesë e Korridorit VIII.
Të pyetur se pse nuk ishte kryer ky studim gjatë projektit, zyrtarë të ARRSH-së thanë se shembja ka ndodhur jashtë gjurmës, por lëvizja e masivit ka prekur edhe trupin e rrugës në ndërtim. Kjo situatë e bën të detyrueshëm një studim të thelluar, i cili mund të diktojë jo vetëm mënyrën e riparimit, por edhe ndryshimin e projektit.
Pra, nëse Shërbimi Gjeologjik Shqiptar konstaton se terreni paraqet rrezik, opsioni i vetëm mbetet ndryshimi i gjurmës së rrugës së re, vetëm në këtë segment të dëmtuar. Një vendim i tillë do të sjellë rritje të kostos, por ekspertët theksojnë se siguria dhe qëndrueshmëria e investimit mbeten prioritet.

Traseja e dëmtuar e aksit të Korridorit VIII
Theksojmë se, si pasojë e shembjes në Librazhd, që për autoritetet është vetëm fenomen natyror, Juglindja e vendit ka mbetur në izolim prej afro një jave. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, po punohet për heqjen e masave të dherave në të dy anët e rrugës, në mënyrë që të hapet terreni për vendosjen e sondave të studimit të thelluar gjeologjik.
Ndërkohë, është ndërhyrë edhe në sistemimin e rrjedhës së Lumi Shkumbin, i cili po orientohet në krahun e majtë për të krijuar hapësirën e nevojshme për një rrugë alternative përgjatë linjës hekurudhore. Ende nuk ka një afat se kur do të hapet rruga alternative.
Shembja e rrugës Librazhd-Prrenjas ka vështirësuar qarkullimin e qytetarëve. Pavarësisht qëllimit për të cilin u duhet të lëvizin, vështirësia është emëruesi i përbashkët.
“Jam mësues, punoj mësues. Kam ardhur përditë në punë. Është pak e vështirë”, thotë një mësues.
Një nxënëse i është rikthyer shkollës pas një jave.
“Dje ishte dita e parë që shkova në shkollë për këtë javë. Nuk kisha nga kaloja. Banoj në Spathar, Gurëkuqe, por është shumë e vështirë”, thotë nxënësja.
“Mjerë ne të varfrit! Për moshën time është e vështirë, por ç’të bëjë xhaxhi? Më doli si kur shkoja në mal në Greqi në këmbë, por këtu në Shqipëri. Jam nga Prrenjasi, po vij nga Librazhdi se kisha vëllanë shtruar në spital, ika e pashë”, thotë një i moshuar që ka udhëtuar 4 orë.
Edhe një tjetër qytetar nuk e fsheh frustrimin.
“Vuajnë njerëzit e shkretë, kanë halle, kanë për të shkuar në spitale. Jam nga Xhyra. Duhet t’i biesh nga Dardha e këtej, 4 orë. Kjo rrugë ka vite që s’ka luajtur. E gërmuan lumin, i morën të gjitha inertet dhe iku i gjithë vendi. Vuajnë njerëzit e shkretë, këta s’duan t’ia dinë fare”, thotë ai.
Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli tha se në pjesën e shembur të segmentit Librazhd-Pogradec janë 9 eskavatorë prezentë dhe 22 kamionë, ndërsa shtoi se ka përfunduar devijimi i shtratit të lumit Shkumbin që godiste hekurudhën. Kozeli shtoi se projekti për ndërtimin e rrugës alternative me gjatësi të parashikuar rreth 1.3 kilometra, pritet të shpallet pas 2 apo 3 ditëve, kur do të bëhet dhe dorëzimi pranë ARRSH-së nga projektuesit.
"9 eskavatorë prezentë, 22 kamionë, gjatë mbrëmjes ka përfunduar devijimi i trupit lumor që godiste hekurudhën, ka përfunduar dëmtimi i shtyllës elektrike. Projekti ka nisur sepse pjesë e masave për fillimin e tij është edhe devijimi i trupit lumor",- tha Kozeli.
Komente













Merni shembull nga Kosova që ndërton rrugë me standarde...
Përgjigju