Në fundjavë Julian Alvarez u fërshëllye nga tifozët e Atletico Madridit, paçka se trajneri Diego Simeone vendosi ta hidhte në fushë gjatë pjesës së dytë. Madje ai nuk u lejua të bashkohej me ekipin gjatë përshëndetjes me tifozët në fundin e ndeshjes, pasi ultrasit janë të nxehur me argjentinasin që kërkon largimin nga Atletico Madridi, me destinacion Barcelonën.
Sot, për të dytën ditë radhazi Alvarez refuzoi të dalë në stërvitje me klubin duke u justifikuar për dhimbje stomaku. Vetë Atletico Madridi ka konfirmuar mungesën, duke dalë në një deklaratë për shtyp që 'vendos pikat mbi i'. Sipas 'Los Colchonereos', ata nuk do të futen kurrë në negociata me Barçën për futbollistin që ka kontratë me ta deri në verën e vitit 2030.
"Nuk do ta shesim Julian Alvarez te Barcelona. Mbështetje unanime nga Bordi Drejtues për strategjinë e klubit. Anëtarët e Bordit Drejtues të Atletico Madridit kanë shprehur unanimisht mbështetjen e tyre të plotë për vendimin e klubit për të mos negociuar transferimin e Julian Alvarez te FC Barcelona.
Anëtarët e Bordit Drejtues janë të vetëdijshëm se: Atletico Madrid është i hapur për negociata që lidhen me tregun e transferimeve, por gjithmonë në mënyrë etike dhe profesionale, duke respektuar klubet e tjera.
Ne e mbështesim plotësisht qëndrimin e komunikuar më parë nga klubi, sipas të cilit FC Barcelona nuk i ka përmbushur këto kërkesa. Për këtë arsye, nuk ka pasur negociata dhe nuk do të ketë asnjë negociatë me Barcelonën për Alvarez.
Jemi të bindur se lojtari ynë do ta kuptojë këtë vendim dhe më pas do të përqendrohet te puna në mënyrën më të mirë të mundshme për ta ndihmuar klubin të arrijë objektivat e tij, ashtu siç ka bërë gjatë dy sezoneve në të cilat ka mbrojtur ngjyrat e Atletico Madridit", bën me dije klubi i La Ligas, duke lënë të kuptohet se Barcelona po bënte një punë të 'nëndheshme' për të bindur sulmuesin.





Komente
Komento