Kombëtarja shqiptare e futbollit ka një detyrë shumë të vështirë për të marrë një biletë drejt fazës finale të Kupës së Botës 2026. Më 26 mars kuqezinjtë luajnë në Varshavë kundër Polonisë për fazën play-off në ndeshjen teke, ndërsa nëse kalojnë polakët, tanët do përballen në finalen play-off me fituesin e çiftit Ukrainë - Suedi.
Për të folur për ndeshjen e parë, atë kundër Polonisë, mesfushori i Kombëtares kuqezi, Juljan Shehu ishte i ftuar në podcastin 'Meczyki'. Shehu, i cili luan në Poloni me Widzew Lodz prej disa sezonesh, është njohësi më i mirë i rivalëve. Për medien polake 27-vjeçari tha se do jenë detajet që do vendosin këtë duel.
“Mendoj se do të vendoset nga detajet. Është një ndeshje e vështirë, pavarësisht se Polonia ka avantazhin që luan përballë tifozëve të saj. Kombëtarja shqiptare ka luajtur 3 herë në 2 vitet e fundit me Poloninë dhe e njohim mirë njëri-tjetrin. Polonia ka një skuadër shumë të fortë", tha ai fillimisht.
I pyetur nëse pika më e fortë e kuqezinjve të Sylvinhos është mesfusha, 27-vjeçari nuk mendon kështu. Gazetari e ngacmoi edhe për 'stilin italian' të lojës.
“Ne nuk kemi vetëm futbollistë të mirë në mesfushë, por në të gjitha repartet. Filozofia jonë është pak a shumë si Italia, duke qenë se shumë lojtarë luajnë aty dhe Sylvinho ka punuar me Mancinin. Sa i përket rolit tim, është ndryshe në Kombëtare dhe në klub. Trajneri më kërkon më shumë detyra mbrojtëse. Le të themi se kemi një stil italian”, vijoi ai.
Në fund nuk munguan batutat mes tij dhe gazetarëve në studio, që nuk i uruan fat mesfushorit kuqezi.
“Ti mos më uro fat, por unë i uroj fat vetes time dhe kombëtares shqiptare”, tha Shehu mes batutave.
Ndërkohë, Goal.pl shkruan se Shehun gjatë afatit kalimtar të janarit e kërkuan disa ekipe, dy në Spanjë, një në Itali (Serie B) dhe një klub nga Arabia Saudite, por për momentin mesfushori vendosi të luajë në Poloni ku ka kontratë deri në verën e vitin 2028.
Shehu ka qenë lojtar i Widzew që nga korriku i vitit 2022. Deri më sot, ai është shfaqur në 88 ndeshje, duke shënuar nëntë gola dhe duke dhënë shtatë asiste.
Komente











