Ernest Çela, fqinji dhe njëkohësisht bashkëatdhtetar i familjes Kola që ndërruan jetë mbrëmjen e djeshme pasi u helmuan nga gazi në banesë ka thënë për mediat italiane se kur hyri në banesën e tyre së bashku me oficerët e policisë dhe vëllain e kryefamiljarit Artan Kola, i gjetën katër viktimat të shtrirë në tokë.

“Mbrëmjen rreth orës 21:30 erdhi patrulla e karabinierëve bashkë me xhaxhain e djalit që ka ndërruar jetë. Menjëherë hymë në banesë dhe u ngjitëm në katin e dytë, ku pashë katër trupat të shtrirë pa ndjenja në tokë. Në atë moment shkova menjëherë të kontrolloja nëse kishin akoma puls dhe deri në atë moment kishin ende rrahje zemre”, tregon Ernest Çela.

Më tej ai tregon se pak çaste më vonë vëllai i viktimës, humbi ndjenjat, teksa pohon se edhe ai vetë filloi që t'i merreshin mendtë.

“Pastaj, në një moment, xhaxhai i djalit - ai që tani është i shtruar në spitalin e Cisanellos në gjendje të rëndë - humbi ndjenjat. Më pas edhe mua filluan të merreshin mendtë. Më pas bashkë me babanë tim dhe dy karabinierët kuptuam se në ajër kishte diçka, një gaz ose diçka e ngjashme.

Kështu që dolëm të gjithë menjëherë jashtë nga banesa. Pasi dolëm, e kuptuam që në ambient kishte monoksid karboni. Zjarrfikësit erdhën pas pak kohe, nuk di të them nëse pati vonesë apo jo. Në vendngjarje ishte edhe një ambulancë. Pasi dolëm jashtë, na dhanë ndihmën e parë”, thotë i riu.

Teksa u pyet se përse ndihma e shpejtë nuk u ngjit në banesë i riu tha se, nuk iu lejua të hynin.

“Kur hapën dritaren, doli edhe një tym i bardhë. Por deri në momentin që unë isha lart, ata kishin puls”, përfundon ai.


Lajmi kryesor:

Tragjike në Itali/ Shuhet familja shqiptare me katër anëtarë, vdesin pas helmimit nga rrjedhja e gazit në kaldajë! Xhaxhai në gjendje të rëndë