Në Prishtinë u zhvillua ceremonia inauguruese e Presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka Pula. Kryeministri Albin Kurti, Kryetarja e Parlamentit Albulena Haxhiu dhe disa ish-presidentë ishin të pranishëm në ceremoni së bashku me zyrtarë të lartë të shtetit dhe diplomatë. Në shkëmbimin e parë të mesazheve me kryeparlamentaren, Pula tha se do të japë kontributin e saj për tejkalimin e sfidave që Kosova ka përpara.

Justina Pula mori zyrtarisht detyrën e Presidentes së Kosovës pas një ceremonie inauguruese në Prishtinë, vetëm disa orë pas zgjedhjes së saj në Parlament me 81 vota.

Ceremonia e inaugurimit u zhvillua në ambientet e Presidencës në Prishtinë, që pasonte seancën e jashtëzakonshme e cila përfundoi pas mesantës së kësaj të mërkure.

Në ceremoni ishin të pranishëm ish president, kryeministri Albin Kurti, ministra, diplomatë dhe familjarë të saj.

Kryetarja e Parlamentit Albulena Haxhiu, e cila ka qenë edhe ushtruese e detyrës së Presidentit, i dorëzoi Pulës kushtetutën në një moment protokollar, ndërsa më pas e shoqëroi atë drejt zyrës.

Në mesazhet e para të shkëmbyera Haxhiu dhe Presidentja nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit. Kryetarja e re e shtetit të Kosovës tha se do të punojë për të tejkaluar sfidat që Kosova ka përpara.

Një moment simbolik ceremonial i inaugurimit të kryetares së re të shtetit ishte edhe ndërrimi i karrigeve, për t’u ulur në ulësen e Presidentes, kompetencat e së cilës deri në datën 4 tetor i ushtroi Albulena Haxhiu për një periudhë 6 mujore pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:01
Kurti pas inagurimit të Presidentes së re: Kemi shumë punë përpara

Kryeministri Albin Kurti ka folur pas ceremonisë së inaugurimit të Presidentes së re, Justina Shiroka-Pula. Ai tha se institucionet kanë përpara një sërë projektesh dhe angazhimesh, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit institucional.

 “Tani kemi shumë punë përpara, stabilitet institucional me projekte të panumërta, edhe aso që kanë nisur më herët, edhe aso që i fillojmë tani”, tha Kurti.

Ai e cilësoi zgjedhjen e Shiroka-Pulës në krye të shtetit si një lajm të rëndësishëm.

“Kemi Presidente të re të Republikës dhe ky është lajmi më i gëzuar, jo vetëm i muajit tetor”, u shpreh Kurti.

Ora 16:10
'Shkrihet akulli' mes Kurtit dhe Osmanit? Ish-aleatët bisedojnë të relaksuar në ceremoninë për Presidenten e re të Kosovës (VIDEO)

 

Pesë vjet më parë hynë bashkë në zgjedhje dhe u bënë dy figurat qendrore të pushtetit në Kosovë. Sot, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë në një tjetër moment të historisë së tyre politike. Të dy janë filmuar duke biseduar në ambientet ku po zhvillohej ceremonia e inaugurimit të presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula.

Një bisedë mes dy ish-aleatëve do të ishte një episod krejt i zakonshëm, po të mos vinte pas një marrëdhënieje që gjatë pesë viteve kaloi nga bashkëpunimi i ngushtë politik në distancim dhe më pas në përplasje të hapura. Kurti dhe Osmani fituan së bashku në vitin 2021, por në fund të mandatit të saj presidencial gjendeshin shumë larg raportit me të cilin e kishin nisur.

Osmani, e larguar nga LDK-ja dhe me iniciativën "Guxo", hyri në zgjedhjet e shkurtit 2021 në listën e përbashkët me Vetëvendosjen. Fitorja i çoi të dy në krye të institucioneve: Kurtin në Qeveri dhe Osmanin në Presidencë. Me kalimin e viteve, megjithatë, dallimet nisën të shfaqeshin sidomos për veriun dhe raportet me aleatët. Osmani kërkonte koordinim më të ngushtë me SHBA-në dhe NATO-n, ndërsa përplasje publike pati edhe për çështje si hapja e urës së Ibrit.

Distanca u thellua në vitin 2026. Osmani kërkoi një mandat të dytë, por këtë herë nuk mori mbështetjen e Vetëvendosjes. Më pas, mosmarrëveshjet kaluan edhe në terren institucional, me përplasjen për shpërndarjen e Kuvendit dhe interpretimin e Kushtetutës.

Sot, ndërsa të dy bisedonin në mënyrë të relaksuar dhe me nga një gotë në dorë, Kurti dhe Osmani lanë për disa minuta mënjanë përplasjet që kanë shoqëruar raportin e tyre gjatë këtyre viteve. Megjithatë metet për t'u parë nëse biseda në ceremoninë e inaugurimit të Shiroka-Pulës ishte thjesht kortezi mes dy ish-aleatëve apo sinjal i një raporti më të qetë mes tyre.