Jusuf Vrioni, ky aristokrat i dijes

Jusuf Vrioni, ky aristokrat i dijes
Kishte patur shumë në jetë, por kishte marrë shumë pak . Dhe kishte qenë ‘Aristokrat i dijes’, njeriu i vullnetit të pathyeshëm, njeriu i papërkulur përpara punës, filozofi dhe mendimtari Jusuf  Vrioni. “Më mirë bëji vetes keq, se sa tjetrit, ky ishte një nga parimet e Vrionit”, kujton Edmond Tupja, përkthyesi, i cili ka punuar për vite me radhë me njeriun, i cili edhe pse shumë i nxënë në dije, i diplomuar në Drejtësi dhe Studime të larta  tregtare në Francë, me Doktoraturë në Jurisprudencë në Itali, vuajti 13 vjet burg në kampet dhe burgjet më të përçudnuara të Shqipërisë.

Akuzën “agjent i Francës”, nuk e pranoi kurrë, edhe pse mbi trupin e tij u ushtruan tortura nga më të rëndat, bile  edhe famëkeqen “torturë të jelekut”. Punoi  në tharjen e kënetës së Maliqit, në ndërtimin e Aeroportit të  Rinasit, dhe  ndërroi disa herë kampet e përqendrimit dhe qelitë e burgut.

jusuf vrioni

“Kam kënaqësi kur gjej vështirësi në punë, se puna e mirë nuk del kollaj”, u thoshte gjithnjë kolegëve të tij, Jusuf  Vrioni, i cili pasi doli nga burgu punoi si përkthyes në ish-shtëpinë botuese “8 Nëntori”. Në këtë shtëpi, ku  përktheheshin  veprat e Enver Hoxhës dhe vepra të Partisë së Punës së Shqipërisë, Jusuf Vrioni, punoi deri sa doli në pension në vitin 1990. Aty ai ndërtoi jetën, aty kishte miqtë e tij, aty do të mësonte me dashamirësinë e  tij edukatën e punës tek kolegët, të cilën e kishte në çdo shqisë të tij.

“Intelektual i një niveli të mirëfilltë, një nga mendjet e rralla enciklopedike në Shqipëri, Ai, ishte njeriu”, thotë përkthyesi Edmond Tupja. “Jusuf Vrioni ishte filozof dhe mendimtar, njeri me karakter të fortë, por ishte bujar dhe  solidar dhe kurdoherë i papërtuar përpara punës”, thotë Tupja.

Të gjitha veprat e Ismail Kadaresë, të botuara në Francë, mbajnë përkthimin e Jusuf Vrionit. Dhe Vrioni ka padyshim peshë të rëndë në suksesin që shkrimtari i njohur i Shqipërisë, ka patur në një nga vendet më sqimtare në kulturë.
Siç është shprehur Kadare, kur ndërroi jetë Vrioni ,”Ai  është humbje kulturore, sa edhe personale, sepse ishte përkthyes i pazëvendësueshëm. Ai ishte miku im, bashkëpunëtori im në një aksion të madh që vazhdoi 40 vjet”.
Si ambasador i Shqipërisë pranë UNESCO-s, Vrioni, ndonëse i thyer në moshë, nuk do të rreshte asnjëherë të punonte. Libri i tij, “Botë të fshira”, i shkruar direkt në gjuhën frënge, njohu sukses të padiskutueshëm në qarqet  intelektuale pariziene.

Një avion special e solli trupin e të ndjerit Jusuf  Vrioni në Tiranë, më 1 Qershor 2001. Intelektual i mirëfilltë, i  nderuar me Medaljen e Madhe të Frankofonisë, me  Urdhërin Kalorës i Arteve dhe Letërsisë, me Urdhrin e Legjionit të Nderit, ai mbante dhe titullin Qytetar Nderi i Qytetit të  Arles.

Jusuf Vrioni, njeriu që jeta e goditi shumë dhe që pati atë mirësi dhe forcë karakteri për ta përballuar, luajti një rol  të pakrahasueshëm në njohjen e letërsisë shqipe në botë, duke i sjellë kështu një shërbim të madh kombit shqiptar. Këtë shërbim ai ia bëri në kohën, kur kombi kishte nevojë më tepër se kurrë të çante izolimin e tij politik e kulturor. Për këtë kultura shqiptare do t’i jetë gjithnjë mirënjohëse.

jusuf vrioni


Redaksia Online
(Shqiptarja.com)



Marrë nga ATSH

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë/ Në dy qendra votimi në fshatin Kuç nuk ka nisur ende votimi! Në një QV u bë afishimi i listave sot

Zgjedhjet në Himarë/ Në dy qendra votimi në fshatin Kuç nuk ka nisur ende votimi! Në një QV u bë afishimi i listave sot