Juventus, pas shumë peripecive në kampionat, ka fituar lehtësisht sfidën e 1/8 të Kupës së Italisë kundër Cagliarit. ‘Zonja e vjetër’ nuk kurseu në formacion dhe zbriti në fushë me lojtarët më të mirë, ndërsa golin e parë të sfidës do ta gjente në fundin e pjesës së parë më të shumë kritikuarin Vlahovic.
Në pjesën e dytë Koopmeiners do të realizonte një super gol me goditje dënimi, ndërsa më pas Juventus do të gjente rrjetën edhe dy herë të tjera me Conceicaon dhe Nico Gonzales. 3 golat e fundit erdhën nga 3 blerjet e merkatos së verës, që më në fund dhanë sinjale pozitive.
Juventus në këtë përballje shënoi edhe dy gola të tjerë që u anuluan për pozicion jashtë loje, ndërsa tani në çerekfinale do të përballet me Empolin.
Ndërkohë sonte për fazën e 1/8 të Kupës së Italisë do të luajë Atalanta që pret në Bergamo Cesena-n e Christian Shpendit të dëmtuar, ndërsa Roma e shumë problemeve në Seria A sfidon në Olimpico Sampdorian e Seria B. Faza e 1/8 të Kupës së Italisë mbyllet të enjten me Inter-Udinese.