Nga 2010-ta e deri tani Juventusi ka fituar 18 trofe. I fundit ishte ai i Superkupës së Italisë që bardhezinjtë e siguruan duke mposhtur në finale Napolin me rezultatin 2-0. Pas një humbje të shëmtuar kundër Interit Juventusi u ringjall mënjëherë dhe bën për vete trofeun e parë sezonal. Ronaldo në minutën e 64-të zhbllokoi ndeshjen ndërsa 10 minuta nga fundi Napoli pati shansin e artë për të barazuar por u tradhtua nga kapiteni Insigne që humbi një penallti. Në fund llogaritë i mbylli Morata dhe Juventusi fiton trofeun e parë në epokën Pirlo.
E pabesueshme ajo që ka ndodhur në Spanjë. Real Madrid është eliminuar nga Kupa e Mbretit nga një ekip i kategorisë së tretë. Alcoyano u tregua heroik dhe madje me dhjetë lojtarë e mposhti Real Madrid 2-1 pas kohëve shtesë duke i dhënë një goditje të madhe madrilenëve. Edhe pse rrezikon seriozisht pankinën Zinedine Zidane thotë se këto gjëra ndodhin në futboll dhe ky eliminim nuk është turp.
Në Angli kanë fituar ndeshjet respektive dy Manchesterët. Cavani dhe Pogba kanë përmbysur Fulham-in pasi Manchester United fitoi 2-1 në transfertë dhe mban kreun e renditjes me 40 pikë pas 19 ndeshjesh.
Nuk është ndalur as ekipi tjetër i qytetit Manchester City që triumfoi 2-0 ndaj Aston Villa-s me golat e Bernanrdo Silva dhe Gundogan dhe është forcë e dytë në kampionat. /Përgatiti: Andi Kapxhiu