Tre pikë të vuajtura ka marrë Juventusi në javën e 12-të të Serisë A. Bardhezinjtë kanë mposhtur me përmbysje Beneventon 2-1 në Allianz Stadium. Miqtë mbyllën pjesën e parë në avantazh ndërsa në të dytën erdhi përmbysja. Fillimisht Gonzalo Higuain barazoi shifrat.

Argjentinasi me një të majtë nga brenda zone mposhti portierin mik në minutën e 57-të. Ndërsa golin e fitores e shënoi kolumbiani Cuadrado.

Anësori i Juventusit me kokë shënon golin e fitores në minutën e 65-të dhe ngjit bardhezinjtë në vend të dytë të Serisë A me 31 pikë një më pak se Napoli kryesues që u frenua në barazim pa gola nga Kievo por mban vendin e parë.Roma mundi në Firenze Fiorentinën 4-2.

Ndërsa më herët Torino frenoi Interin në barazim 1-1 në “San Siro”. Gjithçka ndodhi në pjesën e dytë ku miqtë shënuan të parët me Iago Falque.

Falque tundi rrjetën në minutën e 59-të me një të majtë të fuqishme.Ndërsa zikaltërit do të barazonin 12 minuta nga fundi me Eder.

Italo-braziliani nga fare pranë thyen portierin mik Sirigu dhe i jep zikaltërve barazimin.Interi zbret në vend të tretë me 30 pikë ndërsa për shkak të reshjeve të shiut Lazio-Udinese u shty.


Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com