Për herë të dytë në qytetin e Burrelit më 4 dhe 5 nëntor 2016 u zhvillua Festivali Mbarëkombëtar i Këngës Epike dhe Lirike, me objektiv kultivimin dhe ruajtjen e folklorit të të gjitha trojeve tona. Edicioni i parë është zhvilluar në nëntor të vitit 2014. Në skenë u ngjitën artistë nga shoqëri kulturore dhe artistike, ansamble folklorike, grupe rapsodësh e rapsodë nga Drenica, Peshkopia, Tetova, Mati, Mirdita, Gjilani, Hasi, Suhareka, Bulqiza dhe Kurbini, të cilët denjësisht përfaqësuan trashëgiminë kulturore shpirtërore mbarëkombëtare nga viset e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Sipas traditës, kryetari i Bashkisë, z. Nezir Rizvani, miqësisht e bujarisht, uroi mirëseardhjen në këtë sofër të këngës folklorike.
* * *
Në trevën e Matit janë lindur e rritur shumë talente: krijues, interpretues dhe instrumentistë popullor, të cilët kanë ngritur në piedestal artin folklorik, që në historinë e kulturës vendore e kombëtare, është e do të mbetet thesar i çmuar për brezat që vijnë. Festivali harmonizoi një sërë këngësh, me stilet dhe dialektet përkatëse, të karakterit epiko-heroik dhe epiko-lirik. Në skenën e konkurimit të parët u ngjitën artistët e Ansamblit Folklorik të Bulqizës, me këngën “Kulla e Shabës”, interpretuar nga Besnik Dema, Bujar Lika, Mustafa Lika, Rrahim Alliu dhe Edmond Koçi. Xhoana Kalthi, e Ansamblit Folklorik “Mati” këndoi këngën “Shkalla e Deshëve”, ndërsa Ansambli Folklorik “Ibe Palikuqi” i Suharekës u paraqit me këngën “Ç’janë këta krushq që s’ndalin rrugën”. Rapsodinë “Moj Kosova ime” e këndoi Avni Hoxha, i Ansamblit “Mati”. Nga Tetova erdhi në skenë Xhemal Abdyrrahmani, me interpretimin “Këngë për Iliridën”. Mes duartrokitjeve solisti Marjan Lleshaj i Ansamblit “Mirdita” këndoi këngën “Mblidhen burrat rreth flamurit”. Me baladën “Me lot bukën tuj gatue” konkuroi Jola Muça e Ansambli “Mati”. Ansambli Folklorik “Pjetër Bogdani” Has u paraqit me këngët “Ali Pasha, pasha i vogël”, kënduar nga Përparim Brati e Hamit Kastrati dhe “Ban marshalla për ty gjithkush”, interpretuar nga grupi; Xhevrie Vata, e Ansamblit Folklorik “Mati”, konkuroi me baladën “Hyseni i vogël”. Nëpërmjet këngës epike “Mirë se erdhe pavarësi”, skenën e mbërtheu këngëtarja e njohur kosovare, Naxhie Bytyçi.
Në mbyllje të interpretimeve në skenë u ngjit një emër i njohur, z. Azgan Haklaj, Mjeshtër i Madh, president i Unionit Artistik i Kombit Shqiptar. Për vëllezërit Cibaj, Bajram Dodën e Xhavit Dishanin, interpretues të Orkestrinës Popullore të Ansamblit “Mati”, dha titullin “Krenaria e Unionit” me motivacion: “Për kontribut të shquar si instrumentistë të talentuar në Orkestrinën Popullore të Ansamblit “Mati” dhe paraqitje dinjitoze të vlerave artistike muzikore matjane në festivalet kombëtare shqiptare”.
Festivali ishte konkurues. Vlerësimi u bë nga juria me specialistë të fushës së artit dhe kulturës së folklorit, me kryetar z. Xhevdet Gashi dhe anëtarë Naim Gjoshi, Ilir Shaqiri, Lindita Doda, Azgan Haklaj. Një tjetër juri profesioniste, e përbërë nga piktorë të mirënjohur, vlerësoi kostumografinë më të mirë. Së pari, kryetari i kësaj jurie, piktori Sefedin Stafa, për kostumografinë më të mirë vlerësoi Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Gjilani” të Kosovës. Theksojmë se një grup piktorësh, nga më të mirët e arteve figurative, Sefedin Stafa, Abdullah Gjongecaj, Buran Kaceli, Agron Dine, Skënder Strica, Azem Kuçana, Aleksandër Lleshi, Agim Dervishi, Denisa Vishkulli, Ligerta Cakoni etj, zhvilluan në Mat edicionin e dytë “Hani i Piktorëve”, ku hodhën në telajo bukuritë fantastike anembanë njësive administrative të trevës matjane. Një pjesë prej punimeve të tyre iu shtuan pikturave të realizuara në edicionin e parë dhe shërbyen për ngritjen e Galerisë së Arteve Figurative në Burrel, e cila do të mbajë emrin e piktorit të parë matjan, “Tahir Tahiraj”.
Ndërsa për interpretimin më të mirë të natës së parë me këngë epike juria vlerësoi këngëtaren drenicare Naxhie Bytyçi, duke i dhënë çmimin e parë. Çmimin e dytë e mori Xhevrie Vata e Ansamblit “Mati”, ndërsa çmimi i tretë shkoi për Ansambin Folklorik “Mirdita”.
* * *
Pas përfundimit me sukses të natës së parë, nata e dytë mirëpriti ansamble folklorike mbarëkombëtare vetëm me këngë lirike. E hapën festivalin Shahirat e Tetovës, të cilët interpretuan potpuri këngësh nga folklori tetovar. Më pas konkuroi Ansambli Folklorik i Peshkopisë me këngët “Gurët e sokakut”, kënduar nga Nadja Meta e Gesara Haka, “Udhës së Shullonit”, interpretuar nga Ylber Sopoti, Edmond Përlezha, Eduard Hoxha, shoqëruar nga grupi i burrave; “Pse ia more dritën hënës”, kënduar nga Gesara Haka dhe grupi i burrave. Ansambli Folklorik i Kurbinit u paraqit me këngët “Ç’po këndon lulja në rrazë të malit”, duet nga Mide Aliaj dhe Gjergj Leka, “Ç’je tuj bá nën hije të manit”, interpretuar nga grupi i Ansamblit dhe “Paske shtatin si selvi”, kënduar nga Agustin Ceka dhe Ornela Prendi. Konkurimi vazhdoi me Ansamblin Folklorik të Gjilanit, Kosovë, ku u interpretuan këngët “E para pemë piqet qershia”, nga Qemal Mysliu e Nehat Berati dhe “Kah po vjen moj zanë”, kënduar nga Nazim Kakica. Mes duartrokitjeve Ansambli Folklorik i Mirditës solli në skenë këngët “Çobaneshë sylarushe”, kënduar nga Prena Beleshi e Marjan Lleshaj, “Oj mollë e kuqe”, nga Gjyste Ceka e Besim Lekgegaj dhe “Lulet e shamisë”, kënduar nga Prena Beleshi e Marjan Lleshaj. Konkurimin e mbylli Ansambli Folklorik “Mati”, me këngët “Më shkon rrugës porsi era”, të cilën e këndoi Jola Muça; “Këngë dasme”, kënduar nga Festime Aliaj dhe “Potpuri matjane”, interpretuar nga grupi i grave.
Fillimisht piktori korçar, Koço Ristani, në emër të kolegëve të tij, ndau çmimin e kostumit më të mirë të festivalit, të cilin e meritoi Ansamblit Folklorik “Pjetër Bogdani” Has. Përmes emocioneve, kryetari i jurisë, z. Xhevdet Gashi, deklaroi se interpretuesit e natës së dytë të këngës lirike thuajse ishin të barabartë, prandaj vendimet për ndarje çmimesh mos të jenë dekurajuese për ata që nuk fitojnë.
Çmimin e tretë e morën “Shahirat e Tetovës”, i dyti shkoi për këngëtaren matjane Jola Muça, ndërsa çmimi i parë, i shumëpritur, iu dha këngëtarit dibran, Ylber Sopoti.
* * *
Me një fond të artë këngësh, krijuar e ruajtur nga brezi në brez, epika dhe lirika popullore shqiptare janë pasuri e madhe kombëtare, dëshmi e gjallë e të kaluarës së popullit tonë ndër shekuj. Konkretisht kjo dukuri spikati përmes një vokali të ngjeshur e ngjyrë karakteristike dalluese, e personalizuar ngrohtë në interpretimet “Mirë se erdhe pavarësi”, “Me lot bukën tuj gatue”, “Ç’janë këta krushq që s’ndalin rrugën”, “Këngë për Iliridën”, “Mblidhen burrat rreth flamurit”, “Hyseni i vogël”, “Kah po vjen moj zanë”, “Më shkon rrugës porsi era”, “Kulla e Shabës”, “Çobaneshë sylarushe” etj.
Në skenë u ngjitën dhe këngë të reja epike të luftës për liri. Njera prej tyre i këndon asaj kohe, që ngriti në këmbë tërë botën demokratike, sidomos Amerikën dhe popullin amerikan, që të parët iu bënë krah popullit kosovar. Për këtë arsye këngëtarja nga Drenica, Naxhie Bytyçi, gjatë interpretimit të këngës “Mirë se erdhe pavarësi”, u shoqërua me duartrokitje të shumta. Tekste të tilla të këngëzuara s’kanë fare nevojë për koment. Krijuesi dhe bartësi i folkorit, kompozitori Agim Gashi, i ka thënë të gjitha, siç i ka ardhur frymëzimi.
Hej, ti na erdhe Pavarësi
lot e gjak për ty janë shkrì,
sa shumë trima kanë luftúe
për kët’ ditë që jem túj knúe,
si shqiponjë kanë fluturúe,
ty Kosovë në kamë t’kanë çúe
për me dijt krejt bota mbarë
se n’Kosovë paska shqiptarë.
Jeta e rëndë dhe me shumë sfida e ka frymëzuar poetin popull të shkruajë për mërgimtarin. Kënga “Me lot bukën túj gatúe” është e rrallë, por jo e vetme dhe reflekton dhimbjen e rëndë të jetës në mërgim. Kurbeti ka qenë dhe mbetet plaga e pashërueshme shekullore. Në pak vargje thuhet shumë, edhe pse pa shoqërim orkestral.
Me lot bukën tuj gatúe, nanë morì nanë
prita burrin larg harrúe, nanë morì nanë
prita unë e priti djali, nanë morì nanë
në kurbet s’i gjendet varri, nanë morì nanë…
Në çdo periudhë dhe brez pas brezi, koha ka nxjerrë trima, prijës të luftës për mbrojtjen e nderit, lirisë dhe fjalës së dhënë. Trimat e vërtetë, edhe pse të rinj në moshë, janë përjetësuar me respekt nga bartësit e folklorit. Kështu ka ndodhur me Hysenin e vogël, i cili krajlit të zi i ka prerë kokën. Balada “Hyseni i vogël” ishte ndër prurjet e rralla epike të Ansamblit Folklorik “Mati”.
O fal me shnet oj motër, foli krajlit
thuj Hyseni kërkonte vllaznit,
ai kërkon more po vllaznit e vet
Hyseni i vogël, thuj, në fushë po t’pret.
O kur njéu krajli o në kamë u çúe,
para Hysenit asht ngushtúe,
po t’jap mallin e çfarë t’m’kërkosh,
o luftë me múe mos të fillosh.
Shqiptarët etnikë të Maqedonisë kanë kontribuar në procesin e formimit të kombit shqiptar, siç është rasti i Dervish Himës, Josif Bagërit, Dervish Carës dhe Mehmet pashë Dërallës, ministrit të parë të luftës së shtetit të pavarur shqiptar. Ndaj trimëria e vërtetë është ajo që vihet në sherbim të së drejtës dhe atdheut. Këtë e dëshmoi kënga për Iliridën.
Ushtoi deti e u dridh toka
me shkŷ shqipen copa-copa
por ajo jo kurrë nuk treti,
n’fole t’vet shqiponja mbeti.
Për artistët bulqizakë krijimtari shpirtërore, e fuqishme, ku buron krenaria për mbrojtjen e kombit, është kënga “Kulla e Shabës”, me mesazh bashkëkohor.
Bá gajret or Sulë Shaba,
kret Bulqizën ke përmbrapa!
Shumë këngë të këtij festivalit epiko-lirik i kënduan aq bukur dashurisë, nëpërmjet së cilës dërguan mesazhe që na çojnë në gëzimet dhe ëndrrat e një të ardhmeje, ku shpresa nuk mungon, si te kënga “E para pemë piqet qershia” ku thuhet:
E para pemë piqet qershia, of aman
edhe moti vjen tuj nxeh, of aman
kurrë s’u sosën dertet e mia, of aman
deri t'vdes e t’hi nër dhé, of aman
deri t'vdes e dy sytë t’i mbyllë, of aman
çehren táne s’ta harroj, of aman
Tërë jetën e tyre artistike Shahirat e Tetovës shquhen për interpretimin e folklorit tetovar. Në çdo skenë këndojnë shpirtërisht e me zemër, janë artista të këngës sonë të bukur popullore shqipe, siç u prezantuan me potpurinë tetovare.
Prej Tetove n’Gostivar
ka ardh lala táj me t’marrë,
o lála sa të dú
oj sáj shkrume hajde me mú.
Lumturia nuk është vetëm të dashurosh dhe thjesht të jesh i dashuruar, por të jesh i dashuruar me të njëjtën forcë, si në vargjet “Ban marshalla për ty gjithkush”.
Oh dy-tri pika lule në faqe
bajnë marshalla shoqet në baçe,
bajnë marshalla prej shtatit, oh
shtatë a tetë myhyra të dorës, oh
fol mori fol, oj e mira, oh
oh, qysh ma dogje zemrën, oh!
Në këngën “Kah po vjen moj zanë” nuk mund të mbahen brenda vetes ato që i thotë zemra.
Kah po vjen moj zanë, n'kmishë e xhamadan
te daja jam kánë,
fol një herë moj zanë, najkún mos je dhánë
djalë, kërkún s'jam dhánë
as ndër mend s’e kam.
Në skenë erdhi flladi i lirizmit të ngrohtë të folklorit dibran nëpërmjet vargjeve lirike:
Udhës së Shullanit, bre djalë
ç’ka t’i baj jaranit, bre djalë
o jarani i dadës, bre djalë
silli dhéntë ograjës, bre djalë
hékia ato kambana, bre djalë
mos na náje nana, bre djalo...
Dy qenie njerëzore mund të provojnë për njëra-tjetrën ndjenja të pastra, që emrëtohen dashuri. Vetë kënga matjane “Më shkon rrugës porsi era” e thotë bukur e më bukur.
Më shkon rrugës porsi era,
si nuk ndalesh asnjëhera
oj bardhokja e lalës-o,
o fëllanxa e malit-o!
Besa, unë, për ty u ndala
po kam frikë se m’shikon lála
o jarani i Dokes-o,
o ma i miri i zemrës-o!
Këto e të tjera vlera të folklorit burimor janë zhvilluar e ruajtur në mënyrë origjinale. Në vargje si këto evidencohen bukur vlera artistike. Figurat stilistike i japin jo vetëm koloritin artistik, por i jetësojnë si këngë, i mbushin me frymë, me shpirt. Perla të tilla folklori kanë shkëlqyer e shkëlqejnë.
Edhe ky festival folklorik është paqyrim artistik i realitetit. S’mund të bëjmë dallime të shumta në mes grupeve, por secili prej tyre pati të veçanta në melodi, veshje, interpretim dhe imtësi të tjera.
* * *
Folklori lokal i ve pikat mbi ì, këndon për atë që do, që ndjen, që i dhemb shpirti e i qan zemra, për atë që nderon e respekton. Ndaj është një realitet artistik. Ka vulë popullore për të bërë jetë folklorike. Sipas nevojave të shpirtit krijues të popullit, ai do të mbijetojë.
Siç u shpreh z. Nehat Ferati, kryetar i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Gjilani”, organizimi dhe mikpritja matjane ishin të mrekullueshme. Për oganizatorët, të cilët patën forcën dhe kurajën të bëjnë punë të mrekullueshme, të domosdoshme për kultivimin e vlerave artistike kombëtare, ai shprehu mirënjohje e falenderim të veçantë.
Krahas përcjelljes në nivele më të larta artistike të trashëgimisë dhe pasurisë sonë shpirtërore e materiale, ky festival i dytë folklorik mbarëkombëtar, me karakter kulturor dhe historik, është një panair i vërtetë i vlerave etnike-kulturore të popullit tonë. Është koha për bashkëpunim me studiues, historianë e folkloristë bashkëkohorë, që bëjnë jetë aktive me veprimtari konkrete kërkimore, studimore e shkencore. Pra, mbetet detyrë e ardhshme e specialistëve, që këngët epike dhe lirike, këto pasuri të paçmuara folklorike, t’i gjurmojnë e t’i mbledhin, për t’i ruajtur si trashëgimi shpirtërore e identitetit kombëtar.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com