Elementi i parë: Përcakton bazën e masës të pensionit të parakohëshëm dhe detyron që kjo bazë të jetë sa 50% të pagës referuese mujore. Këtë detyrim ligjor e kanë të njëjtë të gjitha ligjet që përcaktojnë kushtet dhe kriteret e pensionit të parakohëshëm. Ky përcaktim dhe detyrim ligjor vërteton faktin se ligjvënësi ka njësuar, unifikuar dhe i ka dhënë zgjidhje ligjore përfundimatre masës bazë të pensionit të parakohëshëm, duke e caktuar atë 50% të pagës referuese mujore.
Ky rregullim ligjor, i cili është lënë i paprekur në çdo rast që është ndryshuar ligji organik, nuk lë vend për, trajtim, interpretim apo sqarim nga Gjykata e Lartë, e cila në rastin konkret i ka dhënë vetes të drejtë të marrë prerogativat e pushtetit legjislativ dhe të Gjykatës Kushtetuese. Rregullimet e përcaktuara në ligj janë të qarta dhe përfundimtare dhe nuk mund të ulen, të preken apo të ndryshohen nga Gjykata e Lartë me masa kufizuese antikushtetuese e me fuqi prapavepruese.
Kërkesa
Elementi i dytë: Detyron llogaritjen e shtesës prej 2%, mbi pensionin bazë, për çdo vit shërbimi mbi 15 vjet për burrat dhe 12 vjet për gratë. Ky detyrim ligjor është i njëjtë dhe i unifikuar në të gjitha ligjet e përmendura më sipër. Pra ligjvënësi ka njësuar, unifikuar dhe i ka dhënë zgjidhje ligjore përfundimtare dhe masës të shtesës prej 2%, mbi pensionin bazë dhe nuk i ka lënë asnjë hapësirë Gjykatës të Lartë të marrë një vendim unifikues për ta cënuar masën e shtesës sepse edhe ajo është detyruese, dhe përfundimtare. Për më tepër që Gjykata e Lartë me vendim unifikues mundet të unifikojë praktikën gjyqësore kur zbatimi i ligjit ka pasur interpretime të ndryshme, dhe nuk mundet Gjykata e Lartë të marrë kompetencat e pushtetit legjislativ.
Elementi i tretë, ka të bëjë me masën e kufizimit të pensionit të parakohëshëm. Nuk është i vërtetë konkluzioni që Gjykata e Lartë ka nxjerrë në pikën 50 ku thuhet: “ Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vënë në dukje se, në të gjitha ligjet në fushën e sigurimeve shoqërore suplementare të ushtarakëve, kufizimi në shumën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi është parashikuar mbi të gjithë shumën e tij ”. Ky vlerësim i pa vërtetë është bërë me qëllim që të justifikohet vendosja e kufizimit mbi të gjithë masën e pensionit të parakohshëm. Ja si trajtohet, masa e kufizimit të pensionit të parakohëshëm:
Masa
Ligji Nr.8087/1996, të ndryshuar, që ka dalë në zbatim të ligjit organik Nr.7496/1991, në pikën “b”, i është shtuar masa e kufizimit “ por jo më shumë se pensioni i pleqërisë në shkallë vëndi”. Kjo shtesë është antikushtetuese sepse bie në kundërshtim me përcaktimet e bëra në nenin 16 të ligjit organik Nr.7496/1991, që nuk ka përcaktuar masë kufizimi. Neni 49, i ligjit Nr. 9210/2004 “Për Statusin e Ushtarakut” e ka shfuqizuar përfundimisht shprehjen: “por jo më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi ”, gjë që detyronte Gjykatën e Lartë që të njësonte zbatimin e nenin 11, pa asnjë masë apo tavan kufizues, duke qenë se zbatimi i ligjit është detyrim ligjor dhe kushtetues për çdo subjekt të tij, përfshi edhe Gjykatën e Lartë, e cila në rastin konkret nuk ka unifikuar praktin në zbatim të ligjit, por i ka dhënë të drejtë vetes të ndryshojë një ligj të miratuar nga parlamenti.
Ligji Nr.9210/2004, që është ligj organik dhe ka prevalencë ndaj ligjeve Nr.9418/2005; Nr.9481/2006 dhe Nr.10142/2009 që kanë dalë në zbatim të tij, në nenin 35 nuk ka asnjë tavan apo masë kufizimi dhe me nenin 49 ka shfuqizuar përfundimisht shprehjen “por jo më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi”, të pikës “b” të nenit 11, të ligjit Nr.8087/1996, i cili pas hyrjes në fuqi të ligjit Nr.9210/2004, nuk ka më as tavan dhe asnjë masë kufizuese. Pra shtesa që Gjykata e Lartë ka bërë për masën e re të kufizimit: “Por masa e përgjithshme e pensionit të parakohshëm nuk mund të kalojë masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi”, në nenin 11,është një shkelje e rëndë ligjore dhe kushtetuese.
Vendimi
Gjykata për të argumentuar se neni 49 që ka shfuqizuar masën e kufizimit, është i “pa zbatueshëm” keqinterpreton qëllimisht nenin 48 dhe del në përfundimin e gabuar se - Ligji Nr.9210/2004 hoqi kufizimin në masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të parashikuar, por zbatimi i parashikimit ligjor të këtij ligji ishte i kushtëzuar me nxjerrjen e rregullimeve ligjore në fushën e sigurimeve shoqërore suplementare te ushtarakëve në zbatim të këtij ndryshimi. Ky përfundim nuk qëndron sepse Kuvendi në pikën 2 të nenit 48, ka detyruar Këshillin e Ministrave, të nxjerë vetëm aktet për zbatimin e neneve 35 pikat 1 dhe 2, 36, 40 dhe 41 të këtij ligji dhe të paraqesë ndryshimet përkatëse në ligjin Nr.8087, datë 13.3.1996 dhe nuk përcakton asnjë detyrim të nxirret ndonjë akt për zbatimin e nenit 49.
Kuvendi me nenin 49 ka ndërhyrë dhe ka ndryshuar direkt pikën “b” të nenit 11 duke shfuqizuar shprehjen: “ ... por jo më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi" dhe nuk ja ka lënë këtë ndryshim(heqjen e kufizimit), Këshillit të Ministrave apo Gjykatave siç ka ndodhur në rastin konkret. Gjykata nuk e ka tagrin ligjor të rikthejë në nenin 11 masën e kufizimit për pensionin e parakohëshëm që është shfuqizuar nga Kuvendi dhe për më keq ta riformulojë, ta ndryshojë masën e kufizimit të shfuqizuar dhe t’ja bashkëngjitë si bisht antikushtetues nenit 11 të ligjit Nr.8087/1996, sikurse ka vepruar me vendimin unifikues.
Ligji Nr.9418/2005, në nenin 14 të tij ka rikthyer kufizimin e pensionit të parakohshëm në masën e katërfishit të pensionit bazë, ndryshe nga ligji organik Nr.9210/2004 në zbatim të të cilit ka dalë. Ky ligj e ka shfuqizuar dhe e ka përjashtuar nga zbatimi ligjin Nr.8087/1996,me nenin 33 ku theksohet - Ligji Nr.8087, datë 13.3.1996, i ndryshuar, dhe aktet e dala në zbatim të tij, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk do të zbatohen për ushtarakët e Forcave të Armatosura, që përfitojnë sipas këtij ligji - . Nga sa më sipër del se Gjykata e Lartë ka humbur ekuilibrat ligjorë dhe pas 21 vitesh njëson praktikën ligjore të ligjit Nr.8087/1996 që është shfuqizuar dhe nuk ekziston më si ligj.
Ligji Nr.9481/2006, përsëri bie ndesh me ligjin organik Nr.9210/2004, në zbatim të të cilit ka dalë dhe në nenin 2 ka parashikuar kufizimin e pensionit të parakohëshëm sipas nivelit të gradave. Nga sa më sipër del se ligjet organikë të viteve 1991 dhe 2004 nuk kanë fare masë apo tavan kufizues. Ligjit Nr.8087/1996 i është shfuqizuar tavani kufizues me nenin 49 të ligjit Nr.9210/2004. Kurse ligjet Nr.9418/2005 dhe Nr.9481/2006, gjykata i ka injoruar dhe me një të rënë të lapsit i ka vlerësuar si të pa zbatueshëm.
Atëhere del se vlerësimi i Gjykatës të Lartë se gjoja të gjitha ligjet e sigurimeve shoqërore suplementare të ushtarakëve kufizojnë gjithë masën e pensionit, është një bllof i sajuar juridik, me pasoja tepër të rënda për kategorin sociale të ish-ushtarakëve, të drejtat ligjore dhe kushtetuese të të cilëve cënohen si rezultat i vendimit objekt ankimi, me të cilin Gjykata e Lartë ka vendosur të shfuqizojë ligje, ti japa fuqi juridike dispozitave të shfuqizuara, si dhe të përcaktojë se cilat dispozita do të zbatohen sipas dëshirës së saj, dhe jo sipas rregullimeve ligjore të bëra nga ligjvënësit.
Në kushtet kur neni 49, i ligjit organik Nr.9210/2004 “ Për Statusin e Ushtarakut” e ka shfuqizuar përfundimisht masën e kufizimit të pikës “b” dhe neni 33 i ligjit Nr.9418/2005 i ndryshuar e ka shfuqizuar ligjin Nr.8087/1996, Gjykata e Lartë me ligjin Nr.8087/1996, nuk mund të rikthejë në zbatim masën kufizuese të shfuqizuar nga neni 11 gërma “b” të Ligjit 8087/1996, nuk mund ta ndryshojnë këtë masë kufizimi, nuk mund të rikthejnë në fuqi ligjin Nr.8087/1996 dhe për më keq të njësojnë praktikën gjyqësore të një ligji të shfuqizuar. Këtë të drejtë e ka vetëm organi ligjvënës.
dy.b/shqiptarja.com
