Prokurorët e Krimeve të Rënda në Durrës thanë dje se nuk janë ende në gjendje të vënë gishtin ndonjë person si autor i dyshuar i vrasjes së 18-vjeçares Ajshe Vata. Ndonëse kanë shoqëruar dhjetra vetë nga rrethi familjar dhe ai shoqëror i 18- vjeçares, policia dhe prokurorët nuk kanë ndaluar asnjë prej tyre dhe kanë kthyer shpresat tek analizat shkencore të kufomës, kqyrja e tabulateve telefonike të Ajshe Vatës si dhe ekspertimi kriminalistik i vendit të ngjarjes për të kaluar në hapa të mëtejshëm. Mësohet se mbrëmjen e së enjtes hetuesit i orientuan dyshimet dhe pistën e tyre drejt një vrasje të shkaktuar prej ndonjë të dashuri sekret të 18-vjeçares, por ardhja e konfirmimit të mjekut ligjor mbi shtatzaninë e Ajshe Vatës duket se e ka zbehur këtë pistë dhe hetuesit kanë kthyer prozhektorët mes radhëve të familjarëve të Ajshe Vatës, sidomos te roli i të atit të saj. Nga ana tjetër vetë hetuesit në Drejtorinë e Policisë së Durrësit kanë refuzuar mbrëmjen e së enjtes që të konfirmonin nëse autopsia e kishte konstatuar shtatzënë ose jo viktimën, ndonëse hetuesit janë njoftuar nëpërmjet telefonatave në lidhje me rezultatet e autopsisë së realizuar pasditen e së enjtes.

DYSHIMET

Ajshe Vata u konstatua shtatzënë dhe embrioni i gjetur nga mjekët ligjorë vlerësohet se është i kategorisë 10-11 javë, ndonëse ende nuk ka dalë raporti i plotë i mjekëve ligjorë që do të përcaktojë dhe intervalin e saktë të kategorisë së embrionit. Ky fakt nënkupton se viktima ka kryer marrëdhënie seksuale përgjatë muajit Gusht dhe në këtë muaj ajo ka mbetur shtatzënë. Ky është një detaj shumë i rëndësishëm dhe shumë orientues për hetuesit, ndaj dhe ata janë fokusuar në mbledhjen e të dhënave në lidhje me vendet ku ka qëndruar 18-vjeçarja gjatë muajit Gusht. Paraprakisht mësohet se 18 vjeçarja ka përfunduar shkollën e Medresesë më datën 24 maj dhe se gjatë muajit Gusht ajo ka qëndruar gjatë gjithë kohës pranë shtëpisë së saj dhe familjarët nuk kanë konfirmuar ndonjë lëvizje të saj drejt plazhit apo vende të tjera larg familjes. Embrioni i gjetur nga mjekët është konservuar dhe do t'i nënshtrohet analizave të DNA-së, nga ana tjetër hetuesit do të marrin të dhënat e DNA-së të të gjithë personave të dyshuar, përfshirë familjarët, pasi teorikisht ky hetim nuk ka përjashtuar dhe mundësinë e një marrëdhënie brenda familjes deri në këto momente.

TELEFONI

Hetuesit kanë patur shumë shpresë në ekzaminimin paraprak në laborator të telefonit të Ajshe Vatës. Rezultatet e laboratorit kanë mundur të rikuperojnë qindra sms të dërguara dhe të marra nga Ajshe Visha por asnjë prej sms-ve të rikuperuara nuk ka dhënë ndonjë indicie të dyshimtë. Nga ana tjetër hetuesit janë duke pritur përgjigjen nga kompania telefonike "Vodafone" në lidhje me tabulatet dhe sigurimin e të gjitha thirrjeve hyrëse-dalëse të bëra nga numri i Ajshe Vatës, ku me interes do të jenë thirrjet e bëra dhe të marra prej saj gjatë muajit Gusht si dhe thirrjet e bëra dhe të marra prej saj në orët e fundit të jetës.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)