Një prej kolosëve më të mëdhenj të letërsisë botërore, Honoré de Balzac, kishte mbledhur dëshminë e një ushtari të Napoleon Bonapartës, të cilën e kishte integruar në njërin prej romaneve të tij të shumta - “Një mjek fushe”.
Personazhi, i quajtur Goguelat, detyrohej shpesh nga bashkëfshatarët që të ulej e të rrëfente për Perandorin, meqë kishte marrë pjesë në të gjitha fushatat e Perandorisë.

Ish-luftëtari, tashmë në moshë, rrëfente për betejat e lavdishme dhe për madhështinë e komandantit të tyre.
Ndër të tjera, ai kishte rrëfyer se si ushtarët një ditë i janë ankuar, meqë ishin të uritur dhe nuk kishin veshëmbathje e municione të mjaftueshme.

“Fëmijët e mi, brenda dy javëve ju do të fitoni, do të visheni me rroba të reja, do të ushqeheni, por për këtë duhet të marshojmë drejt vendit ku ka me bollëk – Milanos”, u kishte thënë gjenerali Bonaparta, i cili me “djemtë, ose fëmijët e mi” u drejtohej ushtarëve të tij, ndonëse ishte shumë i ri në moshë.

Dhe, saktësisht si kishte premtuar, armata e tij do të triumfonte ndaj austriakëve që ishin shumë më të numërt, dhe ushtarët do të vishen me rroba të reja dhe do të sigurojnë municione e armatim të mjaftueshëm, për të avancuar drejt fronteve të reja.

Në mesin e ngjarjeve që kishte rrëfyer personazhi i romancierit të madh francez ishte edhe ekspedita në Egjipt, të cilin vend armata e Napoleon Bonapartës e kishte “përpirë”, ashtu sikur kishte premtuar ai – për shumë pak kohë.

Kur kishin shkelur tokën egjiptiane pas shpartallimit të forcave kundërshtare, Goguelat kujton porosinë që ushtarët kishin marrë nga prijësi i tyre, e cila është edhe boshti i këtij editoriali.

“Fëmijët e mi. Futeni në kokë këtëkëshillë: mos prekni asgjë në fillim! Sepse, do t’i kemi të gjitha më pas!”, kishte porositur komandanti, për të cilin, sikur tregon personazhi, besonin se kishte një yll në qiell, i cili i udhëzonte dhe i mbronte në beteja.

Këtë këshillë apo porosi shumë të vlefshme, që të mos preket pasuria, e cila në fund do të jetë e përbashkët, pra e popullit, nuk kemi dëgjuar asnjëherë, lexues të nderuar, së paku publikisht, t’ua kenë bërë komandantët luftëtarëve të tyre pas luftës tonë. E as qeveritarët vartësve të vet.

Prandaj, në mungesë të këtyre këshillave, pra se si të sillen në situatën e re të krijuar me çlirimin e vendit, ose gjatë ushtrimit të detyrave në institucione, kemi parë aq shumë parregullsi, keqpërdorime, vjedhje të pronave e të buxhetit, e gjithçka tjetër.

Për fat të keq, dukuritë e tilla nuk janë ndalur asnjëherë deri në ditët e sotme.

Krejt kjo për shkak se “shefave” u ka munguar vullneti dhe nuk u ka konvenuar, meqë në të shumtën e rasteve ata kanë qenë pjesë e këtyre të zezave.

Ndryshe nuk ka si kuptohet pasurimi marramendës i shumë prej tyre brenda një periudhe të shkurtër kohore, pas marrjes së detyrave në sektorë të ndryshëm publikë.

Premtimet se do ta luftojnë korrupsionin, nepotizmin, evazionin, i bëjnë sa për sy e faqe, pa fije sinqeriteti dhe kryesisht për “hatër” të ndërkombëtarëve.

Se nuk kanë bërë bash kurrgjë në këtë drejtim mund ta kuptojmë më së miri kur marrim urime në raste festash zyrtare dhe të tjera.

Menjëherë pas fjalisë që nis me “Urime!”, miqtë tanë në telegramet e tyre me shkronja të mëdha dhe me “bold” e shënojnë porosinë: “Luftojeni korrupsionin!”.

Dhe, a ka shpresë për këtë vend pas formimit të institucioneve të reja?

Normalisht, duke e ditur të kaluarën e liderëve, është i arsyeshëm zhgënjimi i njerëzve.

Megjithatë, kur e bën mend se janë bërë bashkë parti e politikanë, të cilët deri dje kishin raporte si ujku me dhinë, pse të mos shpresojmë (dhe, meqë s’kemi tjetër ç’të bëjmë!), se do të ndodhë mrekullia, se do të ketë ndryshime për të mirë!