Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka publikuar listën zyrtare me 26 futbollistët që do të përfaqësojnë 'Seleçaon' në Kupën e Botës 2026. Lista ka sqaruar të gjitha dilemat e ditëve të fundit, veçanërisht sa i përket rikthimit të Neymarit, i cili më në fund është përfshirë në skuadër.

Brazili është pjesë e Grupit C të Botërorit, ku do të përballet me Marokon më 14 qershor, Haitin më 20 qershor dhe Skocinë më 25 qershor. Para nisjes së Botërorit brazilianët do të zhvillojë edhe dy ndeshje miqësore ndaj Panamasë dhe Egjiptit.

Padyshim rikthimi i Neymar bëri bujë, me tifozët që janë parë shumë të lumtur me përzgjedhjen e Ancelottit. Sulmuesi 34-vjeçar i Santos është rikthyer në kombëtare për herë të parë që nga viti 2023, pasi kaloi një periudhë të gjatë të shoqëruar me probleme fizike dhe lëndime.

Brazili synon trofeun e gjashtë në historinë e Kupës së Botës, pas zhgënjimeve në pesë edicionet e fundit, ku nuk ka arritur të kalojë fazën gjysmëfinale. Kujtimi më i hidhur mbetet Botërori i vitit 2014, kur si vend organizator u mposht me rezultatin historik 1-7 nga Gjermania.

Trajneri italian i Brazilit shpjegoi edhe zgjedhjet e tij, teksa foli edhe për Neymarin, duke shtuar se janë kandidatë për trofeun.

“Neymar do të jetë një lojtar i rëndësishëm për ne në Kupën e Botës. Gjatë gjithë vitit kemi analizuar gjendjen e tij dhe kemi vërejtur se në periudhën e fundit ka treguar vazhdimësi në paraqitje dhe ka qenë në formë të mirë fizike”, deklaroi Ancelotti gjatë konferencës për media, teksa u shpreh se ekipi i tij mund të fitojë kompeticionin.

Lista zyrtare e Brazilit për Botërorin:

Portierë: Alisson, Ederson dhe Weverton.

Mbrojtës: Danilo, Wesley, Marquinhos, Gabriel Magalhaes, Leo Pereira, Bremer, Ibanez, Alex Sandro dhe Douglas Santos.

Mesfushorë: Casemiro, Bruno Guimaraes, Danilo, Fabinho dhe Paqueta.

Sulmues: Vinicius Jr, Matheus Cunha, Neymar, Raphinha, Rayan, Igor Thiago, Luiz Henrique, Gabriel Martinelli dhe Endrick.