Këshilli i Ministrave ndryshon pagat
e kryebashkiakëve, por jo të Veliajt

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot ndryshimet e pagave të kryetarëve të rinj të bashkive, por një gjë të tillë nuk e ka bërë për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Sipas Vendimit të marrë nga Këshilli i Ministrave, për bashkitë e reja të krijuara me ndarjen e re administrative-territoriale, kryetarët e bashkive do të kenë një pagë më të lartë, nga sa ishte kohë më parë, me ndarjen e vjetër territoriale.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme të këshillit të Ministrave janë miratuar edhe shpronësimet për pronarët që preken nga ndërtimi bulevardit të Tiranës, lista e vendeve të trata të sigurta, rregullat e procedurat dhe mënyrat e vënies në dispozicion të pasurive të paluajtshme shtetërore në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit.

Veç kësaj, është miratuar edhe protokolli i ndryshimit të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Argjentinës, për bashkëpunimin shkencor e teknik, si dhe disa vendime të tjera.
 
 
Ja vendimi për pagat e kryetarëve të basxhkive të reja

V E N D I M PËR GRUPIMIN E NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE, PËR EFEKT PAGE, DHE CAKTIMIN E KUFIJVE TË PAGAVE TË FUNKSIONARËVE TË ZGJEDHUR E TË EMËRUAR, TË NËPUNËSVE CIVILË E TË PUNONJËSVE ADMINISTRATIVË TË NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 2, shkronja “c”, 4, shkronja “d”, e 5, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të neneve 46, 54, 65, 71 e 77, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave 

V E N D O S I:
1.    Nivelet e pagave, për funksionarët e zgjedhur të organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të vetëqeverisjes vendore, janë: 
a)    Për Bashkinë e Tiranës:
Kryetari                 140 000 – 174 760 lekë;
Nënkryetari                 130 000 – 140 000 lekë. 
b)    Për njësitë e vetëqeverisjes vendore me 200 001 – 400 000 dhe me mbi 400 000 banorë:
Kryetari                  130 000 – 155 000 lekë;
Nënkryetari                 100 000 – 129 000 lekë.
c)    Për njësitë e vetëqeverisjes vendore me 100 001 – 200 000 banorë:
Kryetari                  110 000 –  140 000 lekë;
Nënkryetari                    70 000 – 117 500 lekë.
 
ç) Për njësitë e vetëqeverisjes vendore me 50 001 – 100 000 banorë:
Kryetari                  70 000 – 117 500 lekë;
Nënkryetari                 60 000 – 95 000 lekë.
d)    Për njësitë e vetëqeverisjes vendore me 20 001 – 50 000 banorë:
Kryetari                   60 000 – 95 000 lekë;
Nënkryetari                 45 000 – 80 500 lekë.
dh) Për njësitë e vetëqeverisjes vendore me deri në 20 000 banorë:
Kryetari                   45 000 – 80 500 lekë;
Nënkryetari                  28 300 – 70 500 lekë.
e)    Për Këshillin e Qarkut:
Kryetari                 87 000 – 140 000 lekë;
Nënkryetari                 57 600 – 95 000 lekë.
2.    Struktura dhe nivelet e pagave për nëpunësit civilë në Bashkinë e Tiranës janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. 
3.  Struktura dhe nivelet e pagave për nëpunësit civilë në bashkitë e tjera, janë, përkatësisht, sipas lidhjeve nr.2, 3, 4, 5 e 6, në përputhje me numrin e banorëve për çdo bashki, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij. 
4.     Struktura dhe nivelet e pagave për nëpunësit civilë në këshillin e qarkut janë sipas lidhjes nr.7, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. 
5.     Paga e grupit, kolona 2, e lidhjeve nr.1, 2, 3, 4, 5, 6 e 7, është sipas lidhjes nr.9, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.  
6.     Shtesa për vjetërsi në punë, kolona 3, e lidhjeve nr.1, 2, 3, 4, 5, 6 e 7, jepet në masën 2 për qind pas çdo viti pune, deri në 25 vjet, dhe llogaritet mbi pagën e grupit. Për efekt të llogaritjes së kësaj shtese, vite pune do të konsiderohen vjetërsia e përgjithshme në punë, e dokumentuar në librezën e punës së çdo punonjësi, me përjashtim të viteve të sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, shërbimit ushtarak, për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit të lartë, për femrat, si dhe periudha e trajtimit me pagesë papunësie. 
7. Shtesa për kualifikim, kolona 4, e lidhjeve nr.1, 2, 3, 4, 5, 6 e 7, është 0. 
8.    Shtesa për pozicion është sipas kolonës 5, të lidhjeve nr.1, 2, 3, 4, 5, 6 e 7, bashkëlidhur këtij vendimi. 
9.    “Specialistët”, “Përgjegjësit e sektorit” apo “Drejtorët e drejtorive”, të cilët punojnë në pozicione që lidhen me procesin e informatizimit të administratës publike dhe kërkojnë, në mënyrë të detyrueshme, diplomë universitare të nivelit “Master i Shkencave/Master Profesional/Bachelor” apo të barasvlershëm me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët “Inxhinieri Elektronike”, “Inxhinieri Informatike”, “Informatikë”, “Inxhinieri Telekomunikacioni” apo “Shkenca kompjuterike” përfitojnë një shtesë mbi pagë, në masën: 
-    7 500 (shtatë mijë e pesëqind) lekë në muaj, për nëpunësit e strukturave të TIK-ut, të Bashkisë Tiranë, të bashkive me mbi 400 000 banorë, të bashkive me 200 001 – 400 000 banorë dhe të bashkive me 100 001 – 200 000 banorë;
-    5 000 (pesë mijë) lekë në muaj, për nëpunësit e strukturave të TIK-ut, të bashkive me 50 001 – 100 000 banorë, të bashkive me 20 001 –  50 000 banorë dhe të bashkive me deri në 20 000 banorë.
10.      Për emërtesën “Sekretar”, niveli i pagës do të jetë:
Sekretar i Kryetarit të Bashkisë Tiranë, sipas kategorisë IV-a, të lidhjes nr.1;  
Sekretar i kryetarëve të bashkive të tjera, sipas kategorisë IV-b, të lidhjeve nr.2, 3, 4, 5 e 6, në përputhje me numrin e banorëve të secilës bashki;
Sekretar i Kryetarit të Këshillit të Qarkut Tiranë, sipas kategorisë IV-b, të lidhjes nr.7.
11.  Nivelet e pagave për funksionet e mëposhtme, janë:
Drejtori i kabinetit, në Bashkinë e Tiranës, dhe sekretari i Këshillit Bashkiak të Tiranës - kategoria II-a, e lidhjes nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi;
Këshilltari i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe zëdhënësi - kategoria II-b, e lidhjes nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi;
Drejtori i kabinetit i Këshillit të Qarkut dhe sekretari i Këshillit të Qarkut, - kategoria I-b, e lidhjes nr.7, bashkëlidhur këtij vendimi;
Këshilltari i Kryetarit të Këshillit të Qarkut dhe zëdhënësi - kategoria II-b, e lidhjes nr.7, bashkëlidhur këtij vendimi; 
Drejtori i kabinetit dhe sekretari i Këshillit Bashkiak, për bashkitë e tjera, - kategoria II-b, e lidhjeve nr.2, 3, 4, 5 e 6, bashkëlidhur këtij vendimi;
Këshilltari i Kryetarit të Bashkisë dhe zëdhënësi, për bashkitë e tjera, - kategoria III-a/1, e lidhjeve nr.2, 3, 4, 5 e 6, bashkëlidhur këtij vendimi. 
12.    Kufijtë e pagave për punonjësit e policisë bashkiake, pranë bashkive, janë sipas lidhjes nr.8, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.  
13.    Struktura dhe kufijtë e pagave për administratorët e njësive administrative janë sipas lidhjes nr.7, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. 
14.      Këshilli i qarkut, këshilli i bashkisë, miraton vlerën e pagës:
a)    për secilin funksion të zgjedhur apo të emëruar, brenda kufijve të pagave, të përcaktuara, përkatësisht, në pikën 1, të vendimit; 
b) për secilën kategori page, brenda kufijve të pagave të përcaktuara në lidhjet nr.1, 2, 3, 4, 5, 6, 7 e 8, bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse të këtij vendimi. 
15.     Këshillat e njësive të vetëqeverisjes vendore, kur shikohet e nevojshme të krijojnë funksione të reja, të cilat nuk janë përcaktuar në lidhjet që i bashkëlidhen këtij vendimi, bëjnë njehsimin e tyre, për efekt page, me klasifikimin e miratuar në lidhjet përkatëse të pagave.
16.     Këshillat e njësive të qeverisjes vendore, bazuar në numrin e banorëve të fshatit, miratojnë shpërblimin mujor të kryetarëve të fshatrave, në masën deri në 10 për qind të pagës së:
a)    administratorëve të njësive administrative, kur fshati është pjesë e njësisë administrative, sipas kufijve të pagave të administratorëve, përcaktuar në lidhjen nr.10, bashkëlidhur këtij vendimi;
b)    kryetarëve të bashkive, kur fshati bën pjesë në njësitë administrative ku ndodhet qendra e bashkisë, sipas kufijve të pagave të përcaktuara për kryetarët e bashkive, në pikën 1, të këtij vendimi. 
17.     Këshillat e njësive të vetëqeverisjes vendore miratojnë pagat e punonjësve të njësive ekonomike dhe institucioneve të varësisë, me përjashtim të rasteve kur, me ligj, është parashikuar ndryshe, duke respektuar hierarkinë e pagave të nëpunësve apo punonjësve të bashkisë përkatëse. 
18.     Në raste të veçanta, në bashkitë me deri në 20 000 banorë, kur, për mungesë kapacitetesh, ka punonjës që nuk kanë arsimin e lartë dhe punojnë në pozicione të nivelit ekzekutiv të shërbimit civil, pagat e tyre caktohen nga këshillat përkatës, në kufirin maksimal deri në 36 000 lekë në muaj.  
19.     Kufijtë e pagave bazë të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore do të jenë nga 22 000 - 36 500 lekë në muaj. 
20.      Punonjësit administrativë, përveç pagës bazë, përfitojnë shtesën për vjetërsi në punë. Kjo shtesë aplikohet në masën 1 për qind mbi pagën bazë të kufirit minimal, të përcaktuar për çdo klasë. Për llogaritjen e kësaj shtese merret për bazë vjetërsia e përgjithshme në punë, por jo më shumë se 25 vjet. 
21.      Caktimi i grupit të njësive të vetëqeverisjes vendore, për efekt page, bëhet nga prefekti, mbi bazën e numrit të banorëve të regjistrit të gjendjes civile, në fillim të çdo viti. 
22.     Vendimi nr.1619, datë 2.7.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për klasifikimin e funksioneve dhe grupimin e njësive të qeverisjes vendore, për efekt page, e për përcaktimin e kufijve të pagave të punonjësve të organeve të qeverisjes vendore”, të ndryshuar, si dhe të gjitha dispozitat e tjera, në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohen. 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 shkurt 2016.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Abuzim me tenderat/ Dënohet me 2 vite burg ish-kryebashkiakja e Patosit, Rajmonda Balilaj! I konvertohet në 2.8 vite shërbim prove

Abuzim me tenderat/ Dënohet me 2 vite burg ish-kryebashkiakja e Patosit, Rajmonda Balilaj! I konvertohet në 2.8 vite shërbim prove