Këshilli Kombëtar i PD u manipulua
ja bisedat, Mziu: Votova katër herë!

Këshilli Kombëtar i PD u manipulua<br />ja bisedat, Mziu: Votova katër herë!
Enigma e zgjedhjes së kandidatëve të PD-së në Këshillin Kombëtar në mënyrë të njëanshme nga Basha ka dalë në sipërfaqe dje nga një bisedë e rastit e bërë mes kryetarit të bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu dhe deputetit demokrat, Myqerem Tafaj.

Në bisedë mes tyre Mziu i thotë Tafajt se edhe ai ka votuar katër herë, duke pohuar më tej se kjo është dhe metoda me të cilën Basha ka arritur të zgjedhë kandidatët e tij të preferuar në Këshillin Kombëtar

Ngjarja 
Veranda e kafenesë së SHQUP-it mëngjesin e djeshëm ka qenë e mbushur me deputetë të PD-së, anëtarë, gazetarë dhe simpatizantë të djathtë. Mes klientëve të shumtë binte në sy prezenca e deputetëve Edi Paloka, Eduard Halimi, Arben Ristani dhe Myqerem Tafaj. Rreth orës 13:00, në kafenenë e PD-së, është parë të ulej edhe kryetari i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, me tre miq të tij. Për më shumë se gjysmë ore, kryebashkiaku i Kamzës u ka mbajtur ligjërata personave që kishte në tavolinë. Ai përshëndetej gati nga të gjithë klientët e rinj, që vinin për të pirë kafen te SHQUP-i. Pas çdo shtrëngimi duarsh, fjala e fundit, ose thënë më mirë batuta, që i bënte të gajaseshin pa takt, ishte ajo e Xhelal Mziut. Me të mbaruar takimin me miqtë, që dukej se kishin ardhur për t’i qarë hallin mikut të tyre, ai përqafohet me 'ta dhe shkon në tavolinën ku është ulur deputeti i PD-së Myqerem Tafaj, i cili ishte i shoqëruar nga dy persona të tjerë. 

Formula e emrave fitues
Pas batutave për golin që kryeministri Rama i bëri dy ditë më parë portierit të kombëtares, Berisha, në përurimin e stadiumit “Elbasan Arena”, biseda e Xhelal Mziut me Myqerem Tafaj është fokusuar te zgjedhjet që u mbajtën para disa ditësh në Kuvendin Kombëtar të PD-së. Ish-ministri Tafaj gjatë diskutimit për mbarëvajtjen e procesit, i ankohet kryetarit të bashkisë së Kamzës, se disa nga njerëzit e tij, nuk arritën të futen në Këshillin Kombëtar të PD-së. Numri një i bashkisë së Kamzës i përgjigjet se votat e delegatëve të Kamzës i kanë dhënë njerëzit e tij. Për ta bindur ish-ministrin, Mziu i tregon se si ai vetë ka votuar 4 herë. “Unë edhe vetë jam futur katër herë për të votuar për njerëzit e tu. Nuk bëhet fjalë që dhe krejt delegatët e Kamzës kanë votuar njësoj”, i përgjigjet Mziu ish-ministrit Tafaj. Më tej ai sqaron deputetin e PD-së se në këtë mënyrë janë zgjedhur fituesit, duke futur secili nga dy-tri fletë votimi. Ndërsa, ish-ministri i Arsimit e pranon se ai edhe vetë ka qenë neglizhent gjatë Kuvendit Kombëtar, duke mos u angazhuar sa duhet për të siguruar vota për kandidatët e tij të njohur.

“Unë, Uljdedajt (ish-deputetit të PD-së, Gjokë Uldedajt) i kam thënë që delegatët e Shkodrës të votojnë për njerëzit e mijë dhe Xhelalit që të votojnë delegatët e Kamzës, dhe tek-tuk ndonjë delegati të njohur që e kam parë aty, dhe asnjë njeriu tjetër”, thotë Tafaj. Çështja e shumëpërfolur e mënyrës së përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar, me këtë episod të treguar nga goja e njërit prej personazheve tashmë me shumë peshë edhe në kryesinë e PD-së, vulos atë që është paralajmëruar në media para fillimit të Kuvendit Kombëtar, ku u tha me të madhe se Basha po gatuante skenarin se si të zgjidhte të preferuarit e tij. Në bisedën që Mziu po bënte me Tafajn, ndër të tjera ata prekën edhe çështjen për numrin e vogël të delegatëve që kishin ardhur për të votuar. Sipas tyre, mungesa e madhe e delegatëve në Kuvendin Kombëtar i ka lënë shteg njerëzve të Bashës që të nënvizonin në fletët e votimit emrat e kandidatëve që dëshironin. Në daljen e saj të parë, zëdhënësja e re e Partisë Demokratike, Oriela Nebiaj, deklaroi se pjesëmarrja në këtë proces votimi ka qenë rreth 67 %, nga 7500 delegatë të PD që pritej të merrnin pjesë në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Kuvendit Kombëtar të PD-së. Pas numërimit të votave, nga PD-ja u deklaruar se kanë votuar rreth 5300 delegatë.

Por, nga ajo që dukej ditën e votimit, numri i delegatëve i llogaritur në bazë të karrigeve që ka salla e Pallatit të Kongreseve dhe holli i saj nuk shkon më shumë se 3 mijë delegatë. Formula e votimit sipas mënyrës së kryebashkiakut të Kamzës mund të ketë qenë ajo që ka rritur përqindjen e votuesve. Mendohet se këto vota kanë qenë vendimtare për thellimin e diferencës mes kandidatëve të mbështetur nga Basha dhe pjesës tjetër. Zgjedhja e emrave anonimë dhe pa kontribut të madh në Partinë Demokratike është shoqëruar me një sërë reagimesh nga demokratët e vjetër. Një pjesë e këtyre emrave të rinj, si Grida Dume, e cila ka dalë ndër më të votuarat me skenarin e parapërgatitur nga Basha, shumë shpejt do të njohin ngjitje dhe do të përfaqësohen dhe Kryesinë e madhe të PD-së. Ndërsa një pjesë e emrave që nuk do të kenë mundësi të futen në Kryesinë e Madhe të PD-së do të kenë pozicione të larta, nëpër sekretari, deri tek drejtuesit e departamenteve, përgjegjës për përgatitjen e platformave politike në PD, përfshirë këtu departamentet e tjera që merren me krijimin e programit, etj. 

Biseda mes Xhelal Mziut dhe Myqerem Tafajt 

Tafaj: "E la të fortë dje Rama në Elbasan. Di të luajë...” 

Mziu: "Ishte gjetje. Rama i bën gol Berishës. Ai këtë gjë di të bëjë. Berisha bën rrugën Durrës-Vlorë dhe nuk bëhet fare e madhe, ndërsa ai me rastin e vizitës së Papës, mbolli ca bar dhe ca lule anash rrugëve që i bëri Berisha dhe bëhet gjithë ajo reklamë. Thua se çfarë është duke bërë. Ai gjithmonë këtë gjë ka bërë. Ka ditur të luajë me median". 

Tafaj: "Po, ajo puna e zgjedhjes së anëtarëve në Këshillin Kombëtar ishte e madhe". 

Mziu: "Çfarë të bëja më shumë. Unë timen e bëra. Jo vetëm që i thashë delegatëve të Kamzës të votojnë, por u futa edhe vetë katër herë të votoja". 

Tafaj: "Unë nuk u angazhova shumë për vete. Unë, Uldedajt i kam thënë që delegatët e Shkodrës të votojnë për njerëzit e mi dhe Xhelalit që të votojnë delegatët e Kamzës, dhe tek-tuk ndonjë delegati tjetër që më kanë zënë sytë aty. Nuk është se vrapova shumë". 

Mziu: "Nuk u angazhuam shumë. Aty fitoi kush ishte më i zoti. Kishte prej atyre që mbushnin kutitë dhe nuk i thoshte kush se çfarë je duke bërë". 

Tafaj: "Dihej ajo punë. Iku si muhabet. Të shohim se çfarë do të bëjmë më tutje". 

Mziu: "Një miku im që është dhe gjithë ai intelektual, kur ishte në Amerikë gjatë gjithë kohës bënte fotografi. Ku shihte parqe, ndërtesa të mëdha bënte fotografi. Tek ajo statuja... si e ka emrin, është ndalur gjysmë ore. Tek ajo statuja more si e ka emrin?" 

Tafaj: "Tek statuja e Lirisë në New York".

Mziu: "Po pra, te Statuja e Lirisë, se nuk më vinte emri, ngeli aty duke bërë fotografi. Nuk shkulej tjetri". 

Një i tretë në tavolinë: "A të kujtohet...." 

Tafaj: "Po po. Kishte konkurruar për një vend pune dhe kur pashë emrin e tij e rregullova. Ai nuk më kishte thënë. Rastësisht i pashë emrin. Po ti çfarë bëre me çështjen e gjyqit?" 

Mziu: "Me atë jam duke u marrë. Besoj se do e mbyll shpejt". 

Marrë nga "Shekulli"

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Skandali/ Tifozët e Çekisë përdhosin simbolet e Shqipërisë, kore raciste dhe shpalosin flamurin serb! Reagon FSHF: Akte të turpshme! Do ankohemi në UEFA

Skandali/ Tifozët e Çekisë përdhosin simbolet e Shqipërisë, kore raciste dhe shpalosin flamurin serb! Reagon FSHF: Akte të turpshme! Do ankohemi në UEFA