E dinë përgjigjen e Ramës. Kur Nano i kërkoi kandidimin në selinë e PS, Rama u përgjigj për herë të parë: PS nuk mund të propozojë kandidat se nuk i ka votat për ta zgjedhur. Deri në mbremjen e së dielës, kryetari i opozitës e ka përsëritur disa herë këtë fjalë. E dinë përgjigjen e Ramës edhe për Xhezair Zaganjorin. Në këto pak ditë që nga mbrëmja e 29 majit, ai e ka refuzuar kandidaturën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese në parim. PS kërkon një kandidat të përbashkët jo një kandidat të njëanshëm. Por megjithëse i dinë përgjigjet e Ramës, krerët e maxhorancës kanë vendosur unanimisht t’i japin opozitës vetëm 2 mundësi, të pranojë kandidatin e shpallur, ose të propozojë një kandidat tjetër. Për më tepër, duke lënë vetëm këto dy mundësi maxhoranca e quan të përfunduar përpjekjen për konsensus dhe pret reflektimin e opozitës. Nëse përpjekja për konsesus do të ishte një pikë më e madhe, atëherë do të dukej më e sinqertë. Kaq sa është nuk mjafton. E quajnë hap të madh të Berishës, që tejkaloi vetveten duke propozuar një kandidat që nuk është Jozefina Topalli apo një tjetër drejtues i Partisë Demokratike. Por çfarë alternativash kishte Berisha përveç “tejkalimit të vetvetes”? Më 66 deputetë të PD-së plus Fatmir Mediun dhe ndoshta dy deputetët e PDIU, kryeministri, jo vetëm nuk mund të zgjidhte presidentin, por rrezikonte të konfirmonte zërat për mungesën e maxhorancës pas lëvizjeve të Metes në fillim të majit. Aq më tepër nëse Fryma e re Demokratike e Oketës do të aktivizonte ata deputetë që predenton se ka në radhën e grupit parlamentar të PD-së. Ndaj kryeministri u nis në aksionin për “tejkalimin e vetvetes”, jo për presidentin, por për qeverinë. Pas disa takimeve me Metën dhe me 2 aleatët e tjerë, Berisha u shfaq mbrëmjen e 29 majit, i relaksuar. Të gjithë qeshnin të kënaqur nga bisedimet. Lista e kandidatëve u shpërnda përpara mbylljes së takimit me emrin e Zaganjorit. LSI e mohoi ta kishte shpërndavë vetë listën që nuk doli e pasaktë. Një nga emrat ishte Zaganjori. Meta e takoi i pari. Ai e mbështeti dhe vazhdon ta mbështesë më shumë se të tjerët. Takimi i të martës kishte gjetur një kandidat për president, që garantonte konsensusin brenda maxhorancës, që do të thoshte garantonte vazhdimësinë e qeverisë dhe rrëzonte idenë e Ramës për një maxhorancë të re në parlament. Ishte i njëjti “tejkalim i vetvetes” që Berisha kishte firmosur në 2009 për të gjetur numrat e mandatit të dytë si kryeministër. Me maxhorancën e garantuar, me Ramën e vetëdalë nga proçesi dhe me një kandidat ata e quajtën të kryer misionin. Në raport me opozitën ndoshta po, por në raportin me Kushtetutën nuk mjaftonte. Në 3 raundet e para Kushtetuta kërkon 84 vota, ndërsa Berisha kërkoi 73 vota. Nëse Berisha do të kërkonte president, do të duhet të insistonte në negociatat me Ramën që i ka votat, jo me aleatët e tij. Deri në raundin e tretë zgjedhja e presidentit u takon dy partive të mëdha. Këtë thotë Kushtetuta, të cilës vetë kryeministri i referohet si trofeut të fituar në vitin 2008. Nëse Berisha do të kërkonte President, të dielën do të ishte më i hapur me Ramën. Ndërsa Berisha u fut në proçes për të garantuar qeverinë, kryetari i opozitës u fut me paramendimin për të përjashtuar Nanon. Paramendimet dhe prapamendimet u bënë lëmsh pas takimit me Metën. Rama filloi të shikonte një tjetër maxhorancë presidenciale, një tjetër maxhorancë qeverisëse dhe një tjetër kryeministër. Këto nuk duroi as t’i mbante për vete. Por, ndërsa shkruante për një maxhorancë të re me Ilir Metën, asnjëherë nuk e futi Fatos Nanon që mund të ishte presidenti i këtyre ëndrrave. Ndaj sot, kur ka vetëm 2 mundësi nga maxhoranca dhe presionin e hapur të Nanos për ta kandiduar, Rama gjendet i pafuqishëm për të reaguar. Ai e ka lënë presidentin në dorë të maxhorancës. Të dielën deklaroi se maxhoranca ka të drejtën e propozimeve dhe opozita të drejtën e zgjedhjes. Ky është një dorëzim jo i plotë, maxhoranca nuk është e kënaqur. Dy raundet e para u mendua për përfitimet nga zgjedhja e presidentit, jo për presidentin. Këto qëllime sollën në skenë këtë kandidat dhe këtë proces të dështuar deri tani. Të premten ose të hënën do të jetë votimi i fundit ku opozita është e domosdoshme. Në raundet pasardhëse formalisht janë votat për të zgjedhur Zaganjorin apo një tjetër kandidat të maxhorancës. Emri i Zaganjorit u bë shumë shpejt simboli i prishjes së proçesit. Nëse maxhoranca nuk e hap mundësinë e bisedimeve pa kandidat të paravendosur, vetëm tërheqja e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese mund të shpëtonte proçesin. Ndoshta me tërheqjen Zaganjori mund t’i shërbente shumë më mirë vendit dhe mund të tregonte se ishte kandidati i duhur për President.
(sg/shqiptarja.com)