Ka shpëtuar miliona jetë! Pse vaksinimi i detyrueshëm nuk është gjë e re

Ka shpëtuar miliona jetë! Pse vaksinimi i detyrueshëm nuk është gjë e re

Foto ilustruese

Për Virginia Mason Franciscan Health, një qendër shëndetësor në shtetin amerikan të Uashingtonit, 18 tetori ishte dita e bilancit. Dhjetë javë më parë, qendra kishte deklaruar se i gjithë stafi i saj do të duhej të vaksinohej kundër Covid-19 deri në këtë datë, në mënyrë që të mbroheshin nga Covid-19 si ata që punonin në qendrën shëndetësore po ashtu edhe pacientët e tyre.

Ajo ishte një kërkesë potencialisht e rrezikshme, duke pasur parasysh mungesat në personelin mjekësor dhe rezistencën ndaj vaksinimit që po trondit pjesë të tjera të sektorit shëndetësor në SHBA. Por kur erdhi 18 tetori, 95 për qind e stafit e kishte plotësuar kërkesën nëpërmjet vaksinimit apo përmes largimit nga puna.

Sharlin Takibana, drejtuese e qendrës që e ka kaluar të gjithë karrierën e saj në Virginia Mason, beson se kjo shkallë e lartë e vaksinimit,vjen pjesërisht për shkak se “ne kemi një histori të gjatë të vaksinimit të detyrueshëm”.Në vitin 2004, Virginia Mason u bë qendra e parë shëndetësore në SHBA që i kërkoi të gjithë stafit të saj që të vaksinohej kundër gripit çdo vit.

Administrata përdori aktivitetet argëtuese për të inkurajuar përmbushjen e këtij kriteri nga stafi. Qasja e kombinuar e “karotës” dhe “shkopit” rezultoi shumë e suksesshme, dhe shkalla e vaksinimit me vaksinën kundër gripit nga stafi i Virginia Mason u rrit brenda 2 vitesh nga 54 në 98 për qind.

Siç e tregon përvoja e Virginia Mason, vaksinimi i detyrueshëm është një mjet i fuqishëm për ruajtjen e shëndetit publik. Por kjo praktikë mund të jetë gjithashtu shumë e kontestuar. Në disa aspekte, qëndrimet kundër kërkesës aktuale për t’u vaksinuar ndaj Covid-19 pasqyrojnë modelet e shekujve të mëparshëm. Dhe kjo e bën shumë të rëndësishëm kuptimin e leksioneve historike që duhet të nxjerrim nga vaksinimi i detyrueshëm.

Në shekullin XVII, mjekët kinezë zbuluan se kur lija e lopës aplikohej mbi një plagë, ajo mund të prodhonte imunitet ndaj një infeksioni më të rrezikshëm:sëmundjes së lisë. Ndërsa kjo praktikë u përhap në të gjithë globin, disa udhëheqës politik e bënë të detyrueshëm këtë lloj vaksinimi.

Për shembull, gjatë Luftës Revolucionare Amerikane në vitin 1777, gjenerali Xhorxh Uashington kërkoi vaksinimin e të gjitha trupave kundër lisë. Ai lloj vaksinimi i la vendin një vaksinimi më të sofistikuar kur mjeku anglez Eduard Xhener zhvilloi një vaksinë kundër lisë në vitin 1796.

Vaksinimi i detyrueshëm filloi vetëm disa vjet më vonë. Në vitin 1806, Eliza Bonapart, sundimtarja e Luka dhe Piombinos në Italinë e sotme (dhe njëherazi motra e Napoleonit), urdhëroi vaksinimin e foshnjave të porsalindura dhe të rriturve.

Një tjetër moment historik u regjistrua në vitin 1853, kur Akti i Vaksinimit të Detyrueshëm kërkonte vaksinimin kundër lisë të foshnjave në Angli dhe Uells. Edhe pse disa vaksina, si ajo kundër poliomielitit ishin fillimisht popullore, një model i dukshëm është se publiku mësohet me kalimin e kohës me një vaksinë të caktuar, por pastaj disa njerëz tremben nga një vaksinë e re.

“SHBA ka disa vaksina të detyrueshme që nga fundi i viteve 1970”- thotë Li Hempton, pediatër dhe epidemiolog mjekësor në GAVI, Aleanca globale e Vaksinave. Italia kërkon vaksinimin e të gjithë fëmijëve kundër një sërë patogjenësh si hepatiti B, difteria, pertusis, poliovirusi, tetanosit, fruthi, shytat, rubeola dhe variçela.

Sipas Hempton “vetë vaksinimet e detyrueshme nuk kishin shkaktuar ndonjë problem”. Sipas tij, ajo që ka pësuar ndryshime me kalimin e kohës në këtë kontekst, është kur ndryshon vaksina që bëhet e detyrueshme.“Për shembull ky model është parë me kërkesat e reja për vaksinimin kundër hepatitit B, antraksit dhe sigurisht tani ndaj Covid-19”- thotë ai.

Vaksinimet e detyrueshme janë veçanërisht të zakonshme tek vendet me të ardhura të larta. Po ashtu mendohet se ka një lidhje edhe me stilin e qeverisjes, ku “sa më autoritare të jetë qeveria, aq më shumë ka të ngjarë të ketë vaksinime të detyrueshme”. Për shembull, Gambia vendosi vaksinimin e detyrueshëm të fëmijëve në vitin 2007, gjatë një periudhe sundimi autoritar.

Megjithatë, vaksinimi i detyrueshëm është gjithashtu i zakonshëm në vendet demokratike në situata emergjente, si për shembull gjatë pandemive. Për shembull, shteti amerikan i Nju Jorkut vendosi vaksinimin e detyrueshëm ndaj gripit për punonjësit e kujdesit shëndetësor gjatë pandemisë së gripit të derrit në vitin 2009.

Përgjatë shekujve janë shfaqur disa kundërshtime mbi përbërësit e përdorur tek vaksinat. Disa vaksina përfshijnë sasi të vogla të produkteve shtazore, si skualeni, një vaj që nxirret nga mëlçitë e peshkaqenëve. Ndërkohë, vaksina e poliomielitit përdorte qeliza nga veshkat e majmunit. Këto lloj përbërësish kanë çuar në kundërshtimin e vegjetarianëve.

Vaksina e hershme e lisë, përfshinte limfën e lisë së lopës, e marrë nga fshikëzat e viçave.

Për pjesë të lëvizjes vegjetariane në Britaninë Viktoriane, kjo ishte diçka e neveritshme. Ndërkohë, indet e derrit kanë bërë që disa myslimanë të shqetësohen nëse disa vaksina janë hallall.

Kjo qasje e sfidoi jo pak fushatën e vaksinimit kundër fruthit në Indonezi në vitin 2018. Kohët e fundit, klerikët myslimanë në Indonezi kanë deklaruar se vaksinat kundër Covid-19 janë të lejueshme, dhe se prodhuesit e vaksinave Covid-19 kanë deklaruar se këto vaksina nuk përmbajnë produkte të derrit.

Një element tjetër i kontestuar janë pjesëzat qelizore të fetuseve pas aborteve, që janë kryer ligjërisht dekada më parë. Ato vazhdojnë të përdoren në testimin e disa vaksinave dhe zhvillimin e të tjerave. Pavarësisht kësaj, Vatikani i ka shpallur “moralisht të pranueshme” vaksinat kundër koronavirusit.

Ndërsa do të ketë mosmarrëveshje midis sekteve dhe individëve, sidomos aty ku feja është shumë e decentralizuar -si për shembull në mesin e të krishterëve ungjillorë në SHBA-asnjë nga fetë e mëdha nuk e ndalon vaksinimin. Në fakt, përgjatë historisë zyrtarët fetarë kanë luajtur rol të rëndësishëm në inkurajimin dhe zbatimin e vaksinimit.

Tek e fundit, ruajtja e shëndetit të besimtarëve është në interesin e tyre. Kur zgjidhen me kujdes, nuk ka asnjë dyshim se vaksinimet e detyrueshme mund të shpëtojnë jetë. Për shembull, një studim zbuloi se pacientët kishin shumë më pak gjasa të vdisnin në spitalet ku punonjësit e kujdesit shëndetësor kishin shkallë më të lartë të vaksinimit kundër gripit,  krahasuar me ata me përqindje të ulëta, edhe pse pacientët kishin njëlloj gjasa të infektoheshin me virusin.

Një tjetër studim evropian zbuloi gjithashtu, se në vendet me vaksinime të detyrueshme kundër fruthit, incidenca e sëmundjes ishte 86 për qind më e ulët se sa në vendet pa ligje të tilla. Disa ekspertë janë kundër vaksinimit të detyrueshëm, pasi politika të tilla mund ta zbehin besimin tek autoritetet mjekësore për një periudhë afatgjatë.

Vaksinimi i detyrueshëm ka shkaktuar trazira të dhunshme në Brazil,të cilat mund të kenë kontribuar në lëvizjet e zhurmshme kundër vaksinave në të gjithë Evropën. Vaksinimet e detyrueshme janë “diçka për t’u përdorur me masë” thotë Hempton.

Kushtet për përdorimin e tyre duhet të përfshijnë “praninë e një sëmundjeje kërcënuese për jetën, veçanërisht një sëmundje shumë ngjitëse dhe kërcënuese për jetën, dhe një ndërhyrje të sigurt dhe efektive për reduktimin e transmetimit të asaj sëmundjeje”./ Nga Christine Ro, BBC – Bota.al

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • HMMM: 10/11/2021 12:18

    https://shqiptarja.com/sondazh/a-duhet-te-kete-lehtesira-per-personat-e-vaksinuar-kunder-covid19

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë