Për të katërtin vit radhazi në Krutje të Lushnjës u organizua festivali “Kabaja Myzeqare”, i cili solli me mjaft mjeshtëri artistike, traditat e sazeve popullore të qyteteve të ndryshme të vendit tonë.
Udhëheqësi artistik i këtij festivali, regjisori Shahin Petritaj, u shpreh se kjo traditë do të vazhdojë me qëllim për të ruajtur muzikën burimore popullore të sazeve që përdoren në dasma e gëzime kryesisht në zonën e Myzeqesë.
“E zhvillojmë në mes të popullit dhe jo në salla. Është lëvruar në popull. Marrin pjesë shumë grupe ku lëvrohet kabaja Myzeqare”, tregoi regjisori Shahin Petritaj.
Kryebashkiakja e Lushnjës, Eriselda Sefa tha se detyre e gjithkujt është që këto tradita të ruhen.
“Kabaja Myzeqare është një pasuri e trashëgimisë sonë kulturore dhe patjetër që detyra jonë është që ta ruajmë dhe trashëgojmë”, tha kryetarja e Bashkisë Lushnjë.
Në këtë event ishin pjesë grupet e sazeve nga Lushnja, Fieri, Divjaka, Dimali, Berati, Belshi, Patosi e tjerë.
Në përfundim të konkurrimit u shpërndanë edhe çmime për fituesit. Vendin e parë e zuri grupi i sazeve popullore të Roshnikut nga qarku Berat.