Kadare: Kurthi serb, turqizimi ynë
dhe armiqësimi me Evropën

Kadare: Kurthi serb, turqizimi ynë<br />dhe armiqësimi me Evropën
TIRANE- Shkrimtari: Rritja e disa grupeve antiperëndimore mes shqiptarëve, të indoktrinuar nga ideologji ekstremiste fetare është një akt mosmirënjohje. Ky është një projekt i hershëm serb, famëkeqi draft i Cubriloviçit për të larguar shqiptarët nga Evropa....

Për fat të keq, bota i sheh shqiptarët më keq se ç’janë, më pak të emancipuar dhe më shumë të pagdhendur. Për një vizion të pasaktë, vështruesi mund të ketë gabimin apo fajin e vet. “Në rastin tonë nuk mendoj se ka ndonjë dashakeqësi të programuar. Ka qenë më tepër ndërlikim fatkeq rrethanash”, kështu thotë në një intervistë ekskluzive për gazetën “Zëri”, shkrimtari Ismail Kadare. Në përvjetorin e çlirimit të Kosovës, Kadare rikujton se 15 vjet më parë në historinë e Evropës dhe të SHBA-ve ndodhi diçka tepër e rrallë, për të mos thënë e panjohur, një luftë e një lartësie morale të paparë, që kryente pjesa më e përparuar e botës, për mbrojtjen e një populli gjysmë të humbur e të braktisur.

“Me dhjetëra kanë qenë popujt që kanë ëndërruar një mbrojtje të tillë e që, për fat të keq, nuk e kanë pasur dot”, shton Kadare.
Kështu që, sipas tij, mirënjohja shqiptare duhet dhe do të jetë, pa dyshim, e pafundme. Por sa i përket rritjes së disa grupeve antiperëndimore mes shqiptarëve, të indoktrinuar nga ideologji ekstremiste fetare, Kadare thotë se ky akt është më shumë se mosmirënjohje. Sipas tij, ky është një projekt i hershëm serb. “Famëkeqi drafti i Cubriloviçit, i cili ka parashtruar rrugën për të tërhequr në kurth shqiptarët. Thelbi i kurthit ka qenë armiqësimi shqiptarë - Evropë.

Në këtë draft, një vend i veçantë i kushtohej rolit që do të luanin imamët dhe hoxhallarët e Kosovës për shpërnguljen e një pjese të kombit shqiptar jashtë Evropës. Dhe sidomos për turqizimin e tij”, shton gjatë intervistës Kadare. Ai flet edhe për politikën e Beogradit ndaj shqiptarëve.
 
Kosova gjashtë vjet shtet i pavarur, në anën tjetër kemi Shqipërinë mbi 100 vjet shtet. Çfarë drejtimi janë duke marrë shqiptarët?
Siç është thënë shpesh, shqiptarët pas një shkëputjeje të gjatë, po rikthehen më në fund në kontinentin e tyre. Kahu që janë duke marrë shqiptarët, përpara se të cilësohet i tillë, apo i atillë, mendoj se ka një cilësim: ai është kahu i vetëm. Çdo kah tjetër nuk do të ishte veçse një rrugë pa krye, një moskah, po të përdorim një fjalë të guximshme.

Shkëputja nga Evropa dhe rikthimi në të, është një histori sa e vjetër aq dhe e re. Ka nisur, siç dihet, me spanjollët, ka vazhduar me krejt ballkanasit, me europianoqendrorët, me balltikasit, për të arritur gjer në ditët tona, kur gjaku nisi të derdhet në Ukrainë, mu në sytë tanë.

Për secilin nga këta popuj, që fati e solli të kenë pasur ndërlikim me arabët, me osmanët ose me ish-hapësirën sovjetike, e cila pas rënies së nazizmit, zgjodhi përsëri kundërvënien ndaj Evropës, shkëputja dhe rikthimi kanë qenë një dramë e vërtetë. Me ne s’kishte pse të ndodhte ndryshe.

Në numrin e nesërm mund të lexoni: A po fryn erë e përçarjes në mes dialekteve? Si e sheh Kadare debatin mbi standardin e gjuhës shqipe, a duhet rishikuar njësimi i 1972-shit? Nga po shkon kombi shqiptar...

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike