TIRANË - Deputeti Gjovalin Kadeli braktis opozitën për të kaluar në radhët e mazhorancës, dhe për më tepër duke fuqizuar partinë e Metës. Lajmin e konfirmoi vetë deputeti i qarkut Lezhë, duke bërë me dije se ai do të shkëputet nga grupi parlamentar demokrat për të kaluar në atë të LSI.

Duke bërë që grupi parlamentar i kësja partie të zgjerohet dhe më, në 19 deputetë, ndërsa mazhoranca në total arrin në 85 deputë. Opozita zbret dhe më, në 55 deputetë. Kadeli deklaroi se kjo lëvizje e tij nga opozita e djathtë drejt të majtës në mazhorancë e konkretisht drejt LSI të drejtuar nga kryetari aktual i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta kishte ardhur për shkak të takimeve në zyrën e tij të deputetit me mbështetës të tij, takime këto që i realizon si gjithnjë me ta, me të cilët kishin diskutuar për pozicionin e tanishëm si deputet i PD.

“Janë ish-kryetarë organizatash, bashkish, komunash që më kanë mbështetur gjithnjë në rrugën time politike. Bëj takime të përmuajshme me ta. Kam patur ngacmime të herëpashershme për shkak të gjenezës dhe mënyrës si u katapultova për të qenë deputet i PD. Mbase kjo kohë shërbeu për të qartësuar mendimet mes nesh por dhe me veten time. Me këta njerëz kam një jetë të tërë, 20 vite me ta. Ne jemi në këtë pozicion pasi dera e PS u mbyll në një kohë kur ne punuam për të ardhur një ditë në pushtet në mënyrë që të implementojmë atë program që kemi paraqitur. Pavarësisht se ishim në krah të votuesve të PD Lezhë, ishim pranë dhe të kolegëve, duke bërë të mundur ruajtjen e mandatit të katërt”, deklaroi Kadeli për mediat, duke nënvizuar se kjo tregoi se PS janë këta dhe kanë të drejtën morale që ti kërkojnë llogari.

“Unë sëbashku me këta njerëz kemi vendosur që unë të largohem nga PD, grupi parlamentar i PD për të qenë pjesë e grupit parlamentar të LSI. Edhe në fillimet parazgjedhore unë kam kontaktuar me zotin Meta që të jem pjesë e ekipit të tij, por zoti Meta u vonua në përgjigje pasi kalkulonte numërikisht listat e tij në gjithë Shqipërinë dhe në atë kohë u paraqit nevoja e votës në Kuvend lidhur me anëtarin e Kolegjit dhe me mbajtjen e qeverisë në mënyrë që të përmbushte detyrimin për zgjedhje të lira. Ato zgjedhje u realizuan mrekullisht mirë falë një njeriu që quhet Sali Berisha” tha ai. Pas deklaratës së deputetit Gjovalin Kandeli për kalim në radhët e LSI vjen reagimi nga kjo parti.

Nga LSI bëhet me dije se nuk është marrë asnjë kërkesë zyrtare nga Kadeli për t’ju bashkuar partisë. Ajo bën me dije se me kërkesën e deputetit Kadeli u njohën ashtu si të tjerët përmes medias, një deklaratë kjo standarde e LSI e bërë dhe pas kalimit të republikanit Luan Duzha te grupi parlamentar i kësaj partie. Kadeli ka qënë deputet i PS deri një muaj përpara se parlamenti i kaluar të pushonte së funksionuari, ndërsa pas mospërfshirjes në listat e kandidatëve për deputetë në listat e PS, ai kaloi në grupin e PD dhe më pas si i dyti në listën e kandidatëve të PD për qarkun e Lezhës hyri në Kuvend.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)