Kadilli: Zgjedhjet i fitoj unë, s'kam rival! Të tjerët kanë ide të konsumuara! Do luftoj për hapjen dhe bashkimin e PD (VIDEO)

Fatbardh Kadilli, kandidati për kryetar i PD-së, shpalosi programin e tij për PD ku bazë e saj ishin bashkimin dhe kthimin në një fituese. Pjesë e programit të Kadillit është edhe rishikimi i Kushtetutës, si rishikimi i ndarjes territoriale, rishikim i Kodit Zgjedhor etj. që sipas tij do të vendosin balancën institucionale në vend.

Teksa shprehu bindjen se në këtë garë nuk ka rival dhe se do fitojë më 13 qershor, Kadilli shtoi se gara është mes tij dhe Bashës, pasi kandidatët e tjerë (Agron Shehaj dhe Edith Harxhi) janë të konsumuar në ide dhe nuk sjellin asgjë të re.

Kadilli tha se synimi i tij është një parti e hapur, të bashkuar dhe fituese duke e kthyer atë në një parti më të madhe se kryetari dhe se duhet të ndahet roli i lidershimit nga administratori i partisë.

"Duhet t'i japim fund një politike që riprodhon modelin e shekullit 20 të partisë së punës. Dua të kërkojë ndjesë që koha e shkurtër në dispozicion nuk më lejoj  të takojë çdo anëtar të PD dhe të shkojë në çdo degë, por turi im nuk ndalet më 13 qershor, por me fitoren aty do të vijo turin për largimin e  Edi Ramës. Kam kërkuar një PD të pastër, të hapur dhe fituese, për një parti më të madhe se kryetar, ndarja e rolit të kryetarit nga administratori i partisë. Strukturat e partisë do të jenë në bazë elektoralë. Në çdo ZAZ do të ketë një person i zgjedhur 'me një anëtar një votë'. Do të legjitimohen fraksionet.  Çdo anëtar mund të krijojë 'partinë' e tij. Këshilli i të Urtëve vetëm do të miratojë. Do të bëjmë një forum rinor që i afron të rinjtë.  Në kohën  e Iphohe do të kemi një 'Iforum'. Forumi i grave do të riorganizohet. Do të kemi një raport tërësisht tjetër me median. PD do të shndërrohet në një lëvizje mbarëpopullore dhe do të frymëzojë të gjithë shoqërinë. Unë do të zgjoj individin politik. Qëllimi ynë është që të kemi një PD që ndahet nga çdo trashëgimi e keqe, edhe e vetvetes", tha Kadilli.

PLATFORMA E PLOTË E FATBARDH KADILLIT

NJË PD E PASTËR, E HAPUR, E BASHKUAR, FITUESE

Për një parti më të madhe se kryetari

1-Ndarja e rolit të Kryetarit nga administratori i Partisë: Kryetari e udhëheq politikisht partinë për katër vjet. Mandati i kryetarit mbaron automatikisht me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve. Ai ose është Kryeministër, ose largohet.

2-Administrimi i Partisë do të drejtohet nga një këshill të urtësh që do të ketë mandat 6 vjeçar. Këshilli regjistron anëtarësinë, strukturat dhe drejton proceset zgjedhore në parti për forumet dhe kandidatët për Bashki dhe Parlament. 

3-Parimi ‘një anëtar, një votë’ për zgjedhjen e çdo kryetari, nga seksioni te Kryetari i partisë. Primaret për kandidatët për Bashki dhe Parlament, të paktën një vit përpara zgjedhjeve.

4-Struktura e partisë ndërtohet mbi bazën e garës elektorale. Çdo ZAZ do të ketë kryetar që zgjidhet me ‘një anëtar, një votë’ dhe që është deputeti i ardhshëm, ose në rast humbje, përfaqësuesi i popullit të atij territori.

Për një PD të Hapur dhe të Bashkuar

5-Struktura e partisë do të jetë elastike. Seksione, jo vetëm territoriale, por edhe mbi baza profesionesh, grupesh interesi dhe profilesh. Veç forumeve vertikale në territor, edhe forume horizontale.

6-Legjitimimi i fraksioneve: Çdo anëtar/e mund të krijojë ‘partinë’ e vet. Nuk të cakton askush kryetar. Merr iniciativën dhe krijo forumin tënd.

Për një PD më të madhe se Vetja

7- Jo më një Forum rinor i plakur, me gjuhë dhe sjellje të plakur, që shërben si dekor aktivitetesh partie dhe qëndron në paradhomën e partisë për t’u infektuar nga sëmundjet e politikës, por një forum që afron rininë, kauzat dhe shqetësimet e saj, aksionin dhe qëllimet e saj në parti. Një forum i epokës digjitale ku çdo i ri apo e re kontribuon me aksionin e vet me agjenden e vet, me idetë dhe nismën e vet.

8-Jo më një forum grash, pasionante të PD që çojne PD te Gratë. Por, një Lidhje Grash që sjellin shqetësimet, kauzat, interesat, projektet, nismat e grave në PD.

9-Një raport tërësisht i ri me median dhe aksionin qytetar. Shoqëria është shumë më pluraliste se politika. Shoqëria ka prodhuar shumë më tepër vlera se politika. Ky partneritet e bën PD më të madhe se vetja.

Për një PD fituese

10-PD do të ketë kauzat e reja që reflektojnë interesat e kësaj shoqërie plurale, dhe jo kauza ngushtësisht politike, apo vetëm me përfitim politik.

Frymezuese

PD që shnëdrrohet në lëvizje popullore, është ajo që frymëzon jo vetëm veten, jo vetëm mbështetësit por gjithë shoqërinë.

Një PD që ngrihet mbi tre kollona:

•             Një forcë politike që ka lidhje të shkurtër dhe të pandërprerë me qytetarin, me shqetësimet dhe  interesin e qytetarit politik. Zgjimi i individit politik.

•             Një forcë politike partnere e besushme që nuk zhgënjen. Një forcë politike që ndërton vetem mbi vlera, partneritetin me qytetarin, me shoqërinë civile, mediat, biznesin dhe partnerët strategjik që mbrojnë sigurinë dhe demokracinë në Shqipëri dhe orientimin Perëndimor.

•             Një PD që riorganizohet duke garantuar hapësirë për cdo individ politik të shprehi talentin, ambicien, forcën, përfaqësimin dhe idetë politike, që garantojnë zhvillimin e kauzave politike nga cdo kush, zhvillimin e karrierës në mënyrë të papenguar nga burokracia politike.

Një PD e vërtetë

Një PD që manifeston në cdo gjë vlerat që promovon. Një PD që sillet dhe vepron në përputhje absolute me cfarë shpall. Një PD që ka të njëjtin standard si për vete ashtu dhe për kundërshtarët.

Një PD që ndahet nga cdo trashëgimi e keqe edhe e vetvetes

Detyra e PD është largimi nga pushteti i Ramës dhe i modelit të qeverisjes dhe politikës ku politika, media, biznesi dhe bota e nëndheshme janë shndërruar në një pushtet abuzues mbi qytetarin.

Ndryshoj PD që të Ndryshoj Shqipërinë

PD që une do drejtoj do luftojë për rishikimin e funksionimit të republikës sonë:

Rishikimi i ndarjes administrative sipas zërit të qytetarëve, sipas parimit të subsidiaritetit dhe sipas modeleve që u diskutuan në mënyrë të pavarur nga axhenda e pushtetit dhe i formatuar në një propozim alternativ nga shoqata e komunave;

Rishikimi i Kodit Zgjedhor për të garantuar përfaqësim dhe stabilitet qeverisës;

Plotësimi i organeve të drejtësisë për një drejtësi eficiente. Demokracia dhe Liria amerikane që është modeli im, nuk u mbrojt nga politika por u mbrojt nga gjykatat dhe sistemi i drejtësisë;

Forcimi i demokracisë direkte - referendumi mjet i vullnetit të popullit; referendumi lokal ushtrimi i demokracise dhe perfshirjes;

Rishikimi i kushtetutës, ose ribërja e saj për të rivendosur në balancë institucionet e kuvendit, qeverisë dhe presidentit;

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:38
A do e përjashtonit Berishën nëse bëheni kryetar i PD? Kadilli: Ai është  institucion, e vendos vetë distancën (VIDEO)

Fatbardh Kadilli, teksa u pyet nëse do ta largonte Sali Berishës nga PD nëse zgjidhjet në krye të PD, tha se ish-kryeministri është institucion më vete dhe jo deputet dhe si i tillë Berisha e vendos vetë distancën mes tij dhe PD-së, si të jetë më e shëndetshme për Partinë Demokratike.

“Unë flas për PD të përbashkuar, nuk ka PD që përjashton. Berisha është institucion, nuk është deputet. Është vetë zoti Berisha që vendos distancën e shëndetshme mes Berishës si institucion dhe institucionit të PD-së, e them këtë duke pasur parasysh se përse e bëni pyetjen”, tha Kadilli.

Ora 12:27
Kadilli: Më 13 qershor fitoj unë. Askush prej kandidatëve të tjerë nuk ka asgjë të re

1621938258_14.jpg

Kandidat për kryetar i PD-së, Fatbardh Kadilli, u shpreh sot se ai do të jetë kryetari i rii Partisë Demokratike më 13 qershor. Sipas tij asnjë prej kandidatëve të tjerë nuk ka asgjë të re.

"Më 13 qershor fitoj unë. Askush prej kandidatëve të tjerë nuk ka asgjë të re. Jemi brenda të njëjtës kënetë", tha Kadilli.

 

Ora 12:20
Kadilli nuk vlerëson kandidaturat e Shehajt dhe Harxhit: S'kam rival, ata nuk sjellin asgjë te re me ide të konsumuara (VIDEO)

Fatbardh Kadilli duket se nuk trembet nga kandidatë e tjerë për kreun e PD me të cilët garon duke thënë se ai nuk ka rival as Bashën dhe as të tjetër, kjo sipas tij ato nuk ofrojnë asnjë ide dhe program të ri, por gjëra të konsumuara dhe të dëgjuara.

"Nuk kam asnjë rival as Bashën e as të tjetër, asgjë nuk propozojnë të re, janë të konsumuara dhe të dëgjuara, propozimi i ri është ky manifest politik i imi për një PD të hapur dhe fituese", tha Kadilli.

Nënvlerësimi i figurave të kandidatëve të tjerë nga Kadilli ishte edhe më i rëndë ku u pyet se mos po garon për vendin dy në parti, duke thënë se përveç tij dhe zotit Basha, të tjerë mund të garojnë për vendin dy që janë Edith Harxhi dhe Agron Shehaj.

"Përveç meje dhe zotit Basha , të tjerët mund të luajnë për numrin 2. Por as unë as Basha nuk garojmë për vendin e dy", tha Kadilli.

Ora 12:16
Rishikim i Kushtetutës, Kodit Zgjedhor, i ndarjes territoriale, Fatbardh Kadilli shpalos objektivat kryesorë për Shqipërinë (VIDEO)

Në komunikimin me mediat, në shpalosjen e programit të tij për kryetar të PD, kandidati Fatbardh Kadilli shpalosi disa objektiva kryesorë që do të bëhen për një 'rithemelim të Republikës' sicc e quajti ai.

"Rishikim i ndarjes territoriale, rishikim i kodit zgjedhor, rishikim i organeve të drejtësisë, forcim i demorkacisë direkte me referendumi, rishikimi i Kushtetutës për të vendosur në balancë institucionet kryesore në vend", tha Kadilli.

I.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Opionisti: 26/05/2021 18:53

    Kandillli Elezi dheldk hane no grada te hetohet Kadilli Elezi nishanildk ne kosove nuk fiton partite demokratike

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë