Kadri Roshi, Dalin në
dritë fotot e rralla

Kadri Roshi, Dalin në<br />dritë fotot e rralla
TIRANE- Ishte 4 janar 2014! Institucionet ishin pushim! Një kolazh fotosh në 90-vjetorin e lindjes së Kadri Roshit, u shënua si i vetmi aktivitet përkujtimor i Teatrit Kombëtar, i cili nuk ka zgjatur më shumë se fishekzjarrët e ndërrimit të viteve. Fotot e rralla të nxjerra nga arkivi i Teatrit Kombëtar i kanë shfaqur vetëm në ekranin e një video-projektori dhe vetëm për pak çaste. Me këtë lloj “organizimi” për fat të keq fotot e rralla të roleve ishin të destinuara të mbeteshin larg syve të publikut.

Por, gazeta “Shqiptarja.com” ka kënaqësinë ta kujtoj figurën e aktorit të madh me botimin e një kujtese, shoqëruar me disa nga fotot e rralla të nxjerra nga arkiva e Teatrit Kombëtar, siç janë fotoja e Kadri Roshit në dramën “Procesi i Lajpcigut”, më 1955-n, fotoja e tragjedisë “Hamleti”, më 1960-n, fotoja e komedisë “E zonja e Bujtinës”, më 1962-n. Secila nga këto role shoqërohet me një histori të hidhur ose të gëzuar të artistit dhe njeriut të madh Kadri Rroshi. Ja, le të hedhim sytë tek figura e Hamletit. Portreti i tij mbart në mënyrë të jashtëzakonshme gjithë mentalitetin dhe filozofinë e personazhit. Dhe mbi të gjitha duket si një princ i lindur në skenë. Rruga plot vështirësi e sfida në jetë e në skenë e ngre Kadri Roshin në këtë 90-vjetor në piedestalin më të lartë si personalitet njerëzor.   

Kadri Roshi lindi ne 4 Janar të vitit 1924, në Ballsh të Mallakastrës, ndërsa prindërit e tij, Maksut dhe Sabrie ishin me orgjinë nga Libohova. Nëna e Kadri Roshit do të largohej nga jeta, kur Kadriu ishte vetëm 2 vjeç. Kur ishte ende fëmijë, pa mbushur 12 vjeç, largohet nga kjo botë edhe i ati, Maksuti, një avokat i njohur dhe i respektuar në kohën e tij. I mbetur jetim, djaloshi 12-vjeçar Kadri Roshi u rropat duke bredhur në të gjitha qytetet e Shqipërisë për bukën e gojës, në Vlorë,  në Durrës, ku punoi edhe si hamall në port, në Kavajë e në Tiranë, e gjetkë, duke bërë lloj-lloj punësh të vështira. Të qenit punëtor e njeri zemërdëlirë e bëri Kadri Roshin të pathyeshëm para intrigave të fatit.
 
Rruga e artit, rolet
 
Kadri Roshi konkurroi për aktrim dhe mes paragjykimeve të jurisë se “i mbahej goja”. Triumfoi në skenë që në rolet e para. Suksesi me rolin e tij i parë të madh Osipi, në dramën “Revizori” të Gogolit, iu hapi rrugën e studimeve në Pragë, pastaj në Kroaci dhe pas prishjes së marrëdhënies me Jugosllavët, Kadri Roshi shkon për studime në Çekosllovaki, ku merr një diplomë të shkëlqyer për aktor. Që nga koha e kthimit të tij në atdhe, Kadri Roshi ka luajtur plot 215 role në teatër dhe në kinema, duke nisur që nga “Toka e Përgjakur”, “Fijet që priten”, “Njeriu me Top”, etj, etj. Kështu, me kalimin e viteve pothuajse për çdo film që luante Kinostudioja kishte gjithmonë një rol të madhe për Kadri Roshin. Kadri Roshi ka luajtur tek filmi i parë shqiptar me metrazh të gjatë “Tana” me regjisor Kristaq Dhamon.

Ka luajtur tek filmat “Liri a Vdekje”, “Ballë për ballë”, “I teti në bronz”, “Era e ngrohtë e thellësive”, “Misioni përtej detit”, “Rrethimi i vogël”, tek “Kolonel Bunkeri”, etj, etj. Në teatër ai ka qenë i papërsëritshëm me rolet të tilla si Hamleti, Sahatndreqësi i “Orëve të Kremlinit”, Jagua te “Otello”, Ezopi, Arturo Ui, etj. Gjithnjë i dashuruar me rolet e tij, Kadri Roshi i transmetonte spektatorit emocione të jashtëzakonshme. Aktori dinte të bëhej njësh me rolin në skenë.
 
 
Aktori i madh në kujtesën e shqiptarëve
 
Ata që e kanë njohur nga afër thonë se Kadri Roshi karakterizohej nga një sens i mprehtë humori. Kushdo kishte fatin të gjendej në rrethin e bisedave të tij, do të mbetej i mrekulluar nga fjalët dhe energjia e tij. Ai ishte një njohës i shkëlqyer i historisë, politikës, gjeografisë, natyrës. Përpinte çdo njohuri dhe informacion në shërbim të roleve të veta. Kur luante Arturo Ui-në tregojnë kolegët, ai nisi të studionte gjithçka për Gjermaninë, për t’u qenë sa më pranë personazhit Arturo Ui. Me përkushtim, pasion punë dhe durim Kadri Roshi mbeti mbreti i teatrit dhe kinematografisë shqiptare.


 Shkrimi u publikua sot (08.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

SHBA, thirrje Venezuelës të bëjë sa më shpejt publike të dhënat e plota për zgjedhje

SHBA, thirrje Venezuelës të bëjë sa më shpejt publike të dhënat e plota për zgjedhje