Analisti dhe aktivisti i shoqërisë civile, Blendi Kajsiu ka qenë dje në mbrëmje i ftuar në studion e "A1 Report" për të diskutuar me moderatoren, Mira Kazhani mbi vendimet e para të qeverisë "Rama" si ligjin e mbetjeve, vendosja në institucione e fotos së Ismail Qemalit, si dhe mbi integrimin e Shqipërisë në BE.

Kajsiu ka përgëzuar vendimin për heqjen e importit të mbetjeve: “Duke pasur parasysh kapacitetet e pakta kontrolluese të vendit, importi mund të krijonte terren për abuzime, për lulëzimin e krimit të organizuar”. Megjithatë, pa u zbardhur vendimi Kajsiu është shprehur se "ne flasim në ajër".

“Nga sa kam parë në media, nga çfarë dëgjova ministrin e Mjedisit, nga informacionet informale që kam pasur me aktivistë të tjerë nuk kemi të bëjmë me VKM, por me ndërhyrje në ligj. Ajo që qeveria ka bërë është ndryshimi në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i cili ndryshon dy nene e eliminon një nen; atë që lejon importin”, tha ai.

Kajsiu ka kujtuar se PD ka qenë kundër importit të mbetjeve dikur. "PD dhe Berisha thotë se PS është mafioze. Nëse PD mendon se qeveria e majtë është mafioze, atëherë le të pengojë importin”, tha Kajsiu. Për programin e qeverisë Rama, ai ka theksuar se është një program më majtas, sepse ka rol më të madh shtetit dhe më pak të tregut. Teksa nënvizoi se privatizimet kanë qënë të dështuara disa herë.

Shkrimi u publikua sot (18.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)