Një nga monumentet më të rëndësishme historike në vend, Kalaja e Rozafës, pritet të hyjë në fazë transformimi. Projekti i Rijetëzimit mbështetet nga BERZH dhe synon ta kthejë parkun arkeologjik në një qendër kulturore e turistike.
Investimi shkon mbi 1 milion euro dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Brenda pak ditësh pritet të behet tenderi, i cili i hap rrugë nisjes se punimeve.
“Kjo ndërhyrje pritet të fillojë shumë shpejt... ndoshta ndërhyrja më e rëndësishme që bëhet në kalanë e Shkodrës pas tre-katër dekadash” thotë Helidon Sokoli, Drejtor i DRTK Shkodër.
Ndërhyrjet do të prekin infrastrukturën. Parkingje per autobusët dhe autoveturat poshte kalasë. Ambiente sanitare dhe furnizim 24 ore me uje, gjë e cila ka munguar prej vitesh.
“Fokusi i këtij investimi do të jetë kryesisht tek infrastruktura mbështetëse dhe logjistika e nevojshme për fluksin turistik, duke filluar që nga parkingu i dedikuar për autobusët, një parking i dedikuar për mjetet më të vogla, furnizimin e kalasë së Shkodrës me ujë, një problematikë kjo e mbartur prej vitesh. Duke furnizuar kalanë me ujë, do të kemi mundësinë që gjatë zbatimit të këtij projekti të investohet edhe për nyjet e reja sanitare brenda në kala. Po kështu do të vendosen parmaqe mbrojtjes, ndriçim modern, stola, shtigje te reja dhe sinjalistikë” shpjegon Sokoli
Një tjetër element i rëndësishëm është skena e përhershme për koncertet.
“Gjithashtu, synohet rritja e parametrave mbrojtës të kalasë, përmes vendosjes së parmakëve dhe rritjes së sigurisë për vizitorët. Do të ketë ndërhyrje edhe në arredimin urban brenda në kala, me stola, ndriçim të ri të brendshëm, shtigje të reja dhe sinjalistikën e nevojshme për vizitorët, si dhe krijimin e një këndi për aktivitete dhe evente kulturore, një hapësirë të përhershme me skenë për aktivitete të ndryshme që zhvillohen prej vitesh në Shkodër” thotë Sokoli
Ky projekt nuk do të prekë autenticitetin historik të kalasë, premton Sokoli.
“Çdo punim do të ketë mbikëqyrje arkeologjike… ndërhyrjet do të jenë minimaliste dhe pa cënuar vlerat historike të objektit”
Ndërsa brenda kalasë do ndërhyhet ne godinën e muzeut, e cila është me lagështirë.
“Do të punohet kryesisht në strukturë për të evituar problematikat e lagështirës. Po ashtu, parashikohen edhe investime të tjera, si vendosja e elementeve të arredimit urban që rrisin ofertën turistike" thotë Sokoli
Vetëm në dy muajt e parë të vitit 2026, Kalaja e Rozafës ka pritur mbi 8 mijë vizitorë, duke mbetur destinacioni më i vizituar arkeologjik në vend.
Komente








