Publikohet kalendari i aplikimeve në Universitet për raundin e dytë.

Agjencia Kombëtare e Provimeve bën me dije se duke filluar nga dita e sotme deri në  22 shtator, maturantët mund të zgjedhin degët për të cilat ka ende kuota bosh.

Të parët që do të aplikojnë janë maturantët e qarkut të Tiranës në datat 15 dhe 16 shtator, ndërkohë që më pas do të aplikojnë edhe maturantët në çdo qark tjetër.

Aplikimi
Aplikimi në Raundin e dytë kryhet vetëm për ato programe studimi të cilat pas përfundimit të regjistrimeve të raundit të parë kanë kuota të paplotësuara. Të drejtën për të aplikuar me këtë formular në raundin e dytë e kanë maturantët/kandidatët e mëposhtëm:

1. Të gjithë maturantët /kandidatët të cilët kanë plotësuar formularin A1 ose A1Z në sesionin e dytë, që nuk kishin detyrime për provimet e maturës shtetërore ose rezultojnë kalues në provimet e maturës shtetërore në sesionin e dytë, të vjeshtës.

2. Të gjithë maturantët /kandidatët të cilët kanë plotësuar formularin A1 ose A1Z dhe rezultojnë kalues në provimet e maturës shtetërore në sesionin e parë, të muajit qershor të cilët:

-Nuk kanë arritur të aplikojnë në raundin e parë për arsye të ndryshme

-Kanë aplikuar në raundin e parë por nuk janë shpallur fitues në asnjërën prej preferencave të përzgjedhura

-Kanë aplikuar në raundin e parë dhe janë shpallur fitues në njërën nga preferencat e përzgjedhura por nuk janë regjistruar në asnjërin prej programeve të studimit ku janë shpallur fitues

-Janë çregjistruar pas përfundimit të raundit të parë

Maturantët
Theksojmë se maturantët/kandidatët e kategorive të mësipërme, të cilët kanë aplikuar në raundin e parë, duhet te riaplikojne edhe njëherë tjetër në raundin e dytë meqenese ky është një formular i ri aplikimi. Maturantët/Kandidatët e Raundit të Parë të cilët rezultojnë të regjistruar pas përfundimit të raundit të parë të regjistrimeve, nuk kanë të drejtë të aplikojnë në Raundin e Dytë të Aplikimeve. Pra Aplikimi i tyre në Raundin e dytë nuk është i vlefshëm.

Vëmë në dukje se maturantët, të cilët nuk kanë aplikuar në raundin e parë me Formularin e Aplikimit në IAL dhe për rrjedhojë është hera e parë që përzgjedhin programet e tyre të studimit preferencialë, duhet fillimit të ndjekin procedurat e mëposhtme:

-Të shkarkojnë nga faqja zyrtare të AKP me adresë: ëëë.akp.gov.al Faturën për arkëtim për plotësimin e formularit për në IAL dhe më pas ta printojnë.

-Të paraqiten në zyrat e çdonjërit prej filialeve të bankave të nivelit të dytë për të kryer pagesën e tarifës prej 2000 lekësh për formularin e aplikimit në IAL, Matura Shtetërore 2017.

-Të dorëzojë mandat pagesën e kryer të tarifës në drejtorinë e shkollës ku ka kryer aplikimin me formularin A1/A1Z, që shkolla ti hedhë në Portalin e Maturës online mesataren sipas VKM-së. Maturantët  që kanë aplikuar në raundin e pare nuk duhet të kryejnë një pagesë tjetër tarife.

Regjistrimet në Universitet
Ministria e Arsimit sqaron se faza tjetër e regjistrimeve do të jetë në datën  1-14 tetor. Edhe ky raund do të jetë i ndarë në 7 faza 2-ditore. Kandidatët duhet të monitorojnë procesin në portalin “U-Albania”, për të parë nëse do të shpallen fitues ose jo. Regjistrimet do të zhvillohen në faza 48-orëshe sipas listës.

Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit përcakton se në datat 15-22 shtator çdo kandidatë mund të listojë 10 preferenca të reja për në universitetet publike ose private. Në këtë mënyrë kandidatët që nuk kanë fituar do të kenë mundësi të përzgjdhin degët ku ka më shumë vende të lira.

kalendari

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com