Raporti i katërt i monitorimit të zbatimit të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore në Shqipëri, i përgatitur pas vizitës së raportuesve në vendin tonë, nga data 17 deri më 19 nëntor 2025, dhe i përditësuar për të pasqyruar zhvillimet e fundit para miratimit të Reformës Territoriale, i është dorëzuar Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës në 7 tetor 2026, ku do të shqyrtohet dhe do të duhet të marrë miratimin në 27 tetor 2026.
Në draft-raporton e përgatitur vlerësohet se Shqipëria përballet ende me sfida të rëndësishme në zbatimin e Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore.
Raporti vë në dukje se, pavarësisht objektivit të deklaruar të qeverisë për forcimin e decentralizimit dhe modernizimin e sistemit të vetëqeverisjes vendore, vijon tendenca e centralizimit të kompetencave dhe bashkitë kanë burime të kufizuara financiare, administrative dhe njerëzore.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me konsultimin për ndryshimet e kufijve administrativë, i cili, sipas raportit, nuk ka garantuar ‘pjesëmarrjen kuptimplotë dhe në kohën e duhur të komuniteteve të prekura’, në përputhje me frymën e nenit 5 të Kartës. Kongresi thekson se konsultimi duhet të ishte zhvilluar në fazat përgatitore të vendimmarrjes, në mënyrë që qytetarët të kishin mundësi reale të ndikonin në rezultatet përfundimtare.
Dokumenti evidenton gjithashtu se financimi i akorduar për pushtetin vendor nuk është gjithmonë në përpjesëtim me përgjegjësitë e tij, ndërsa ‘mekanizmat e barazimit financiar nuk janë mjaftueshëm efektivë dhe transparentë’.
Probleme të tjera lidhen me vështirësitë në mbledhjen e taksave vendore, pasaktësitë në regjistrimin e pronave dhe mungesën e kapaciteteve për ofrimin e shërbimeve publike. Raporti vë në pikëpyetje edhe autonominë e qarqeve, duke argumentuar se kompetencat e kufizuara dhe varësia financiare nuk u mundësojnë atyre të funksionojnë si autoritete të mirëfillta të nivelit rajonal.
Në përfundim, Kongresi i kërkon Shqipërisë të ndërmarrë masa konkrete për të garantuar pjesëmarrjen efektive të qytetarëve në vetëqeverisjen vendore, forcimin e financave vendore dhe një sistem më autonom e funksional të qeverisjes vendore.










Komente
Komento