Kallëzimi penal i bërë nga PD ndaj
Edi Ramës dhe Sajmir Tahirit

Kallëzimi penal i bërë nga PD ndaj<br />Edi Ramës dhe Sajmir Tahirit
KALLËZIM PËR NDJEKJE PENALE
 
Drejtuar: Prokurorit të Përgjithshëm
 
 Z. Adriatik LLALLA
TIRANË
 
Të kallëzuar: 1. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
 2. Sajmir Tahiri. Ministër i Brendshëm i Shqipërisë
 
Objekti: Kërkohet fillimi i ndjekjes penale ndaj personave të kallëzuar për kryerje të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248-25 i K.Penal.
 
Baza ligjore: Nenet 281 e vijues të K.Pr.Penale. Nenet 248 -25 i K.Penal
 
I nderuar Z. Prokuror i Përgjithshëm!
 
 Në datë 09.10.2013 jemi njohur publikisht me ndryshimet drastike në trupën drejtuese të Policisë së Shtetit, ndryshime të cilat kanë përfshirë largimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit z.Hysni Burgaj, të Zëvëndës Drejtorit të Policisë së Shtetit z.Muhamet Rrumbullaku, të Drejtorëve kryesorë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe të 12 Drejtorëve të Policisë në Qarqe.
 
Po në të njëjtën datë, në këto pozicione janë emëruar drejtuesit e rinj, ku një pjesë prej tyre janë ripranuar në radhët e Policisë së Shtetit, ndërsa të tjerët janë promovuar nga brenda radhëve të policisë.
 
Konstatojmë se gjatë kryerjes së shkarkimeve dhe emërimeve të reja është shkelur shumë rëndë ligji për “Policinë e Shtetit”, Nr.9749 datë 04.06.2007, e konkretisht;
 
Emërimi i z. Artan Didi, nga Kryeministri z.Rama me propozim të ministrit z. Tahiri, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin për “Policinë e Shtetit”, Nr.9749 datë 04.06.2007, neni 21 i tij.
 
Në nenin 21 të këtij ligji janë përcaktuar shprehimisht kriteret për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të cilat janë si vijon;
 
“Drejtor i Përgjithshëm i Policisë emërohet personi që përmbush këto kritere:
a) të ketë shërbyer për një periudhë të paktën 3 vjet me gradën “Drejtues i Parë” ose më lart ose ekuivalentin e kësaj grade;
b) të jetë shkolluar në Akademinë e Policisë, në përputhje me nenin 50 të këtij ligji ose të ketë mbaruar shkollë, të miratuar sipas ligjit për arsimin e lartë, si të barazvlefshme me nivelin e shkollimit që përputhet me nenin 51 të këtij ligji;
c) të ketë kryer jo më pak se 16 vjet shërbim si punonjës Policie, duke ushtruar kompetenca policore brenda 20 viteve të fundit.”
 
z. Artan Didi është larguar nga radhët e Policisë së Shtetit në vitin 2006 dhe në atë kohë ai ka patur dy grada më poshtë se grada që ligji kërkon për tu bërë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
 
z.Artan Didi nuk është shkolluar në Akademinë e Policisë në përputhje me nenin 50 të këtij ligji ose të ketë mbaruar shkollë, të miratuar sipas ligjit për arsimin e lartë, si të barazvlefshme me nivelin e shkollimit që përputhet me nenin 51 të po këtij ligji.
 
z.Artan Didi nuk përmbush as kriterin e tretë ligjor sipas të cilit duhet të jetë prej 16 vitesh në shërbim si punonjës policie brenda 20 viteve të fundit.
 
2. Emërimi i z. Sokol Bizhga dhe z. Altin Qato nga ministri z. Tahiri, në detyrën e Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë është bërë gjithashtu duke shkelur hapur ligjin e sipërpërmendur në nenin 24 të tij, pasi të dy këta persona nuk plotësojnë kriterin ligjor të pasjes së gradës drejtues i parë për një periudhë përmbi tre vjet.
 
Për më tepër z.Sokol Bizhga është ndërkohë nën efektet e masës disiplinore të marrë ndaj tij për të mos u promovuar në detyrë për një vit.
 
3. Emërimet e drejtorëve të policisë në të 12 qarqet janë kryer në kundërshtim të plotë me të gjitha normat ligjore që parashikon Ligji për “Policinë e Shtetit” lidhur me kushtet se si kryhet ripranimi në Polici dhe gradat që duhet të ketë personi që merr një detyrë të tillë.
 
Z. Prokuror!
 
Këto veprime të kryera në kundërshtim me ligjin janë bërë me dashje të drejtpërdrejtë dhe me bashkëpunimin e qartë dhe të plotë të personave të kallëzuar dhe përbëjnë vepër penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
 
Të kallëzuarit kanë bërë shkarkimet dhe emërimet e trupës drejtuese të Policisë së Shtetit në kundërshtim flagrant me ligjin duke sjellë si pasojë shkeljen e të drejtave të ligjshme të punonjësve të policisë të shkarkuar padrejtësisht nga detyra apo të atyre që me të drejtën e plotë ligjore ju takon të promovohen në detyrë si dhe kanë cënuar rëndë punën dhe fuksionimin ligjor të gjithë policisë së shtetit duke emëruar drejtues pa arsimin përkatës, pa gradimin përkatës, pa përvojën përkatëse ligjore dhe pa respektuar procedurat që parashikon ligji.
 
Duke qënë të bindur se veprimet e dy personave të kallëzuar konsumojnë plotësisht elementet e veprës penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim.
 
Po ju drejtohemi juve z. Prokuror i Përgjithshëm për të ushtruar ndjekjen penale sipas ligjit.
 
Tiranë më: 18.10.2013

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

I emëruar i Trumpit për emigracionin mbikqyri një valë deportimesh në të kaluarën

I emëruar i Trumpit për emigracionin mbikqyri një valë deportimesh në të kaluarën