Mësohet se, të akuzuarit për këtë tender, do të merren gjatë javës në vazhdim, për të dhënë dëshmitë e tyre për këtë skandal.
Kallzimi penal është bërë ndaj ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm, Rasim Borishi dhe tetë anëtareve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në këtë drejtori, bën të ditur "Top Channel".
TAHIRI: NUK DO KURSEJMË ASKËND QË KA PËRGJEGJËSI
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me këtë çështje, gjatë konferencës për shtyp për buxhetin 2014, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se “ka zhvillime të cilat nuk mund të komunikohen tani”, por theksoi se vëmendja duhet të vendoset tek zhvillimet pozitive që parashikon buxheti i ri. Ndërkaq, ministri Tahiri theksoi se sipas rezultateve të auditit, ata që rezultojnë shkelës do të përgjigjen para drejtësisë.
“SMinistria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë filluar procesin e auditit të përgjithshëm, duke e konceptuar këtë si rikthim i ligjshmërisë brenda vetë institucionit, siç ka filluar luftën kundër korrupsionit brenda rradhëve të Policisë së Shtetit, duke e konceptuar edhe këtë si parathënie për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend.
Sigurisht ka zhvillime, të cilat nuk mund t’ua komunikoj tani, por në të gjithë procesin e transparencës, auditit të përgjithshëm dhe luftës kundër korrupsionit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Shtetit, nuk kemi ndërmend të kursejmë askënd që ka përgjegjësi. Kjo nuk ka lidhje me emrat, kjo nuk ka lidhje me detyrat e ish-funksionarëve, kjo ka lidhje me të gjithë ata që mbajnë përgjegjësi.
Por ajo që është më e rëndësishme, dhe më falni që iu përgjigjem në këtë mënyrë, është lajmi për 93 % të punonjësve të Policisë së Shtetit. Janë punonjës që deri më sot kanë sakrifikuar përtej çdo limiti, për të garantuar me aq sa kanë mundur, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike. Dhe unë jam shumë i lumtur që sot iu komunikoj që qeveria dhe kryeministri Rama, vërtet e mbajtën premtimin për të rritur rrogat në mënyrë drastike për punonjësit e policisë. Ky është lajm i mirë që vlen më shumë sesa çdo proces auditi, transparence ndaj atyre shumë pak njerëzve që nëse do të rezultojnë përgjegjës, meritojnë të shkojnë para drejtësisë”, tha Ministri Tahiri.
KALLËZIM BURGAJT E 9 ISH-ZYRTARËVE, 3. 1 MLN $ ABUZIME ME SPOTET TELEVIZIVE
Akuza që rëndon mbi dy ish-drejtuesit e policisë dhe tetë zyrtarët e tjerë është ajo e shpërdorimit të detyres si edhe shkeljes së barazisë në tendera apo ankande publike.
Shkeljet, sipas një materiali me 11 faqe që ju drejtua Prokurorisë së Tiranës, kanë të bëjë me procedurën e prokurimit me objekt spotet publicitare televizive për informimin e qytetarëve në kuadër të liberalizimit të vizave.
Bëhet fjalë për pesë tendera në shkelje të ligjeve të prokurimit me një vlerë prej 318 milionë lekësh ose ndryshe thenë mbi 3 100 000 dollarë.
Sipas hetimit të bërë nga oficerët e policisë gjyqësore në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm ka rezultuar se në tre tendera, komisioni i vlerësimit ka shpallur operatorin fitues dy, tre dhe një ditë përpara hapjes së ofertave duke paracaktuar fituesin që në të gjitha rastet.
Është vetëm një kompani, ajo Promo, e cila ka marrë të gjithë shumën prej mbi 3 100 000 dollarësh.
Në të gjitha procedurat e kryera veprimet e autoritetit kontraktor u kryen nga zv.drejtori i Policisë, Rasim Borishi, ne kundërshtim me vendimet e nxjerra nga Këshilli i Ministrave ku veprimet duhet të kryhen nga titullari i institucionit.
Një tjetër pikë e shkeljeve nga Komisioni i Prokurimit është se u shpall operatori fitues në bazë të çmimit dhe jo pikëve, ne kundërshtim me VKM në fuqi.
Një ndër pikat me shkeljen më të rëndë mbetet ajo se në dy procedura prokurimi mungon data e raportit përfundimtar të perpiluar nga ky komision, si edhe se në ftesat në ofertë, drejtuar operatorëve për pjesemarrje në prodhimin dhe transmetimin e spoteve publicitare, titullari i autoritetit kontraktor i është referuar një baze ligjore të shfuqizuar, thotë Top Channel.
Në kundërshtim me ligjin nuk është bërë njoftim në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në komisonin nuk ka patur specialistë të fushave.
Një ndër me flagrantet si shkelje konsiderohet se janë përcaktuar që në procedurë prokurimi televizionet që do transmetonin spotet publicitare.
TË AKUZUARIT NGA ANA E PROKURORISË
Hysni Burgaj - Ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Rasim Borishi - Ish- zv.drejtor i pergjithshem
Kole Kukaj - Kryetar i komisionit të vlerësimit
ANETARË TË KOMISIONIT
Adelina Marashi
Agim Hysko
Besjana Martini
Liza Tafili
Meri Papakonstandini
Klejda Plangarica
Islam Cenga
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)